TIRANE- Ish kryeparlametarja Jozefina Topalli në një status të sajin në Facebook, uron Voltana Ademin për rezultatin e zgjedhjeve, por shpreh trishtimin për humbjen e PD-së në shkallë Republike.

Basha deklaroi se këto zgjedhje ishin një hap i madh drejt ringritjes së kësaj force politike, duke rritur mbështetjen popullore. Por ndryshe nga ai, Topalli pranon se PD-ja në këto zgjedhje nuk ka pësuar rritje, por ka humbur dhe se harta e Republikës është veshur e gjitha mavi.

“Mbrëmë pas mesnate shumë të rinj më uronin pas nxjerrjes së rezultatit përfundimtar për Shkodrën. Ato kishin qenë edhe komisionerë dhe me të drejtë ishin aq të lumtur që ia kishin dalë me një rezulat pozitiv për qytetin tonë të dashur. I njoh personalisht këto të rinj e të reja, e di sa idealistë janë, sa i shkëlqen fytyra nga shpresa për jetën edhe pse shumë janë të papunë, e di sa shumë kanë punuar, e mbi të gjitha e di sa borxh i kemi këtij brezi. E kuptoj se duke qenë me ditë të tëra të përfshirë në procesin e numërimit ndoshta nuk kanë ndjekur rezultatet në gjithë Shqipërinë, ndoshta mbrëmë ishin aq të gëzuar sa nuk kujtoheshin për rezultatet në tërësi, ndoshta ndonjëri kishte lexuar me titra ose kishte dëgjuar se në shkallë Republike, PD kishte bërë hap para, apo se kjo ishte fitore. Një tjetër jo i ri me tha: A të kujtohet ’91? Edhe atëherë ishte pothuaj vetëm Shkodra…dhe ..shtoi …”por….në atë kohë ishte kohë idealesh, në atë kohë kishte shpresë..në atë kohë .”….dhe nuk e zgjati se krahasimi e pa se nuk shkonte. Unë me shpirt i përgëzova të rinjtë dhe po ashtu falenderoj qytetarët e Shkodrës, demokratët, komisionerët, numëruesit, vëzhguesit dhe i uroj suksese e punë të mbarë Voltana Ademit”,-shkruan Topalli.

Ndër të tjera Topalli thotë se përkah gëzimit për Shkodrën qëndron edhe trishtimi për rezultatin në shkallë republike, “Por unë jam e trishtuar për rezultatin në shkallë Republike. Më mirë se kushdo tjetër e di sa e vështirë është të jesh në garë kur vota blihet, kur bandat intimidojnë e frikësojnë. Por këtë e dinim, që nga qershori i 2013 dhe më pas në zgjedhjet e Korçës kur u pa me zë dhe figurë si blihej vota. Zgjedhjet e 21 qershorit 2015 nuk plotësuan standartet , por edhe kjo nuk është se na zuri gafil. Ne nuk kemi fituar, dhe as kemi bërë hap të madh përpara”.

“Nëse diferenca është ulur tek kandidatet ajo ka ardhur se vërtetë kemi shtuar vota, por kryesisht se ASHE ka humbur më shumë se kemi shtuar ne. Por edhe tek vota e kandidateve ne jemi minus 11%, apo minus 169 mijë vota. Ne kemi humbur në shumicën absolute të bashkive. Harta është pothuaj krejt mavi dhe si PD kemi 20%, ndërkohë si koalicion jemi me minus 482 mijë vota.

“PD ka një betejë të vështirë përpara. Por PD duhet të shikojë më shumë nga vetja”,- shton Topalli.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: