Totenhem-Liverpul është sfida që sot do të hapë javën e pestë të Premier Ligës, por në të njëjtën kohë edhe supersfida e ditës. Sot, në orën 13:30, të dyja skuadrat do të zbresin në stadiumin “Wembley”, ku jo vetëm do të kërkojnë tri pikët, por në të njëjtën kohë kjo do të jetë edhe një sfidë, e cila mund të tregojë edhe më qartë nëse këto dy skuadra do të mund të luftojnë deri në fund për titullin kampion, shkruan “panoramasport”.

Nëse Totenhem regjistroi sivjet startin më të mirë nën drejtimin e Mauricio Poçetinos me tri fitore radhazi, disfata 2- 1 me Uotfordin ishte surprizues, ndonëse këta të fundit po konfirmohen një realitet i bukur, duke qenë me pikë të plota. Gjithsesi, stimuj përballë Liverpulit nuk do të mungojnë, ndonëse nga ana tjetër edhe “banda” e Jurgen Klopit do të jetë shumë e uritur.

Të kuqtë duken si skuadra e vetme që mund të rrezikojnë realisht fronin e Mançester Sitit, të paktën pas katër ndeshjeve të para, duke qenë se kanë pësuar vetëm një gol në start, dhe ky si rrjedhojë e një çmendurit të portieri Alison ndaj Lestërit. Dhe nëse Liverpuli fiton edhe sot, pa dyshim që për ta mund të jetë një ogur shumë i mirë, duke qenë se herën e fundit që kanë fituar pesë ndeshjet e para të kampionatit radhazi, si në sezonin 1978-1979, kur ata u shpallën kampionë të Anglisë.

KEJN KUNDËR SALAH
Edhe pse duke parë deri tani se lojtarët që kanë spikatur më shumë në radhët e të dyja skuadrave janë Lukas Moura për Totenhemin me 3 gola dhe Sadio Mane me 4 realizime për të kuqtë, duke qenë edhe kryegolashënuesi i Premier Ligës, gjithsesi të gjithë sytë sot do të jetë të drejtuara te Herri Kejn dhe Mohamed Salah, që të dy në kuotën e dy golave.

Pa dyshim që këta do të jenë edhe rreziqet kryesore për të dyja ekipet, sepse duke parë që edhe shokët e tyre të repartit po realizojnë me vazhdimësi, në duelin e sotëm priten shumë emocione dhe golat duken të garantuar.

Duke mbetur te realizimet e të dyja skuadrave, statistikat thonë se në përballjet direkte, Totenhemi dhe Liverpuli kanë arritur që të shënojnë të paktën një gol në katër nga pesë përballje. Madje, në rastin e të kuqve, në pesë ndeshjet e fundit, përfshi edhe kampionatin e kaluar, Liverpuli i ka mbyllur llogaritë me fitoren që në pjesën e parë. Gjithsesi, sot do të jetë një duel tjetër dhe çdo ndeshje është një histori më vete.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: