Një talent shqiptar është gati t’i kthejë shpinën njëkohësisht si Shqipërisë, ashtu edhe Kosovës. Lirim Kastrati është bërë gati të braktisë të dy përfaqësueset me të cilat ka luajtur në të kaluarën për të veshur fanelën e Kroacisë, shtet në të cilin po aktivizohet me sukses te Lokomotiva e Zagrebit. Edhe pse vetëm 19 vjeç Kastrati ka shënuar 5 gola në 8 ndeshjet e këtij sezoni në Kroaci, duke shkëlqyer dhe normalisht ka tërhequr vëmendjen e përfaqësueses kuqezi. Shqipëria e monitoron prej kohësh, pasi ai ka qenë pjesë e saj me U17. Ndërsa Kosova arriti ta rrëmbente më pas duke e aktivizuar me U19 dhe U21 talentin e jashtëzakonshëm të sulmit. Por me sa duket, ai i ka sytë te Kroacia, e cila ka bërë gati procedurat dhe do t’i japë shumë shpejt nënshtetësinë. Këtë gjë e konfirmoi edhe vetë lojtari sot për mediat kroate. “Kam folur me njerëz nga të dy federatat, nuk kam vendosur ende. Por unë kam dëshirë të luaj me Kroacinë. Nuk kam ende pasaportën kroate, por mund ta marr sapo të mbush tre vite këtu dhe të luaj me ekipin e parë. Kroacia është në futboll më e mirë dhe më e fortë se Kosova e Shqipëria, ndaj kam shumë dëshirë që të vesh fanellën e Kroacisë”, ishin fjalët e Kastratit. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb