TIRANË- Situata në vend, arrestimet për energjinë, rastet e dhunës së policisë ndaj qytetarëve, kanë qenë kryefjala e deklaratave të deputetes së Partisë Demokratike, Jozefina Topalli. Ish-kryetarja e Parlamentit deklaroi se frika dhe terrori kanë përfshirë vendin. Topalli tha se ajo që po ndodh me energjinë elektrike është e paimagjinueshme, ndërsa është ndalur tek rastet e dhunës së policisë ndaj qytetarëve.

“Heshtje e madhe, aq sa duket sikur jemi në meshë prej disa orësh. Ka kohë që mungon kryeministri, kryetari i kuvendit dhe ministrat. Dhe ne duhet të bëjmë sikur s’po ndodh asgjë. Por ky është fillimi. Mafia është heshtje. Ajo që ndodhi me vendin tonë ishte e pabesueshme, 2 vite më parë. Nuk e kam fjalën për shpërthimet me tritol, as për tritolet e Ramës për banesat nga veriu në jug. As për numrin e shumëfishuar të vrasjeve. Pritni, pritni se s’keni parë gjë akoma. Prandaj heshtni. Një atmosferë mbytëse, frike terrori ka përfshirë vendin që duket sikur ka humbur rrugë. Terror ajo që po ndodh me energjinë elektrike. Opozita duhet të ngrihet fuqishëm. Rasti i Tomi Mishës që edhe pse kërkoi falje disa herë u rrethua nga policët, që kur ka tritol dhe vrasje nuk janë kurrë aty. Por për qytetarin kishte jo një por disa policë. Cili ishte urdhri që mori polici për qytetarin, shuplaka, grushte, rrahje. Cila ishte përgjigjja e Ramës për rastin e dhunës, faleminderit. Cili ishte reagimi i shefit të madh, dhuna në qeli. Ju ministra, brutaliteti, masakra, tortura që kreu shteti mbi trupin e korçarit ndodhin vetëm në kohën e baballarëve tuaj. Shteti policor ja theu brinjë, ja shkuli shpatullën të riut korçar. Dy janë arsyet kryesore pse jam në këtë anë dhe pse jam në politikë: E para vetëm për shkak të historisë së familjes, fjala burg, ishte një nga arsyet që jam këtej.
Në 1 vit e gjysmë nuk kam dëgjuar fjalë më të përsëritur se fjala burg. Nuk ju bëjnë përshtypje 38 mijë shqiptarë në burg. Cilët janë në burg, më të varfrit, më të pamundurit. Ajo që po ndodh standard i vendosur nga ky regjim. Ajo që jetojnë njerëzit sot, është frikë, pasiguri terror. Ajo që ndiejmë është ora e përmbytjes së lirive. Dhe kjo është arsyeja e dytë që jam në këtë anë, janë të drejtat dhe liritë e njeriut. Nuk ju dhemb ju, apo ju bëjnë me qesh ato nëna, ato të moshuara që përfundojnë në spital, kur kanë parë faturën abuzive 4 milion lekë. Është terror ajo që po bëni me energjinë. Kemi përgjegjësi dhe ne si opozitë. Nuk e di si e mendoni ju. Po të keni një dozë minimale humanizmi do ta mendoni pak dhe nuk do të qeshni më. Rasti tjetër i Kavajës, rasti me gruan në Tiranë. Brutaliteti mbi Tomi Mishën, më kujton torturat mbi Ilir Kumen. Ajo që kemi dëgjuar se ka ndodhur në fshatin Guri i Zi Shkodër, është një tjetër ngjarje e rëndë. Babain që e lidhi energjinë për ti dhënë oksigjen fëmijës. Kjo nuk ka ndodhur askund. Çfarë do bëje ti kryeministër po të ishe në vend të Naim Dylit. Apo do i thoshe tani vjen era shtet. Kjo është mizori. Opozita duhet të jetë më fuqishme, duhet të veprojë dhe ti japë shpresë njerëzve. Ti zoti Rama ke dështuar, jo vetëm se nuk ke mbajt asnjë premtim. Ke dështuar në ekonomi, duke e çuar vendin në zgrip. Ke dështuar në rend dhe siguri. Ti kryeministër ke tradhtuar vendin dhe socialistët. Ty do të rrëzojnë gratë, nënat, motrat e atyre njerëzve, bijat e baballarëve që ke çuar në burg”, tha Topalli.

Por nga ana e maxhorancës është kundërpërgjigjur Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, e cila solli në vëmendje fotot e disa prej protestuesve të 21 janarit të dhunuar. Felaj tha se deputetët e opozitës nuk kanë legjitimitetin të flasin për dhunën, pasi asnjë prej tyre nuk mbrojti qytetarët më 21 janar.

“Fytyra e dhunës është në fjalën tuaj zonja Topalli që sa flisni. Kur flet për dhunën, duhet të kesh legjitimitetin të flasësh për dhunën. Në ngjarjet e 21 janarit, nuk pamë asnjë prej jush që të mbronte qytetarët.
Kjo është një zonjë (Demonstron foto) që u dhunua pas protestës së 21 janarit. Ky është një tjetër që ka përfunduar i dhunuar. Shikojeni dhe këtë tjetrin, njerëzit e thjeshtë që u masakruan më 21 janar. Shikoji dhe pastaj flasim nëse duhet të flisni ju për dhunën. Dhuna e ushtruar gjatë një dite të vetme. Shihini mirë plagët e këtyre njerëzve, për të kuptuar dimensionin e fjalës dhunë. I përmenda këto për të kuptuar se politika juaj vijon të mbetet një politikë e paprinciptë, sepse në themel ka dhunën. Po i tregoni shqiptarëve se jeni të pazotë”, tha Felaj.
Ndërsa në replikë Topalli i ka kërkuar ministres Felaj që fotot t’ia tregojë Kreut të Kuvendit dhe Kryeministrit Rama. “Se kam me zonjën, sepse është një nga të dhunuarit, se i kanë marrë peng burrin, kur ishte prokurore. Je ish-prokurore, nuk të dëgjova të flisje për njerëzit që kanë çuar në burg prokurorët. Vajzën që vari veten në qeli. Mbylle gojën se po flas unë këtu. Mendoj se ato foto duhet t’ia çosh Ilir Metës dhe Edi Ramës. Ti zonjë je një shërbyese e pakondicionume. Merri ato foto, që janë të dhimbshme, çoja Ilir Metës, Edi Ramës, cili është morali i kësaj maxhorance. Merri dhe çoja. E di pse jemi këtu, sepse kjo është aleanca që ka bërë politika shqiptare. Ky është kolapsi i demokracisë”, tha Topalli.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb