Ndërsa Prokuroria për Krime të Rënda tha se kreu i PD-së është ftuar të paraqitet me datë 25 korrik dhe do të japë shpjegime për denoncimin që bëri në Kuvend, lidhur me rastin e “Toyota Yaris”, burime nga PD bëjnë të ditur se kryedemokrati  ka shprehur gatishmerinë e plotë të kontribuojë në hetimin e autoriteteve të drejtësisë belge për dosjen e njohur si “Toyota Yaris”, ku u kapën 3.4 milionë euro.

“Kryetari i opozitës është shprehur i gatshëm për të ndihmuar me informacionet që disponon në zbardhjen e lidhjeve kriminalo-politike në aferën e pastrimit të miliona eurove me garanci politike të përfaqësuesve më të lartë të kupolës së Rilindjes. Zoti Basha është në kontakt me autoritetet belge dhe mbetet ne pritje te rakordimit me to per menyren e bashkepunimit.” Thanë për “BalkanWeb” burime nga PD.

Një grup prokurorësh federalë belgë, të cilët kanë mbërritur sot në Tiranë, do të asistojnë në pyetjen e kryedemokratit Basha.

Belgjika prej disa muajsh po heton paralelisht me Shqipërinë për të zbuluar personat e implikuar në pastrimin e parave. Aksioni për bllokimin e eurove u finalizua me 24 qershor të vitit të kaluar.

Paratë ishin fshehur në dy nga shtatë Toyotat e blera në shtetin belg. Në pranga përfunduan pesë persona, ndërsa në kërkim janë shpallur dy kushërinjtë Alfred dhe Elvis Vladi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb