“Kur isha 5 vjeç dëshiroja shumë të bëhesha portier si im vëlla, të cilin e shihja si idhull. Por një ditë u ktheva në shtëpi me një dhëmb të thyer dhe mamaja më tha: “Nëse do të vazhdosh të luash futboll, harroje të bëhesh portier”. Fernando Torres nuk e dinte se nga ai çast për të do të hapej një horizont i ri, pasi në 25 vitet që do të pasonin, spanjolli do të regjistronte 250 gola, 8 tituj të fituar dhe 700 ndeshje zyrtare në karrierë.
Sulmuesi i Milanit në moshën 30- vjeçare është një lojtar që ka fituar gjithçka, por kur në prag luhet një derbi si ai kundër Interit, ish-lojtari i Çelsit nuk i fsheh dot emocionet: “Kjo ndeshje më emocionon. Kur shkela në aeroport, tifozët më kërkuan një gol kundër zikaltërve dhe nuk dua t’i zhgënjej”.
Jemi në prag të derbit, si e përjetoni këtë sfidë?
Janë ndeshje që zgjasin gjashtë muaj, kjo ndodh në çdo skuadër. Unë gjatë karrierës time kam shënuar në shumë sfida të tilla, shpresoj ta përsëris edhe në Itali.
Goli ju mungon nga ndeshja kundër Empolit, si e keni menduar ta zgjidhni këtë problem?
Nëse ndeshja përfundon pa gola dhe ne kemi krijuar 5 raste është një shenjë e mirë, por nëse ekipi nuk arrin të krijojë mundësi për të shënuar, tregon se ka një problem. Sidoqoftë tani ka ardhur koha që të shënojmë ne sulmuesit, nuk mund të bëjë gola vetëm Honda.
Kur erdhët në fillim, zbuluat se objektivi juaj ishte të shpalleshit golashënuesi më i mirë i kampionatit, kanë ndryshuar planet?
Jo, ky është objektivi im. Milani më ka marrë për të shënuar sa më shumë gola. Të realizoj gola është zanati im, pasi në të kundërt do të vinte një sulmues tjetër dhe do të luante ai sot dhe jo unë.
Ndieni shumë presion në Milano?
Çdokush është i lirë të krijojë një mendim për mua. Por dua të sqaroj diçka, rendimenti im varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ai i skuadrës, pra nëse ekipi funksionon, edhe unë paraqitem mirë, nëse skuadra nuk funksionon, nuk arrij dot as unë të shënoj shumë gola. Në futbollin e sotëm nuk ka më individualistë.
A jeni i vetëdijshëm që tifozët e Milanit i mbështesin te ju shpresat për të fituar derbin?
Kjo më ka ndodhur edhe kur luaja tek Atletiko. Tifozët prisnin shumë nga unë edhe pse isha shumë i ri. Për fat të mirë kisha një trajner si Aragones, të cilin e adhuroja dhe falë tij jam rritur në mënyrën më të mirë të mundshme. Në fund të fundit, te Milani ndodhem në një situatë të ngjashme. Në periudhën kur luaja tek Atletiko, klubi ishte në krizë dhe kishim shumë presion mbi supe. Edhe te Milani situata është e ngjashme, pasi ekipi duhet të rikthehet shpejt në Europë, por ringritja kërkon kohë.
Por a mendoni se historia dhe prestigji i Milanit mund të pajtohen me fjalën “kohë”?
Futbolli është me cikle, Kombëtarja spanjolle është shembulli më i mirë për këtë që po them. Do të vijë sërish dita kur Milani do të jetë në majën e futbollit dhe Atletiko disa shkallë më poshtë. Ky është një klub i madh dhe e ka në ADN dominimin në Evropë.
Po për Berluskonin, çfarë mund të na thoni?
Është një president i jashtëzakonshëm. Adhuron të flasë për futboll dhe gjithmonë na këshillon për lëvizjet që duhet të bëjmë në fushë sikur të jetë trajner. Për mua, Berluskoni është një president unik, nuk kam pasur kurrë të bëj me një president si ai.
Rikthehemi edhe një herë te derbi ku si kundërshtar do të gjeni Roberto Mançinin. Kur luanit për Liverpulin në vitin 2008, goli juaj kundër Interit në “San Siro” vulosi dhe fatin e Mançinit në stol, si e kujtoni?
Po, e kam lënduar, por dua të sqaroj faktin se nuk kam gjë kundër tij (qesh). Mënjanë shakatë, Roberto është një trajner i shkëlqyer, por nuk do ta kursej nëse do më jepet mundësia t’i shënoj në derbi.
A mund të luani së bashku me Manez?
Sigurisht që po, të gjithë mund të luajmë me njeri-tjetrin.
Ju mungon Premier Liga?
Jo, gjashtë vite janë të mjaftueshme. Kampionati anglez është i shkëlqyer, por janë edhe ata që dinë shumë mirë ta pasqyrojnë dhe të shfaqin si kampionati më i bukur në botë.
Si është e mundur që keni ende oreks për trofe pas një karriere të tillë?
Në radhë të parë, nuk kam fituar kurrë një kampionat dhe nuk e di si është e mundur në 20 vite karrierë (qesh). Njeriu duhet të ketë gjithmonë oreks, pasi në të kundërt nuk bën dot përpara.
(m.k/PanoramaSport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb