NGA: ORNELA MANJANI*
Qeveria i kërkon par lamentit të shtyjë deri në fund të vitit 2017 procesin e pajisjes me tituj pronësie të tokave bujqësore. Afati ligjor për pajisjen me tapi të tokës bujqësore skadon në 30 qershor të këtij viti, por njësitë e qeverisjes vendore nuk mund të mbyllin këtë proces brenda kufijve ligjorë, për shkak të numrit të lartë të kërkesave dhe ndarjes së re territoriale. Në proces shqyrtimi janë rreth 18 500 kërkesa për tapi në të gjithë vendin.

KËRKESA
Bashkitë e reja nuk kanë arritur të përfundojnë në kohë procesin e dhënies së titujve të pronësisë për tokat bujqësore, e cila sipas ligjit aktual përfundon më 30 qershor të këtij viti. Përmes një drafti të ri të dërguar në Kuvend, qeveria kërkon shtyrjen e procesit për plotësimin me tituj pronësie të të gjithë fermerëve deri në fund të dhjetorit të vitit të ardhshëm. Për të mos kapërcyer afatin aktual dhe për ta bërë të vlefshëm propozimin, Këshilli i Ministrave ka kërkuar që ky projektligj të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar. Në relacionin e projektligjit të ri, qeveria pranon se vonesat në këtë proces kanë ardhur si pasojë e reformës së re administrative territoriale. Komisionet vendore të bashkive janë ende në fillim të punës së tyre. Aktualisht nga vendimet e këshillave komunalë e bashkiakë të mëparshëm, që disponon Komisioni Qeveritar i Tokës rezulton se janë miratuar vetëm një numër i vogël titujsh pronësie.

“Mospërfundimi në afat i këtij procesi ka ardhur si pasojë e mosnjohjes së tij nga administrate e re e kohës së përgatitjes së punonjësve dhe të bashkëpunimit të mjaftueshëm me institucionet e tjera shtetërore”, thuhet në draft. Ndërkohë edhe në gjykatat e të gjitha shkallëve në vend kanë mbetur pa u shqyrtuar rreth 75% e kërkesave të paraqitura për vendimet e pavlefshme të titujve të pronësisë. Sipas qeverisë, propozimi për shtyrjen e afatit për përfundimin e këtij procesi deri më 30 dhjetor të 2017-ës do t’i japë më shumë kohë shqyrtimit të këtyre kërkesave. Nëse ky afat nuk do të shtyhet nga deputetët, qeveria sqaron se kjo do të ketë kosto shtesë për përfituesit e titujve të pronësisë, të cilët do të jenë të detyruar t’u drejtohen organeve gjyqësore.

RELACIONI
Në relacionin e projektligjit që ndodhet në Kuvend thuhet se, nëse ky afat nuk do të shtyhet, pra procesi nuk përfundon në rrugë administrative, përfituesit do të detyrohen t’u drejtohen organeve gjyqësore (kjo e drejtë është e parashikuar në ligj), por do të ketë më tepër kosto për ta. “Nga raportimet e komisioneve vendore rezulton se gjatë gjithë veprimtarisë, deri më 31 dhjetor 2015, janë paraqitur 18 500 kërkesa nga qytetarët dhe institucionet shtetërore. Nga të cilat 10 065 kërkesa janë mbyllur me përgjigje administrative dhe për 3 482 kërkesa janë marrë vendime administrative. Rezulton se ka ende një numër shumë të madh kërkesash që duhet të shqyrtohen (rreth 5000). Komisionet vendore kanë marrë gjithsej 3 482 vendime, nga të cilat 1 507 vendime për pavlefshmëri të titullit të pronësisë.

Sipërfaqja e trajtuar nga këto vendime është 1142,43 ha tokë bujqësore. Nga gjykata janë marrë gjithsej 332 vendime të formës së prerë, që i korrespondon një sipërfaqeje toke prej 158,55 ha dhe një fondi financiar prej 7090391,74 lekë, të cilët kalojnë në pronësi të shtetit. Rreth 75% e kërkesave të paraqitura në gjykatë për vendimet për pavlefshmëri të titujve të pronësisë nuk janë shqyrtuar përfundimisht ende nga gjykatat e të gjitha shkallëve. Kjo kërkon që komisionet në vijim të ndjekin proceset gjyqësore në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor”, thuhet në relacion.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: