ITALI- Një linjë i trafikut të drogës nga Shqipëria në rrugët e Milanos, duke kaluar nëpër Holandë është prerë nga Policia e Shtetit në Itali. Banda me 14 shtetas shqiptarë shfrytëzonte vajza rumune, shqiptare, çeke dhe moldave për prostitucion dhe investonin të ardhurat për të blerë kokainë në Holandë, e cila më pas shitej në Itali.

Policia italiane ka shkatërruar një bandë kriminelësh me origjinë shqiptare që kontrollonin një pjesë të rrjetit të prostitucionit dhe shpërndarjes së drogës në Milano dhe një pjesë të Lombardisë, shkruajnë mediat italiane.

14 persona janë arrestuar, të gjithë të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe shfrytëzim prostitucioni.

Sipas prokurorisë, banda detyronte vajza të reja nga Europa Lindore të shiteshin në rrugët e Milanos dhe pasi merrnin fitimet e tyre i riinvestonin për të blerë sasi të mëdha kokaine që shitej kryesisht në tregun milanez dhe lombard.

Urdhrat e ndalimit janë vendosur nga autoriteti gjyqësor që hetonte prej janarit të vitit të kaluar lidhjet mes Shqipërisë, Italisë e Holandës të vendosura prej kohësh.

Operacioni “Toka jonë”, kishte çuar në mars të vitit 2015 në arrestimin e dy shtetasve shqiptar që kishin fshehur 5 kg drogë në makinë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb