Nga: VALENTINA MADANI*
TIRANE – Ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli fton shqiptarët të bëhen zot të fateve të veta e mos ta lënë vendin në duart e atyre që i cilëson si bandat kriminale të qeverisë “Rama”. Topalli e sheh me shqetësim situatën aktuale në vend ku sipas saj pasiguria u shtohet përditë shqiptarëve ndaj dhe shpreh nevojën e një prijësi që t’i udhëheqë shqiptarët në betejën “me mafian në pushtet”. “Njerëzit duan që dikush t’i prijë! T’i prijë kundër kleptokratëve që trajtojnë shtetin dhe pushtetin si një plaçkë e majme për vete e miqtë e tyre, kundër funksionarëve të korruptuar e të pashpirt që kërcënojnë me pranga njerëzit e thjeshtë dhe rrjepin qytetarët e tyre, kundër një klike narkotrafikantësh që pret e hap rrugët e drogës me avion, kundër rrjeteve mafioze me garanci qeveritare që në mes të syve të të gjithëve hapin kombinatin e drogës së partisë në Elbasan, kundër ministrit që lë të lirë killer serial e që fut në burg njerëz të thjeshtë e të pafajshëm, kundër klikës që pasi i ka mashtruar për shërbim shëndetësor falas dhe ka katandisur spitalet në tmerr, quan ‘fortunë në gotë’ ngacmimin seksual të një vajze të pandjenja brenda vetë urgjencës; kundra mafies në pushtet, kundra mafies që ka kapur vendin! Shqiptarët janë forca, e vetmja që duhet t’i dalin zot vetes, familjes së tyre, vendit të tyre! Vendi është në rrezik dhe koha nuk pret”, – shkruan Topalli në një postim në rrjetin social “Facebook”. Deputetja e PD-së denoncon gjithashtu lidhjet e forta sipas saj të qeveritarëve me bandat kriminale dhe mbulojën politikë që e majta në pushtet po u bën trafikantëve.
“Tronditëse janë lidhjet familjare të gjithë anëtarëve të grupit me organizatën kriminale ‘Hakmarrje për Drejtësi’ dhe lidhja e këtyre të fundit me vetë Ramën. Tronditëse është laboratori i kokainës mu në hundën e të gjithëve, dhe po të mos ishte për gjermanët çdo gjë do vazhdonte njësoj si prej një viti. Të gjithë e dimë se një trafik i tillë nuk ndodh kurrë pa mbulojë politike, nuk ndodh kurrë pa garancinë e qeveritarëve”, – shprehet Topalli. Sipas saj “kjo nuk është thjesht tronditëse, kjo është emergjenca kombëtare ‘Vendi në rrezik’”, – shkruan deputetja e PD.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: