TIRANE – Komuniteti LGBT në Shqipëri ka ripërsëritur kërkesën për njohjen ligjore të bashkëjetesës midis personave të të njëjtës gjini, kërkesë që mbështetet dhe nga institucioni i Avokatit të Popullit.
“Parlamenti shqiptar në përfundim të këtij diskutimi, ndoshta ti propozohet të miratojë një rezolutë në lidhje me situatën dhe gjendjen e të drejtave të komunitetit LGBT, ku të ngrihet qartë vullneti i deputetëve shqiptarë në mbrojtjen, promovimin e të drejtave të këtij komuniteti. Të kërkohen dhe përmirësimet e nevojshme legjislative.”- deklaroi Avokati i Popullit, Totozani.

Duke iu drejtuar nënkomisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, përfaqësues të komunitetit LGBT thanë se problemi nuk qëndron tek ligjet, por tek zbatimi i tyre.

Nënkomisioni i të drejtave të njeriut mori në shqyrtim dhe dy raportet e hartuara nga Avokati i Popullit dhe komisionari i mbrojtjes nga diskriminimi në lidhje me gjendjen e komunitetit LGBT në Shqipëri.

“Ne si e majtë jemi debitorë do të thoja karshi të djathtës e cila ka hedhur goxha hapa të rëndësishëm ligjorë. Ne i përkasim një partie e cila shtresën tuaj e ka burgosur. Të mendosh që para 90-ës shtresa juaj po të jepte një shenjë, ne ju krefnim shpejt e shpejt. Po them ne në kuptimin historik të fjalës. Ne vërtet mund të ndryshojmë ligje, por nuk mund të ndryshojmë kulturën. Kërkoni mirëkuptim për veten tuaj, mirëkuptojini dhe ata që nuk ju pëlqejnë, thjesht nuk ju pëlqejnë. Por të drejtat tuaja ligjore keni të drejtë ti kërkoni.”- deklaroi deputeti Pandeli Majko.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: