AMP ka arrestuar një nënkomisar policie, ekspert kriminalist.

Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetari Igli Çelmeta.

Mësohet se arrestimi Fatmir Balaj me urdhër të AMP-së u bë pasi eksperti kriminalist akuzohet se tjetërsonte provat. Balaj, është ekspert krimininalist i Insitutit të Policisë Shkencore.

NJOFTIMI I AMP
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), pas hetimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ka ekzekutuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, të vendosur nga Gjykata e Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ndaj oficerit të policisë, K/Komisar F. B., 49 vjeç, me detyrë Specialist kriminalist në Sektorin e ekzaminimeve kompjuterike në Institutin e Policisë Shkencore, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ekspertim i rremë”.

Caktimi i masës së sigurimit është bërë i mundur pasi nga hetimet e zhvilluara, janë siguruar prova dhe fakte se ky oficer policie, duke shfrytëzuar funksionin organik, ka fshehur, tjetërsuar dhe zëvendësuar pajisjet kompjuterike (USB), objekt ekspertimi kompjuterik, të cilat do të shërbenin si provë kryesore shkencore në dokumentimin me prova ligjore të veprimtarisë kriminale të një subjekti privat, të proceduar penalisht për veprat penale “Mashtrim kompjuterik”, nëpërmjet platformës Forex (call center).

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: