TIRANË- Tom Doshi, deputeti që u perjashtua sot nga Partia Socialiste rezulton mik i ngushte me një “armik” të hershëm të Ilir Metës, Dritan Priftin.

Doshi dhe Prifti, rezultojnë aksionerë në një shoqëri të përbashkët, që merret me prodhim dhe shitje vezësh. Por aktiviteti i shoqërisë në fjalë nuk është vetëm pularia. Kjo kompani ka si objekt të sajin edhe import-eksportin e produkteve bujqësore; bazën ushqimore për blegtori, por edhe tregtimin e mallrave e materialeve me karakter publik; farmaceutik; stomatologjik; të mobiljeve, kuzhinave, elektroshtëpiakeve; detergjentëve, produkteve kozmetike, bimëve medicinale; artikujve të ndriçimit; hidrosanitare; restorante; bare; shërbime hotelerie dhe turistike; veshje dhe konfeksione, etj”, thuhet në formularin e shoqërisë të regjistruar në QKR.

Në QKR, kompania është regjistruar në prill 2014 dhe selinë e saj e ka në Koplik. Aksionerë të saj janë: Tom Doshi 35%, Petrit Maho 30%, Dritan Prifti 25% dhe Klodjan Mema 10%.

Në vitin 2010, Ilir Meta u akuzua nga Dritan Prifti, për korrupsion, madje ky i fundit publikoi edhe një video-përgjim. Prifti e akuzonte Metën për presione të vazhdueshme.

Pas kërcënimeve ndaj kryeministrit Rama, sot Doshi hodhi akuza ndaj kreut të LSI-së, Ilir Meta duke deklaruar se ka paguar vrasës me pagesë për eliminimin e tij dhe të deputetit të PD-së, Mhill Fufi.
Bashkë me deklaratat, Tom Doshi përmendi dhe një video si provë për akuzat e tij, por nuk dihet nëse do e bëjë publike. Videoja që përmendi Doshi na rikthen në kohën e Dritan Priftit, kur akuzoi Ilir Metën për korrupsion.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: