Gjatë një interviste në emisionin “Vila 24” në News 24, kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi ka përjashtuar çdo mundësi për t’u bashkëpunuar me ish-kryeministrin Sali Berishën. Ai shpjegoi për herë parë arsyen e çarjes së tij me Partinë Demokratike.

“Unë e kam shumë të vështirë të prishem për arsye personale. Po e them për herë të parë po e them se jam prishur për arsye shtetërore. Në prill 2008 Sali Berisha dhe Edi Rama arritën një akord në dëm të shtetit, ndryshimet kushtetuese. Gjithë ajo klimë tensioni bëri atë që unë të krijoja distancimin, pozicionimin. Njeriu pavarësisht se bën debate të forta shtetëtore, i ruan marrëdhëniet njerëzore, gjë që nuk ndodhi nga krahu tjetër. Ndryshimet erdhën menjëherë pas Gërdecit. Opozita e asaj kohe mendoi se pushtetin e kishte shumë të afërt. Ish kryeministri e shfrytëzoi për të fuqizuar pushtetin e tij ekzekutiv. Nga ky moment pastaj nisi një betejë e vendosjes së pushtetit politik mbi shtetin. Kjo ishte arsyeja që unë jam distancuar” tha Topi.

Kryetari i FRD gjithashtu rikonfirmoi se nuk e lidhte më asgjë me deputetin e PD-së Sali Berisha.

“Në këtë botë gjërat janë relative. Dëshiroj të rikonformoj një deklaratë që e kam bërë vite më parë. Me personazhin në fjalë që ishte kryeministër, asgjë nuk do të mund të më bashkojë në këtë Botë. Ai doli nga shtrati i marrëdhënieve normale dhe rrëshqiti totalisht në deklarata që njeriu për asnjë arsye nuk i bën”.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: