Ish-nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, e sheh situatën në vend si dramatike pa qeveri dhe opozitë dhe ka bindjen se Kryeministri Rama dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, vijojnë paktin mes tyre. Në një intervistë për “Panorama”, ish-kryetarja e Parlamentit kërkon që të ndërhyhet me emergjencë, duke reformuar në mënyrë radikale forcat politike që kemi, ose duke krijuar lëvizje të reja që do të çojnë drejt formimit të forcave të reja politike. Topalli flet edhe për situatën në Shkodër, qytet i cili për disa mandate e zgjodhi si përfaqësuese të tij në Parlament, duke i cilësuar shou mbledhjet e opozitës dhe aksionet e Policisë dhe duke theksuar se reagimi qytetar mungon sepse shpresa ka humbur. Kohët e fundit në Shkodër ka pasur ngjarje të rënda kriminale.

Ju e njihni mirë atë qytet, pasi e keni përfaqësuar në disa legjislatura në Parlament. Përse ka arritur në këtë lloj degradimi dhe si e mendoni ju zgjidhjen?

Krimi dhe pasiguria mbizotëron sot kudo. Shqipëria po rrëshqet drejt dëshpërimit. Politika e frikës, e korrupsionit dhe e paaftësisëështë bërë epike në vendin tonë. Qytetarët dëgjojnë çdo ditë vetëm për vrasje, në një pjesë të madhe të stampës mafioze, dëgjojnë për rrëmbime personash, për marrje peng, për trupa të vdekur të gjetura pas shumë kohësh, për humbje të familjarëve, për trafiqe drogë etj. Qeveritarët ndërkohë dhunojnë çdo institucion dhe normë që i jep demokracisë një kuptim. Kjo është dëshpëruese. Shtuar kësaj faktin e një opozite të paqenë, kjo bën që njerëzit të gjejnë vetëm një zgjidhje:Të ikin. Por kjo për vendin është agonike.

Krerët e partive opozitare dhe deputetët e nisën sezonin e ripolitik nga Shkodra, duke zhvilluar atje një mbledhje të jashtëzakonshme për të vijuar më pas me Elbasanin dhe Durrësin. Si e gjykoni këtë akt të PD-së dhe aleatëve të saj?

Në këtë kuadër, Shkodra po vuan braktisjen, papunësinë e thellë, varfërinë e madhe dhe mungesën e shpresës. Sikur kjo të mos mjaftonte, krimi jo vetëm vret brutalisht si në skenat më të egra të filmave me mafie, por ai ndihet i paprekshëm. I paprekshëm se është i lidhur me pushtetin, por i lehtësuar edhe sepse nuk ka opozitëtë vërtetë. Në Shkodër bënë shou të dy palët. Dhe kjo është e patolerueshme. Natyrisht, qëkjo pastaj u pasua me indiferencën totale të qytetarëve të saj, të cilët kanë humbur besimin.

Ju personalisht, por edhe një grup tjetër ish-deputetësh dhe kontribuesish në PD keni ngritur pretendime në lidhje me drejtimin e PD-së nga Lulzim Basha. Si e vlerësoni gjendjen në PD në mandatin e dytë të Bashës si kryetari i saj?

Çështja e humbjes së besimit ndaj Lulzim Bashës është shumë më e gjerë. Rreth 250 mijë votues me votën e tyre të munguar shprehën mosbesimin ndaj Lulzim Bashës. Ata besuan se Lulzim Basha në marrëveshjen me Edi Ramën, shiti PD për disa drejtori me lekë dhe për 14 milionë eurot që i dha Kryeministri më pas. Ata besojnë në fakt, se kjo është vetëm maja e ajsbergut. Ata ndihen të tradhtuar nga pazaret e ulëta që vazhdojnë. Atyre iu premtua çdo vit se me protesta do rrëzonin qeverinë, por protestat nuk ndodhnin se “papritmas” vinin pushimet për Krishtlindje, pastaj festat e Pashkëve, pastaj vakancat e verës. Atyre iu premtua se do fillonin mosbindjen civile, por as kjo nuk u bë, bile as nuk filloi ndonjëherë. Iu premtua se do kalonin mbi trupin e Bashës e ministri i Brendshëm nuk do guxonte të hynte në zyrë. Demokratët u tradhtuan me çadrën, me Babalen, që për çudi nuk ndihet më,me Teatrin, për të cilin mezi cicërojnë më. Shtatori do ishte muaji i mbushjes së shesheve si në Rumani, por Lulzim Basha takohet vetëm ndër vedi, me grupin e tij të vogël të deputetëve në hotele luksoze të vendit. Në krah të tij ndihet ngrohtë me njerëz të përfolur pa fund për korrupsion (me ndonjë përjashtim të vogël).Nuk shkon në Parlament, por as nuk djeg mandatet. Flet kundra Ramës në TV, por ndërkohë të huajt tregojnë se Rama flet me shpesh në telefon me Bashën se me Fugën e tij.

A do të angazhoheni ju drejtpërdrejt në një projekt të ri politik jashtë PD-së apo do të ndërmerrni ndonjë aksion politik brenda kësaj partie?

Sot në Shqipëri nuk qeveris PS-ja. Dhe në opozitë nuk është PD-ja. Sot nuk ka parti të majtë dhe as të djathtë. Nuk ka as qeverisje dhe as opozitë. Sot pushteti dhe farsë opozita janë bashkë. Sot sundojnë 4 vetë, 10 oligarkë dhe disa banda kriminale. Ndërsa në opozitë janë njerëzit e thjeshtë. Ata që po ikin jashtë Shqipërisë, gjithë ata që mendojnë të ikin se nuk besojnë se me këtë klasë politike ndryshon gjë dhe ata që janë një shumicë e heshtur- ata janë opozita. Rama ka humbur çdo kontakt me realitetin, pavarësisht përpjekjeve të tij të dështuara për një PR tjetër. Pakënaqësia ndaj Ramës është rritur vrullshëm. Shqiptarët refuzojnë arrogancën e Ramës, padijen e tij për qeverisjen, korrupsionin e pakufi të qeverisë së tij. Shqiptarët refuzojnë që kryeministri i vendit të jetë njësh me oligarkët dhe aleat me krimin.

Për shkak të këtyre politikave të Edi Ramës ka një shpërthim të pabarazisë ekonomike. Është fatale që një numër krejt i vogël oligarkësh të kontrollojnë pasurinë e 98% të qytetarëve. Disa zhgërryhen në miliona e shumica e njerëzve jetojnë nën stresin e pamundësisë për të paguar energjinë, qiranë, dritat, shkollën e fëmijëve e bukën e gojës. Ndërkohë, pas një eksperimenti unik të pashoq, vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë e shpejt pa Gjykatë Apeli.

As në kohën e Enver Hoxhës kjo nuk ka ndodhur (formalisht). Mungesa e shtetit ligjor dhe padrejtësitë e mëdha sociale çojnë ose në shpërthime të pakontrolluara, ose në çimentimin e mafies në drejtim të shtetit. Në këtë situatë dramatike, opozita farsë e kësaj periudhe ka pjesën e saj të përgjegjësisë. Që gjërat të mos shkojnë edhe më keq, është emergjente të ndërhyhet. Ose duhen reformuar në mënyrë radikale forcat politike ekzistuese, ose duhen krijuar lëvizje të reja që të çojnë në forca të reja politike. Ajo që quhet opozita e sotme kishte detyrën dhe shansin t’i jepte alternativë vendit.

Për fat të keq, nuk e bëri. Lulzim Basha nuk përfaqëson as të djathtën, as të rinjtë. Ai sot është modeli i dështuar i një politikani të komprometuar. Ambiciet financiare të kryetarit vendosën interesin privat, personal mbi misionin dhe interesin publik që opozita duhet të ketë. Me qeverinë më të keqe të 30 viteve si kjo që është sot, opozita duhej ta kishte mundur që në mandatin e parë, disa herë Edi Ramën. Edi Rama do vazhdojë të sundojë në zonën e tij të komfortit, për sa kohë në krye të opozitës do të ketë Lulzim Bashën.

Me gjithë situatën dëshpëruese, unë besoj se ka rrugëdalje. Shqiptarët mund e duhet të bashkohen kundra 4 politikanëve të lidhur me 10 oligarkët, që sundojnë mbi fatin e jetës së tyre. Shqiptarët rrëzuan diktaturën më të egër para 20 viteve. Po si mund të besoj unë se ata nuk do rrëzojnë Edi Ramën. Ka një të vërtetë për sot e përgjithmonë: Nëse një politikan komprometon veten me kundërshtarin, ai nuk ka shans ta mundi atë. Dhe në fakt, ai nuk i hyn në punë askujt as sot, as nesër. Vendi ynë ka plot njerëz të ndershëm, të papërlyer, ka të rinj idealistë, ka burra e gra guximtare që duan të ndërtojnë jetën në tokën e tyre. Ata do ta rrëzojnë Edi Ramën bashkë me mikun e tij të mirë Lul! / Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb