KORÇË- Tomi Misha vendos të flasë nga Spitali i Korçës ku ndodhet i shtruar për shkak të dhunës së ushtruar nga policia. Në një rrëfim aspak të zakonshëm për BalkanWeb, Misha deklaron se megjithëse i ka kërkuar falje nëndrejtorit të Policisë së Qarkut Korçë, Arben Hyseni pasi i ka prekur me makinë gomën rezervë të automjetit të tij, është përballur me qëndrimin e tij të pamëshirshëm.


 

“I kam rënë makinës së zëvendësdrejtorit pak të goma rezervë. I thashë më fal, por ai më tha “futu në makinë, do të marr shpirtin”. Në këtë moment erdhën dy efektivët e tjerë. Efektivi Robert Memelli më tërhoqi sa më nxori shpatullën. Unë ngrita dorën dhe e gërvishta në fytyrë. E kam gërvishtur për tu mbrojtur, por nuk e godita”, rrëfen 33-vjeçari jashtë kamerës.

Ndërsa dhuna ndaj tij në rrugët e Korçës ka qenë vetëm fillimi, pasi Tomi Misha tregon se si është rrahur në mënyrë çnjerëzore në Komisariat.
“Më çuan në komisariat, më kanë rrahur me 4 seanca. Dy herë më rrahu zëvendës drejtori Arben Hyseni. Dy herë të tjera efektivi Edison Hoxha më mbante duart, Hyseni më godiste. Më kanë goditur dhe të dy me grushta dhe me shkelma. Në korridor ka kamera, duket sa herë ka hyrë nëndrejtori”, ka treguar 33-vjeçari Misha, i cili u bë objekt i dhunës së ushtruar nga efektivët e Policisë së Korçës.

Po sot nëndrejtori i Policisë së Qarkut Korçë, Arben Hyseni dhe dy efektivët që dhunuan të riun, janë përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit. Ngjarjen e dënuan edhe Kryeministri Edi Rama, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri si dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi.

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: