Samiti i Berlinit u thirr kryesisht për dialogun Serbi-Kosovë dhe si dëshmi e forcimit të boshtit franko-gjerman dhe në rajonin tonë. Ndërsa për negociatat lidhur me anëtarësimin tonë në BE nuk mund të flitej, pasi ende nuk ka dalë raporti i Komisionit Evropian me rekomandimin përkatës. Veç kësaj, për arsye të njohura, Presidenti Macron nuk pranon që emri “zgjerim në Ballkan” të përmendet të paktën deri në përfundim të zgjedhjeve evropiane të 23-26 majit. Shkak tjetër kryesor pse në Berlin nuk mund të flitej në terma konkretë ishte se sipas disa burimeve të besueshme, do të jetë tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur që në qershor të ketë një vendim për çeljen e tyre. Kjo mund të ndodhë me shumë gjasa në shtator/tetor.

Larg politizimeve dhe akuzave politike e partiake, me avantazhin si ish-diplomat me përvojë të gjatë në Bruksel deri kohët e fundit, le ta shohim këtë aspekt nga ana praktike.

Mosmarrja e vendimit të shumëpritur këtë qershor, me përjashtim të ndonjë mrekullie politike, si psh., fitore të forcave tradicionale në zgjedhjet evropiane ka të bëjë me pamundësinë praktike dhe organizative të vendeve anëtare të BE-së, për shkak të procedurave që nuk lëvizin “sikur nami të bëhet!”.

Fillimisht, Komisioni Evropian do të publikojë Raportin e tij të Progresit me rekomandimin për negociatat më 29 maj. Mirëpo, periudha e mbetur prej gati tri javësh deri në takimin e Ministrave të Jashtëm e pastaj të Këshillit Evropian në qershor është shumë e shkurtër për shqyrtimin e tij në instancat përkatëse qeveritare të çdo vendi anëtar. Por, puna nuk mbaron me aq; në vijim, opinioni i secilit vend, sidomos i atyre skeptike do të kalojë për shqyrtim në komisionet përkatëse dhe në seancën plenare të Parlamenteve të tyre; shto këtu dhe klimën politike pas zgjedhjeve evropiane, me pasojat e tyre, sidomos nëse rezultatet e tij do të jenë zhgënjyese për forcat tradicionale pro-evropiane. Për pasojë, dhe në rastin më të mirë, do të jetë tejet e vështirë për këto parlamente, ku asnjë parti nuk ka shumicën që të dalin me një vendim përpara vjeshtës, duke pasur parasysh edhe axhendat e ngarkuara në prag të pushimeve verore.

Vetëm pas kësaj, opinioni i secilit vend anëtar do të përcillet për shqyrtim të mëtejshëm në forumet përkatëse të BE-së në Bruksel, duke filluar nga Grupi i Punës i Ballkanit Perëndimor (COËEB) deri te Këshilli i Ambasadorëve të Vendeve Anëtare të BE-së (COREPER); mbi këtë bazë jepen rekomandimet për ministrat e Jashtëm e këta të fundit Këshillit Evropian për vendimin përfundimtar.

Kësisoj dhe në kushte normale, vendimi i Këshillit Evropian për çeljen e negociatave mund të jepet duke filluar nga muaji shtator. Veçse këtu nuk ka kurrfarë drame; është normale një shtyrje disamujore, kur në fakt kemi humbur dy dekada për faj të klasave tona politike. E rëndësishme është që edhe në këtë rast, negociatat mund të çelen brenda këtij viti ose maksimumi në tremujorin e parë 2020, në prag dhe të Samitit të Zagrebit.

Ndaj, sfida më e madhe tani nuk është kjo shtyrje fare e vogël kohore, por që vendimi në fjalë të bëhet realitet. E themi këtë, për shkak të disa problemeve dhe pengesave serioze, të jashtme dhe të brendshme, mostrajtimi efektiv i të cilave mund ta zgjatë edhe më tej çeljen e tyre, kryesisht për fajin tonë.

Faktori i jashtëm kryesor e që nuk varet prej nesh është klima dhe rezultati i zgjedhjeve evropiane, sidomos për Francën, Holandën, Danimarkën, Gjermaninë e ndonjë tjetër, të cilat janë vendimtare për çeljen e negociatave. Këtu nuk është thjesht çështje shifrash statistikore, por mbi të gjitha ndjeshmërish dhe perceptimesh për vendet anëtare dhe elektoratet e tyre. Të mos harrojmë se krahas Komisionit dhe Parlamentit Evropian, BE-ja përfshin, madje në radhë të parë të 27 vendet anëtare; madje këto të fundit kanë dalë edhe më në pah këto kohët e fundit; së shpejti, prirja “ndërqeveritare” në BE pritet të mbizotërojë atë “supranacionale”.

Ndaj, kërkohet kujdes kur i fryhet më tepër se ç’duhet propagandës me Komisionin dhe Parlamentin Evropian e ca më keq me protagonistë pa ndonjë peshë të ndjeshme në elektorate, me gjithë rëndësinë e tyre. Por, edhe në diferencimet lidhur me qëndrimet e vendeve anëtare kërkohet kujdes nga politikanët, sepse vërtet ka segmente dhe forca politike që na mbështetin, por ka edhe të tjera që janë kundër dhe mezi presin “të hakmerren”. Për fat të keq, edhe partitë “simotra” socialiste të mazhorancës sonë janë në pushtet vetëm në pesë vende anëtare, madje edhe aty në pakicë, përfshirë edhe SPD-në, Gjermaninë me problemet e veta, ndërsa në Francë, Greqi, Holandë dhe Danimarkë kanë peshë minimale në vendimmarrje.

Megjithatë, qëndrimet e shteteve apo grupimeve të caktuara skeptike ndaj nesh nuk ndryshojnë, duke i anatemuar e stigmatizuar, apo duke i bërë karshillëk, por vetëm me punë e përpjekje më të mëdha nga ana jonë, me qëllim që edhe gjatë këtyre pak muajve e më tej të ndryshojë sadopak për mirë imazhi dhe perceptimet e tyre ndaj nesh, që edhe pse ka raste kur nuk i përgjigjen realitetit dhe shifrave, janë sërish vendimtare në këtë proces.

Vijmë kështu te fronti ynë i brendshëm me sfidat e tij madhore. Veç aspekteve të tjera të përmendura në Berlin, Shqipëria po ballafaqohet me dy kriza serioze dhe kritike për fatin e çeljes së negociatave. Është djegia e mandateve parlamentare të opozitës tradicionale, e shoqëruar me protesta nëpër sheshe dhe rrugë, acarimi i të cilës mund të kthejë mbrapsht edhe arritjet e deritanishme, duke shtyrë në kalendat greke dhe anëtarësimin tonë në BE. Ndërkohë, po na trokasin te porta zgjedhjet lokale të 30 qershorit, që edhe në situata normale do të kishin ndikimin e tyre për çeljen e negociatave, e ca më tepër me problematikën e tyre të nxehtë. Mirëpo edhe zhvillimi i tyre sado i mirë pa opozitën tradicionale, le më pastaj me variantet më të këqija të mundshme, do të kompromentonte edhe më rëndë dialogun pozitë-opozitë dhe parimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Dihet se këto dy të fundit janë kushte dhe kritere jetike për negociatat dhe të gjithë procesin e anëtarësimit në BE.

Veç sa sipër, ekziston mundësia që këto dy kriza konfliktuale me pasojat e tyre të shfrytëzohen dhe nga ndonjë vend i caktuar anëtar i BE-së, që me “elegancë” të heqë dorë nga pretendimet e mëparshme dhe të tregojë gishtin pikërisht te problematika ulëritëse e këtyre dy komponentëve jetikë të demokracisë te ne.

Po qëndrimet tona rajonale, sidomos lidhur me dialogun Serbi-Kosovë dhe mosdistancimi ynë zyrtar ndaj tezës ogurzezë të ndryshimit/këmbimit të kufirit? A e parë që në Berlin nuk na përmendën më si më parë për mirë për qëndrimet tona të moderuara dhe konstruktive rajonale; kjo edhe për shkak të pohimeve/ deklarimeve tona të bujshme të tipit nacionalist, që vetëm se i ngatërrojnë më shumë punët. Këto janë minuse politike dhe diplomatike që mund e duhet të kthehen sa më parë në pluse pozitive.

Ja përse në këto kushte, gjatë muajit shtator, por edhe më tej, krahas punës dhe demarsheve me institucionet evropiane, vëmendja kryesore e politikës, Parlamentit, Kryeministrisë, Presidencës dhe diplomacisë sonë zyrtare lipset të fokusohet te organizimi i një fushate të fuqishme me ture lobuese në vendet skeptike ose të lëkundura, veçanërisht me parlamentet dhe mediat e tyre, veçse pa zhurmë, kujë e bujë. Krahas mesazheve të qarta dhe pozitive nga Presidenca e Kuvendi, kërkohet në radhë të parë intensifikimi i diplomacisë parlamentare, sidomos i grupeve të miqësisë me vendet përkatëse, duke filluar nga Holanda; së bashku me burimet dhe kapacitetet tona të shumta të diplomacisë publike, kulturore dhe qytetare jashtë vendit. Të shoqëruara doemos me rezultate konkrete në reformat në fushat e drejtësisë, rendit, sigurisë, luftën kundër krimit e korrupsionit etj.

Tejet e rëndësishme në këtë drejtim është gjuha e kulturuar dhe diplomatike e politikanëve dhe drejtuesve tanë. Etiketimet, stigmatizimet dhe fajësimi i të tjerëve për gjynahet tona janë kundraproduktive dhe vetëm se e vështirësojnë më shumë problemin. Nëse duan vërtet çeljen e negociatave, drejtuesit tanë më të lartë duhet të tregohen më kokulur, më modestë dhe me “këmbë në tokë”, pa u dhënë mend të tjerëve, sepse jemi “ende në radë”, gjithashtu të shprehemi me gjuhë pozitive, duke kërkuar në radhë të parë nga vetja e pastaj nga të tjerët. Natyrisht, sugjerimet dhe rezervat që mund të kemi ndaj gjithkujt duhet t’i shprehim, por në kanalet dhe mënyrat e duhura diplomatike, duke shprehur ndërkohë edhe mirëkuptimin tonë për problemet dhe vështirësitë e të tjerëve; ashtu si kanë vepruar edhe ata me ne këto tri dekadat e fundit, edhe kur “ua kemi sjellë në majë të hundës”. Gjuha, deklarimet dhe sjellja politike/diplomatike ndaj Holandës tani së fundi, një prej bashkëthemeluesve të BE-së dhe mbështetëse e fuqishme e vendit tonë është shembulli më i qartë se si nuk duhet të sillemi me partnerët tanë evropianë. Bismarku i hekurt këshillonte politikanët që “sillu mirë, shkruaj në mënyrë diplomatike, se edhe në një deklaratë lufte respektohen rregullat e mirësjelljes”.

Siç është përmendur edhe më parë, me gjithë mungesat dhe mangësitë, jo të gjitha për faj të saj, Ministria e Jashtme dhe përfaqësitë tona diplomatike, e sidomos ambasada dhe misioni ynë pranë BE-së në Bruksel kanë qenë në lartësinë e detyrave të ngarkuara. Ndihma dhe mbështetja ndaj tyre, pa lenë pas dore dhe Konsujt e Nderit, mbetet përparësi dhe përgjegjësi e drejtuesve më të lartë të politikës dhe diplomacisë sonë përpara targave dhe pasaportave diplomatike apo dhe denoncimit publik jobindës të “pellgjeve dhe çerdheve të nepotizmit, tarafeve e krushqive” në diplomaci, sepse pikërisht në këto momente vendimtare, ato ndikojnë negativisht në imazhin dhe efektivitetin e diplomacisë sonë zyrtare jashtë vendit. Kjo temë është trajtuar gjerësisht në shkrimin e mëparshëm “Të ndajmë shapin nga sheqeri diplomatik”.

Ja pse me terma futbolli mund të thuhet se “topi i negociatave” po luhet fort në portën tonë. Na mbetet vetëm ta përdorim mirë dhe të luajmë me kujdes, vetëm kështu shtyrja pothuajse e sigurt e çeljes së negociatave mund të kthehet në faktor pozitiv; së fundi, ka ende kohë të mjaftueshme për të qenë vërtetë bindës te të gjithë, veçse me hapa dhe arritje të reja pozitive deri në vjeshtë./Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb