Toyota njoftoi sot se po punon për të prodhuar një makinë të re hibride për partnerin e saj, Suzuki në Britaninë e Madhe, një lajm i mirë për industrinë britanike të makinave, e vënë përballë sprovës së Brexit.


Kompania japoneze sqaroi për median se do të ofronte “një automjet hibrid elektrik” për bashkëkombasin e saj Suzuki, e frymëzuar nga modeli ”Toyota Corolla Wagon”.


Motorët do të prodhohen në Deeside (Uells) dhe pjesët e makinës do të bashkohen në Burnaston (Anglia Qendrore).


”Automjeti i ri i cili do të hidhet në treg nga Suzuki do të prodhohet në Britaninë e Madhe nga fundi i vitit 2020”, shtoi Toyota, por pa specifikuar nëse vendet e punës do të krijoheshin në vend.

Ky model do të ofrojë qëndrueshmërinë e aktivitetit tregtar të fabrikave në fjalë, në një kohë kur ky sektor po përjeton pasiguri përballë Brexit.

“Ky është një lajm i mirë për fabrikat tona në Britaninë e Madhe”, u shpreh Marvin Cooke, drejtor i përgjithshëm i Toyotas në Britaninë e Madhe.

“Të prodhosh automjete shtesë për klientë të tjerë është një shembull i përpjekjeve tona për të mbajtur aktivitetet tona prodhuese në Britaninë e Madhe sa më konkurruese”, shtoi ai.

Etiketa: