TIRANE- Mosregjistrimi i partive opozitare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por edhe partive të tjera politike për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, ka bërë që formati i fletës së votimit të ndryshojë. Ndonëse në kohën kur u miratuan specifikat e fletës së votimit, u parashikua që në listë të parashikoheshin 66 parti, tashmë kjo gjë është e panevojshme, pasi në të do të renditen vetëm 15 parti.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur sot procedurën e pranimit të listave të kandidatëve për partitë politike, nga ku rezulton se vetëm 15 parti do të marrin pjesë në zgjedhje.

Do të jenë shorti ai që do të përcaktojnë renditjen e këtyre forcave politike në fletën e votimit, të cilën do të kenë në duar votuesit shqiptarë më 18 qershor.

Por në KQZ fillimisht u regjistruan edhe dy parti të tjera, të cilat nuk do të jenë në fletën e votimit. Partia e Unitetit Kombëtar nuk do të marrë pjesë, pasi Idajet Beqiri deklaroi publikisht se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje për të mos dëmtuar Partinë Socialiste në kushtet kur vetë opozita ka deklaruar se për të 18 Qershori nuk ekziston.

Ndërsa partia e dytë është ajo e Gjergj Kojës, Partia Socialiste e Moderuar.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të nenit 98, pika 1, të Kodit Zgjedhor, me vendimin nr. 13, datë 12.01.2017 “Për miratimin e modeleve të fletëve të votimit për zgjedhjet për Kuvendin të datës 18 qershor 2017” miratoi modelet e fletëve të votimit për subjektet zgjedhore që do të marrin pjesë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 18 qershor 2017.

Pas përfundimit të procesit të regjistrimit të subjekteve zgjedhore, si dhe miratimit të listave shumëemërore të paraqitura prej tyre, rezultoi se janë regjistruar numër më vogël subjektesh se sa kur u miratuan specifikimet teknike të fletës së votimit. Konkretisht gjatësia e fletës së votimit e miratuar me vendimin nr. 13, datë 12.01.2017 është 420 mm (A3) dhe mund të përfshihen në të deri në 66 subjekte. Pas miratimit të listave shumemërore rezulton se numri i subjekteve zgjedhore që do të marrin pjesë në zgjedhjet për Kuvendin 2017, është 15 dhe për këtë fakt gjatësia e fletës së votimit është e panevojshme të jetë sa është parashikuar në vendimin nr. 13, datë 12.01.2017. Gjatësia e fletës së votimit me përmasa 220 mm, është e përshtatshme për pasqyrimin e 15 partive politike”, thuhet në projektvendim.

PARTITË QË DO MARRIN PJESË NË ZGJEDHJE
Partia Komuniste e Shqipërisë
Sfida për Shqipërinë
Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen
Partia Lista e Barabartë
Aleanca Popullore për Drejtësi
Partia Demokracia Sociale
Partia Aleanca Demokratike
Partia Kristian Demokrate
Lëvizja Socialiste për Integrim
Partia Aleanca Arbnore Kombëtare
Partia për Drejtësi Integrim Unitet
Partia Social Demokrate
Partia Socialiste
Fryma e re Demokratike
Partia Aleanca Demokristiane

[embeddoc url=”https://balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2017/05/relacioni.docx” viewer=”microsoft”][embeddoc url=”https://balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2017/05/170507-DTI_DJ-Per-nje-ndryshim-te-vendimit-13-fv.doc” viewer=”microsoft”]

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb