Askush nuk e imagjinonte një fitore 7-2 të Bayern Munich në Londër, përballë finalistëve të Champions League, por ai edicion është thjeshtë një kujtim i bukur dhe duket shumë i largët për britanikët teksa “gjelat” e tyre përjetuan makthe në sfidën e dytë në grupe. Rezultati final duket një gënjeshtër e madhe pasi Totenham zhvilloi një pjesë të parë fantastike, mbi të gjitha në 30 minutat e para ku bavarezët qëndruan në lojë falë një super Manuel Neuer i cili priti gjithçka i shkoi në portë, përjashto goditjen e Son në minutën e 12-të që i dha avantazhin londinezëve. Bayern u kthye shpejt në lojë me Kimmich i cili realizoi një gol shumë të bukur pas vetëm 3 minutash. Tottenham s’postoi Bayern në gjysmë fushë duke pasur kontrollin total të lojës por në momentin e tyre më të mirë, në limitet e pjesës së parë, Lewandowski përmbysi rezultatin duke dërguar Bayern në avantazh në dhomat e zhveshjes.

Bavarezët zbritën në fushë të transformuar ku hedhja në fushë e Thiago Alcantara ndryshoi totalisht balancat por ai që bëri diferencën ishte Serge Gnabry. 24-vjeçari gjerman ishte i papërmbajtshëm në krah shfrytëzoi çdo hapësirë duke realizuar një dopjetë në vetëm dy minuta lojë, dy gola fantastik që shokuan totalisht “spërsat”. H.Kane u përpoq të rihapte lojën duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë por e gjitha ishte një iluzion pasi Gnabry realizoi golin e tretë personal dhe të pestin për Bayern në minutën e 83-të. Fundi i ndeshjes ishte një shfaqje fantastike që dhuroi ofensiva bavareze, Lewandowski kompletoi dopjetën e tij personale në minutën e 87-të ndërsa Gnabry sigloi shifrat përfundimtare në 7-2, një fitore e cila është e vështirë ta përshkruash me fjalët e duhura, një fitore e madhe që i jep Bayern kreun e grupit B me pikë të plota, 6-të. Në sfidën tjetër të këtij grupi, Cverna Zvezda mposhti Olympiacos me rezultatin 3-1.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb