Mungesa e By-Passit të Fierit, rikthen makthin e pushuesve që në fundjavë zgjedhin si destinacion bregdetin e jugut të vendit. Kjo është e njëjta pamje që përsëritet ndër vite sapo nis sezoni veror, në aksin Levan-Fier.

Kthimi i pushuesve nga zonat bregdetare ku kanë kaluar fundjavën ka shkaktuar radhë kilometrike të automjeteve, pasditen e së dielës. Për tre orë me radhë, nga ora 19:00-deri në orën 22-00 , drejtuesve të mjeteve dhe udhëtarëve iu është dashur të presin nën temperatura ekstremisht të larta për lirimin e trafikut. Gjatë gjithë gjatësisë së këtij segmenti rrugor, për më shumë se 10 kilometër, automjetet kanë lëvizur me shpejtësi që nuk kalonte 20 kilometër në orë dhe kjo situatë i ka shoqëruar drejtuesit e mjeteve deri në hyrje të qytetit të Fierit.

Në të gjithë këtë gjatësi rruge, është vënë re prania e shtuar e uniformave blu, për orientimin e qarkullimit dhe shmangien e trafikut.
Në çdo sezon veror trafiku është i pashmangshëm në këtë aks, ku veç qarkullimit të renduar nuk mungojnë as aksidentet. Evitimi i një situate te tille pritet të ketë zgjidhjen e dëshiruar vetëm me hapjen e By-pass-it të Fierit, punimet në të cilin vijojnë dhe sipas premtimeve njëra korsi duhet të hapet në fillim të muajit korrik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: