TIRANË- Një kafe ka mjaftuar të qetësojë ujërat mes dy socialistëve Tom Doshi dhe Saimir Tahiri. Megjithëse deputeti rebel i PS-së, Tom Doshi kishte shpallur luftë me kryeministri Rama, ai është takuar sot kokë më kokë me Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Takimin e ka pohuar vetë Doshi për ABC News. Ai pranoi që janë takuar me ministrin e kritikuar ashpër herë pas here prej tij dhe saktësoi se në qendër të bashkëbisedimit që ka zgjatur jo pak, ka qenë situata e kriminalitetit në zonën e Shkodrës. Doshi nuk preferoi të saktësojë nëse në qendër të shqetësimit të tij ka qenë kriminaliteti, apo emërimet në rrethin e drejtuesve të policisë.
Deputeti i zonës së Shkodrës Tom Doshi deklaroi se do të shkojë të hënën në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, ku siç përflitet prej ditësh mund edhe të përjashtohet prej tij. Për këtë, Doshi tha se “është herët të flasë dhe se duhet pritur vendimi”. Qëndrimin e tij të mëtejshëm Doshi ia lë vendimit të së hënës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: