NGA VALENTINA MADANI*

TIRANE-Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli nuk tërhiqet nga kritikat e herëpashershme në adresë të kryetarit të partisë, Lulzim Basha, sipas së cilës, modeli i tij nuk është premtues për opozitën dhe shqiptarët. Ajo shprehet e pakënaqur nga Basha, ndërkohë që rolin e ish-kreut të PD-së, Sali Berisha, e konsideron si thelbësor për ruajtjen e ekuilibrave.

Gjatë një interviste për “7 pa 5” në “Vizion Plus”, Topalli theksoi se në Partinë Demokratike ka debat, dhe kjo lidhet me mënyrën e të bërit opozitë, që sipas saj nuk është në lartësinë e duhur. Ajo thekson se mendimet e saj i ka thënë edhe në forumet e partisë si dhe ia ka shprehur edhe vetë kryetarit demokrat. “Natyrisht që është një mangësi dhe ai (Lulzim Basha) e ka përsëritur vazhdimisht që, ‘nuk e fsheh që do të doja të isha në parlament, sepse partia në opozitë është grupi parlamentar’.

E imagjinoni nëse Sali Berisha nuk do ishte në parlament ku do ishte opozita sot? Në këtë kuptim, edhe pse nuk është në karrigen e kryetarit të partisë, ai (Sali Berisha) vazhdon t’i japë një kontribut të jashtëzakonshëm opozitës dhe interesit të qytetarit në tërësi”, – u shpreh Topalli. Ajo shtoi më tej: “S’jam aspak e kënaqur me mënyrën e të bërit opozitë nga Partia Demokratike, por kjo vjen edhe për shkak se kryetari i partisë mungon në parlament. Ndërsa, Sali Berisha ka një rol thelbësor për opozitën në mbajtjen e peshës së debatit në parlament”.

Ajo sqaroi edhe arsyet e mungesës në protestën e grave demokrate javën e kaluar, duke u shprehur se opozita në radhë të parë duhet të ngjallë shpresë në popull dhe më pas të organizojë aksionin e saj. “T’ua lëmë OJQ-ve atë që bëjnë OJQ-të dhe forcat politike të bëjnë lëvizje dhe aksione politike të cilat japin mesazhe serioze, të forta dhe me impakt te gruaja dhe te shoqëria. Por çdokush ka modelin e vet. Unë do kisha preferuar një model tjetër, një stil tjetër. Unë ndoshta e kam gabim. Duke e njohur partinë, e di se ku është thelbi, dhe unë shkoj herë pas here te seksionet, te grupseksionet. Aty gjej njerëz që thonë ‘bëni diçka’, ‘ne po vuajmë’, ‘ne jemi pa asnjë të ardhur’, ‘ne jemi pa asnjë mundësi’, ‘bëni diçka, ne jemi gati për protesta’”, – deklaroi Topalli.

Lidhur me pasojat që mund të kenë për të këto qëndrime, deputetja demokrate pohoi se gjithmonë ka qenë dhe do të jetë vetvetja. “Kjo është llogari politike, unë nuk kam bërë kurrë në jetën time llogari politike. Unë kam thënë dhe kam vepruar sipas besimeve të mia. Jo më kot e kam thënë: Duhet të jesh i ndershëm! Për të qenë i ndershëm duhet të jesh i vërtetë, dhe për të qenë i vërtetë duhet të jesh vetja jote. Unë kam qenë vetja ime; i pëlqen apo s’i pëlqen, kryetarit, politikanit, kundërshtarit apo qytetarit, kjo s’më intereson”, – deklaroi Topalli.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: