TIRANE-Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, shprehet se Andi Seferi është nënkryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ka nisur punën që dy ditë më parë. I pyetur nga gazeta “Panorama” në lidhje me zbatimin e marrëveshjes me Partinë Socialiste për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, kreu i FRD-­së shprehet se grupi negociator po punon për zbatimin e saj dhe gjithçka po ecën hap pas hapi.

“Nënkryetari është anuncuar, Andi Seferi ka qenë në punë dhe ka pasur arsye njerëzore që nuk ka qenë prezent një ditë më parë. Zbatimi i marrëveshjes do të përfshijë përfaqësimin tonë në këshillin e qarkut, në nënkryetarët e Bashkisë, nga drejtoritë dhe në administratë në proporcion me rezultatin
tonë”, tha Topi.

Sipas tij, marrëveshja me Partinë Socialiste për të qenë pjesë e qeverisjes vendore, shtrihet në të gjithë territorin e kësaj bashkie.
“Ka një grup negociator që po merret me implementimin e marrëveshjes. Gjithçka po ecën normalisht. Është një situatë që po ecën hap pas hapi dhe që kërkon kohën e saj për t’u zbatuar. Marrëveshja në Bashkinë e Tiranës shtrihet për të gjithë territorin ku ne kemi konkurruar”, u shpreh për gazetën
“Panorama” kreu i FRD­-së.

Fryma e Re Demokratike ka marrë një nga katër nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës dhe pritet që ajo të përfaqësohet edhe në rang drejtorësh në këtë bashki. Dy ditë më parë, kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi 24 administratorët e kësaj bashkie, të cilët do të drejtojnë
minibashkitë dhe komunat e mëparshme që i janë bashkuar bashkisë së madhe.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: