TIRANË – “Me romët, ne jemi të dështuar”. Kjo është deklarata e Avokatit të Popullit, Igli Totozani, lëshuar sot në studion e “News 24”, lidhur me integrimin e këtij komuniteti me të drejta të barabarta në shoqëri.

Këtë deklaratë e dha sot i vetmi zyrtar i lartë i shtetit, që për çështjen e romëve angazhoi edhe diplomatët e huaj në Tiranë dhe arriti deri atje sa t’i strehonte ata në zyrat e tij, pikërisht përballë Kryeministrisë.

Në rubrikën “Opinion”, Totozani tha se “s’mund të them se është dështim i yni, qytetarët e kuptojnë se i kujt është dështimi, por me romët ne jemi të dështuar. Përse? Është dështim që romët janë ende satelit në shoqërinë tonë dhe nuk përfitojnë nga të mirat tonë modeste, shëndetësia, arsimi, strehimi etj madje edhe nga ato që na u vunë si prioritete, si psh. regjistrimi i tyre. Nëse ne nuk u zgjidhim problemin e regjistrimit, ata janë të përjashtuar nga ndihma sociale, nga përfitimet e tjera, janë jashtë çdo gjëje. Nëse ne nuk u zgjidhim atyre strehimin, ata do të vazhdojnë të jetojnë në periferi dhe të jenë një pre e lehtë e krimit,”- tha ai.

JEMI KUNDER TESTIMIT TE MJEKEVE, DO TE VAZHDOJME T’I MBESHTESIM ATA

Ndërsa, porsa i përket angazhimit të fundit që Avokati i Popullit ka ndërmarrë, tërheqjes mbrapsht nga qeveria të nismës për testimin e mjekëve, Totozani tha: “Ne nuk do të tërhiqemi nga mbështetja që do t’u japim mjekëve. Që ata duhet të rrisin performancën e tyre, kjo është e drejtë, po çështja është sesi do të zgjidhet kjo. Dhe zgjidhja është e përcaktuar në ligjet shqiptare dhe në ente publike jobuxhetore, sic është Urdhri i Mjekut etj. për të siguruar trainimin dhe performancën e vazhdueshme.
Pra, jeta e një qytetari duhet të jetë e parashikueshme. Një mjek e di se çfarë e pret në profesion qëkurse ai le bankat e shkollës. Ndaj, ne i kemi kërkuar ministrit të tërhiqet, i kemi dërguar edhe një rekomandim madje edhe një apel publik nga “News24”, që kjo inisiativë të tërhiqet.

Testimi është dhe në kundërshtim me konceptin qeverisës, sipas të cilit, politikat publike duhet të të konsultohen me grupet e interesit. Mirëpo kjo s’ka ndodhur, sepse janë pikërisht grupet e interesit që janë kundër. Po ashtu, duhet të ketë transparencë.

Në përfundim do të thoja se trajtimi i mjekëve do shumë kujdes, se ata merren me gjënë më të shtrenjtë që ne kemi, jetën dhe në këtë kuptim besueshmëria jonë tek ata duhet të jetë maksimale. Nëse për ngacmime nga jashtë, si dhe ky rast, besueshmëria e mjekut nis e bie, ne ua bëjmë punën më të vështirë atyre,” – nënvizoi Avokati i Popullit.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb