Nga: AKRI ÇIPA *
Është bërë rutinë që në çdo event kremtues për një datë që lidhet në njëfarë mënyre me komunizmin, të ngjallë debat dhe polemikë. Skenari është i pandryshueshëm: një organizim zyrtar, ku marrin pjesë një ose disa përfaqësues të mazhorancës së majtë, një grup veteranësh me pankarta me foton e Enver Hoxhës dhe një debat i ndezur me akuza dhe kundërakuza për fyerjen e shqiptarëve, rehabilitimin e diktatorit, rehabilitimin e diktaturës, etj. Por a ka vlerë ky debat dhe në çfarë raportesh na lë ky debat me të shkuarën dhe mbi të gjitha, me të ardhmen? Gjëja e parë që duhet kuptuar dhe nënvijëzuar është fakti që periudha 45-vjeçarë komuniste në Shqipëri dhe figura e Enver Hoxhës janë realitete kokëforta dhe të pamohueshme. Në këtë prizëm duhet parë edhe fakti që sikurse ka persona që e shikojnë me përçmim atë kohë, ka edhe nostalgjikë të saj. Të përndjekurit kanë një të drejtë të pamohueshme për ta kritikuar atë periudhë dhe për ta stigmatizuar Enver Hoxhën, por gjithaq të drejtë kanë edhe nostalgjikët e komunizmit për të shfaqur bindjet e tyre. Në një shoqëri të hapur, mundësia për të shfaqur bindjet politike, për sa kohë ato nuk shndërrohen të rreziqe të mirëfillta për të tjerët, është një vlerë parësore. Përndryshe ky sistem nuk do të kishte ndryshim nga ai i mëparshmi, ku kryefjala ishte ndrydhja e bindjes së individit. Në vijim të kësaj logjike, është naive të konsiderosh si provokim fotografitë e Enver Hoxhës. Fare mirë dikush mund të quajë si provokim fotografitë e Ahmet Zogut. Dikush tjetër mund të shkojë deri aty sa të provokohet nga figurat politike të post-komunizmit. Kush mund të thotë me saktësi se cili provokim është i justifikuar dhe cili jo? Etiketimi si provokim tregon mungesën e maturimit të shoqërisë sonë për marrëdhëniet që duhet të krijojmë me të shkuarën dhe domosdoshmërisht, me të tashmen dhe të ardhmen. Pavarësisht se periudha e komunizmit është më e afërt në vijë kohore si periudhë dhe domosdoshmërisht ka ndjeshmëri më të lartë, kjo ndjeshmëri nuk duhet të bëhet baza e gjykimit. Një shoqëri moderne duhet të jetë gjakftohtë dhe racionale në shqyrtimin e historisë së saj. Shoqërisë sonë i ka munguar vazhdimisht kjo gjakftohtësi.
Problemi kryesor, i cili bëhet barrikadë për qasjen e ftohtë ndaj historisë është politizimi. Edhe pse e theksova që është e gabuar ta etiketosh si provokim shfaqjen e Enver Hoxhës, prapa shpinës së përfaqësuesve të së majtës, kjo nuk do të thotë që nuk ka tendenciozitet në veprimet dhe deklaratat e politikanëve në fjalë. Është e qartë që, në njëfarë mënyre, ata po përpiqen të përfitojnë kapital politik. Gjithaq, e gabuar është edhe qasja e të djathtës politike. Gjatë viteve ajo e ka tepruar me retorikën anti-komuniste, shpeshherë edhe me figura që nuk kishin tagër moral për të kritikuar një sistem të cilit i kishin shërbyer. Përsëritja e idesë se komunizmi dhe Enver Hoxha po rehabilitohen është inflacionuar tashmë në mënyrë populiste. Pavarësisht se si e majta, edhe e djathta politike e shohin komunizmin dhe Enver Hoxhën si mundësi për të fituar kredo politike dhe pa kosto politike për ta, fatkeqësisht politizimi i historisë shkakton një dëm të madh për shoqërinë, pasi e mban të kompleksuar ndaj të shkuarës.
Çlirimi nga ky kompleks nuk duhet parë thjesht si një rishikim i ftohtë ndaj historisë, sikurse është debatuar kohët e fundit. Procesi i rishikimit dhe rishkrimit të historisë, pavarësisht se teorikisht do të ishte zgjidhja ideale, për shkak të emotivitetit dhe të mundësisë së politizimit rrezikon të bëhet një shtojcë e problemit. Ajo çfarë nevojitet në radhë të parë është një vlerësim integral i totalitarizmit shqiptar. Komunizmi konsistonte në një sistem gjithëpërfshirës. Debatet që ringjallen herë pas here priren ta thjeshtëzojnë totalitarizmin shqiptar duke e njëjtësuar me diktatorin, çka i shërben jo vetëm harresës së keqes, por edhe mohimit të saj. Totalitarizmi nuk u shfaq vetëm në Shqipëri dhe nuk erdhi me Enver Hoxhën si profet, përkundrazi, ishte një sistem antivlerë që u injektua njëkohësisht në disa shoqëri dhe në mënyrë të njëtrajtshme. Nëqoftëse ne sot e njehsojmë totalitarizmin shqiptar vetëm me Enver Hoxhën, jo vetëm e zhveshim diskursin historik nga baza faktike, por edhe hapim mundësinë për përsëritjen e së keqes. Shoqëria është gjithmonë përgjegjësja e parë dhe e vetme për fenomenologjitë sociale dhe politike që përjeton. Vetëm duke e kuptuar totalitarizmin si një sistem shoqëror dhe jo si një sistem individualist do të jemi të vetëdijshëm në parandalimin e ripërsëritjes së tij dhe shfaqjes së tij në forma të kamufluara.
Shoqëria shqiptare (krahas shumë të tjerave post-komuniste në këtë pikë) nuk e ka ndërgjegjen e pastër në raport me të shkuarën e saj. Tranzicioni shqiptar u karakterizua nga mungesa e implementimit të një ligji për lustracionin dhe rrjedhimisht nga mungesa e tagrit moral për ballafaqimin me të shkuarën. Por kjo nuk do të thotë se duhet të mbetemi përjetësisht të kompleksuar nga ajo. Përkundrazi, duhet të jemi të hapur ndaj saj. Duhet pranuar ekzistenca. Nëse zhduket nga kremtimet fotoja e diktatorit, nuk do të thotë se nuk ka pasur diktaturë. Sikurse dhe nuk ka pasur diktaturë, vetëm se ka pasur diktator. Diktatura ekzistoi sepse shoqëria jonë e la veten të binte në të. Duke e pranuar gjakftohtësisht këtë të vërtetë, mund të përballemi në mënyrë racionale me të shkuarën dhe duke pasur parasysh atë, të kujdesemi që ajo e shkuar të mos përsëritet në të ardhmen.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb