TIRANE- Deputeti Tom Doshi i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme të tërheqë kërkesën për arrestim që i ka drejtuar Parlamentit. Kërkesa i është dërguar Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla nga dy avokatët e Doshit, Ferid Mucaj dhe Vladimir Meci, të cilët shprehen se procesi ka shkelje procedurale, prandaj duhet që Prokuroria të tërhiqet nga kërkesa e saj.

“Meqenëse Prokuroria e Përgjithshme nuk i ka kryer veprimet procedurale sikundër e kërkon ligji, ajo duhet të tërheqë ‘kërkesën për dhënie autorizimi për arrestimin ose heqjen e lirisë si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë z.Tom Doshi dhe të vazhdojë normalisht hetimin e kësaj çështje”, thuhet në letrën e avokatëve drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Ka qenë vetë deputeti Tom Doshi që ka informuar për kërkesën e dërguar Kryeprokurorit Llalla në faqen e tij të Facebook. Ai sqaron edhe disa prej shkeljeve që janë bërë sipas tij.
“Për transparencë me publikun dhe median, po ju vëmë në dispozicion kërkesën që avokatët e Z. Doshi, Ferid Mucaj dhe Vladimir Meci, i kanë bërë sot Prokurorisë së Përgjithshme. Do të shikoni në këtë kërkesë një nxitim të çuditshëm të Prokurorisë së Përgjithshme për të kërkuar lejen për arrest të dy deputetëve. Në datën 20 mars, ditë të premte, janë marrë me nxitim disa veprime:
Vendimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për moskompetencë lëndore, dmth që kjo prokurori nuk ka të drejtë të hetojë deputetë të Kuvendit;
Regjistrimi në Prokurorinë e Përgjithshme i procedimit penal nr.1 për Z. Doshi;
Kërkesa drejtuar Kuvendit për lejen e arrestit për deputetët;
E quajmë nxitim të pashpjegueshëm këtë veprim, sepse Prokuroria e Përgjithshme pa kryer asnjë veprim që kërkon ligji, merr përsipër të bëjë shkelje flagrante të tij:
Nuk i komunikon Z. Doshi që po hetohet;
I mohon atij të drejtën të mbrohet vetë apo me avokat;
I mohon të drejtën për të dhënë shpjegime apo paraqitur prova;
Duke cenuar parimin kushtetues të një procesi të rregullt ligjor. Zoti Doshi njoftohet vetëm nga media për një proces hetimor, akuza dhe kërkesa për arrestim.
Për këto shkelje flagrante të ligjit avokatët kanë kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme të terheqë kërkesën për Kuvendin si të kundërligjshme dhe arbitrare dhe të vazhdojë hetimet në mënyrë normale.
Imagjinojeni kur Prokuroria shkel të drejtat e një deputeti të Kuvendit, çfarë mund të bëjë ajo me të drejtat e një qytetari të thjeshtë, që nuk ka mundësi të marrë as dhe një avokat. Pa bërë asnjë minutë hetim, kërkon të marrë leje për arrestime”, shkruhet në postimin e hedhur nga Zyra e deputetit Tom Doshi.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: