Nga: JETON SELIMI*
Duhej të ishte një ndeshje prove për sigurinë përpara takimit të nxehtë të 8 tetorit kundër Serbisë, por la pas pakënaqësi të mëdha te të gjithë tifozët e pranishëm, e sidomos tek ata më të zjarrtët që mbajnë peshë edhe stadiumin përgjatë 90 minutave. “Tifozët Kuqezi” tifogrupi zyrtar i Kombëtares së Shqipërisë, ka reaguar ditën e djeshme në lidhje me masat e marra nga forcat e rendit, duke i etiketuar si abuzuese dhe të pabazuara në asnjë ligj. Sikundër shprehen vetë ata, hyrja në stadium ngjasonte si “hyrja në doganën e një shteti armik”, ndërsa konflikti me uniformat blu ka zgjatur për shumë minuta në tribunën jugore të “Elbasan Arenës”. Në një komunikatë zyrtare për shtyp, TKZ-ja informon se ka hasur vështirësi në vendosjen e banerave të tyre, të cilët janë vendosur pa problem në çdo stadium të botës, ndërsa në hekurat rrethues transparentët “hiqeshin apo vendoseshin sipas qejfit të momentit që kishte secili prej “shefave”. Një tjetër pikë e komunikatës së tyre lexohet dhe akuzohet deri në injorancë pasi “janë ndaluar veshje me figura kombëtare, si ato të: Isa Boletinit, Ismail Qemalit, Çerçiz Topullit, si dhe shprehja Autochtonous”, madje në komentet poshtë lexohet nga tifozët që ishin prezentë në Elbasan, se policët u kishin thënë se nuk mund të futeshin në stadium me bluzën e revolucionarit komunist Che Guevara, ndërsa në të vërtetë në to ishte stampuar portreti i heroit Çerçiz Topulli! Gjithashtu një tjetër akuzë e rëndë për policinë është edhe ajo e moskthimit mbrapsht të bluzave, flamurëve dhe monedhave të hedhura jashtë stadiumit. Sipas anëtarëve të ndryshëm të TKZ-së, kanë fluturuar qindra mijëra lekë të hënën nga xhepat e tyre, por kur dolën jashtë stadiumit nuk i gjetën më aty. Por veç këtyre problemeve, ka dhe akuza të karakterit etik, ndërsa TKZ ngre zërin se kontrollin për tifozët femra e kanë kryer policë meshkuj dhe jo police femra, çka bie ndesh me çdo rregullore, ndërsa po të mos kalonin këto kontrolle, nuk do të lejoheshin të futeshin në stadium. Por çmenduria e vërtetë ishte pasi hyje brenda në stadium. Tifozët e parë u futën rreth orës 18:00 ndërsa me ndeshjen që përfundonte në orën 22:35, kanë vuajtur shumë mungesën e ujit të pijshëm, pasi dyqanet në stadium ishin të gjitha të mbyllura, ndonëse në to uji, birra apo pijet freskuese janë servirur gjithnjë në gota plastike, që janë krejtësisht të padëmshme dhe aplikohen gjerësisht në të gjithë botën. Në fund, “Tifozët Kuqezi”, u bëjnë thirrje dhe kërkesë të gjitha institucioneve shqiptare që marrin përsipër mbarëvajtjen e ndeshjeve të Kombëtares, që pikësëpari të respektojnë ligjin shqiptar dhe jo “tekat” e shefave apo eproreve, ligjin i cili nuk ndalon asgjë nga pikat e sipërpërmendura. TKZ-ja e mbyll deklaratën me një “kërcënim” ndaj institucioneve që gabime të tilla të mos ndodhin, pasi në të kundërt mund të ketë probleme serioze në ndeshjen më të shumëpritur për mbarë tifozët shqiptarë e jo vetëm, përballjen e 8 tetorit ndaj Serbisë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: