TIRANË

30 familje në Shish Tufinë janë përplasur me përmbaruesin e shtetit dhe policinë e shtetit që kanë vajtur në mbështetje të zbatimit të një vendimi të Gjykatës së Lartë që lë pa tokë e pa shtëpi thuajse një fshat të tërë.

Tokës i ka dalë pronari i vjetër që pretendon kthimin e pronës por banorët e 30 shtëpive janë pronarë legjitim me certifikatë pronësie sipas ligjit 7501.
Për 2 dekada, toka ku janë ndërtuar shtëpitë është kthyer në mollë sherri me pronarëve të rinj dhe atyre të vjetër. Gjykata e Apelit i ka dhënë të drejtë 30 familjeve duke rrëzuar pretendimin e pronarëve të vjetër por një vendim i Gjykatës së Lartë e ka futur çështjen në ngërç ligjor dhe në konflikt mes palëve.

Shumica e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që kanë marrë vendimin janë shkarkuar nga vettingu, ndërsa banorët akuzojnë trupin gjykues për korrupsion në shuma të mëdha.
Vendimi i gjykatës së lartë që zhbën në këtë rast certifikatën e pronësisë dhe ligjin 7501 bazohet në disa dokumente që e cilësojnë zonën urbane dhe tokën truall. Por banorët e hedhin poshtë këtë pretendim duke dëshmuar me dokumente të dala nga institucionet e shtetit që zona vijon të jetë tokë bujqësore.

Rezistenca e 30 familjeve ka detyruar policinë dhe përmbaruesin të largohet duke shmangur në këtë mënyrë përplasjen fizike.

30 familjet i janë drejtuar me një apel kryeministrit që të vërë në veprim taks forcën për të hetuar falsifikimet dhe korrupsionin që sipas tyre shkon deri në nivelet më të larta të administratës dhe gjyqësorit. Sipas banorëve pas gjithçkaje fshihen persona me pushtet, ish-deputetë dhe ministra.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb