* Dëshmon në Prokurori pronari i lokalit Ylli Xhaxhollari: S’kam lidhje me akuzat e Doshit

TIRANE–Fation Skënderi, i njohur si “Toni”, njeriu i akuzuar nga Tom Doshi se shërbeu si ndërmjetës në atentatin e planifikuar ndaj tij, ka dëshmuar sot për rreth 5 orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Mësohet se Skënderi, një nga njerëzit kyç të kësaj çështjeje, ka ardhur nga Gjermania dhe është paraqitur sot rreth orës 09:10 në prokurori për të dhënë dëshminë e tij rreth akuzave që janë ngritur nga deputeti Tom Doshi. Ai ka dalë nga prokuroria në orën 14:30, por nuk ka pranuar të flasë për mediat. Por burime për “BalkanWeb” bëjnë të ditur se Fatjon Skënderi ka mohuar të ketë lidhje me Durim Bamin. Ai ka thënë se është informuar përmes mediave për përmendjen e emrit të tij në atentatin e pretenduar nga deputeti Doshi, ndërsa ka theksuar se nuk ka asnjë mosmarrëveshje me askënd.
Ndërkohë, mësohet se policia ka marrë në mbrojtje Fation Skënderin pas dëshmisë së tij në prokruori, ndërsa dy punonjës policie ruajnë banesën e tij në Tiranë.
Emri i Fatjon Skënderit doli në publik për herë të parë nga deklarata e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, javën e kaluar. Tahiri, duke cituar bisedat me Tom Doshin, nënvizoi pretendimin se Fajton Skënderi kishte qenë në grupin e

personave që ishin pjesë e skenarit për vrasjen e dy deputetëve. Ministri i Brendshëm evidentoi faktin se ndaj Fajton Skënderit ishte kryer një atentat në hyrje të autostradës Tiranë­Durrës në datën 1 shtator 2014. Pas atentatit në autostradë, në shumicën e kohës Fatjon Skënderi ka qëndruar jashtë Shqipërisë, kryesisht në Gjermani. Ai më parë është dënuar nga gjykatat shqiptare me 6 vjet burg në vitin 2007 për një çështje të hapur për trafik droge pas arrestimit në vitin 2005.
DËSHMON EDHE PRONARI I LOKALIT ‘VIVA’
Po sot ka dëshmuar në Prokurori edhe Ylli Xhaxhollari, pronari i lokalit “Viva”, vend ku sipas Tom Doshit u përgatit skenari për eliminimin e tij. Xhaxhollari ka thënë në prokurori se s’ka lidhje me akuzat e deputetit të Shkodrës. Sipas burimeve nga prokuroria Xhaxhollari, i cili ishte thirrur dje për të dëshmuar, është paraqitur sot pranë organit të akuzës dhe ka deklaruar se personat në tavolinën e fotografive që ka postuar Doshi, i njeh vetëm si klientë të lokalit. Ai ka mohuar çdo lidhje me çështjen “Doshi”. Xhaxhollari është futur në prokurori përmes tunelit të sigurisë së lartë. Ai është larguar prej andej i shoqëruar nga shoferi i tij. Xhaxhollari u përfshi në hetime pasi Tom Doshi publikoi në “Facebook” një foto ku ai ishte ulur në një tavolinë me ish­-kreun e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Eugen Beçi dhe Fatjon Skënderin.
Deputeti Tom Doshi pretendon se ka pasur një atentat ndaj tij dhe deri tani, e vetmja dëshmi që e mbështet atë është ajo e nipërve të tij dhe e ish-ministrit Dritan Prifti. Kurse, zyrtarët e lartë të shtetit, që dëshmuan më parë, kanë mohuar të kenë prova për këto atentate. Kështu që mbetet që dëshmitari i sotëm Fation Skënderi të zbardhë shumë pikëpyetje mbi atentatin e pretenduar ndaj deputetëve Doshi e Fufi.
FATION SKËNDERI MOHOI QË TË KETË LIDHJE ME ÇËSHTJEN “DOSHI”
Në një intervistë nga Gjermania, për një të përditshme në Tiranë, ‘Toni’ ka mohuar të ketë lidhje me çështjen “Doshi”, ndërsa i ka cilësuar akuzat ndaj tij si një skenar të fëlliqur.  “Me videoregjistrimin e transmetuar në sfondin e të cilit duken Durim Bami nga njëra anë dhe nga ana tjetër z.Tom Doshi që e pyet, jam njohur ditën që u transmetua në Tv. Jam çuditur dhe jam shokuar për përfshirjen e personit tim aty, si dhe për mënyrën e formulimit të asaj bisede, e cila nuk mund të jetë gjë tjetër përveçse një intrigë, të cilën unë e hedh poshtë me neveri. Dikujt i interesonte që Toni të vritej. I vdekuri nuk flet dhe merr me vete çfarëdo që t’i hedhësh dhe për këtë u zgjodh edhe videoja. Kanë menduar se Toni i vdekur nuk do fliste më.”-deklaroi Skënderi.
(er.nu/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb