Policia e Tiranës ka arrestuar 15 persona për trafik emigrantësh. Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se bëhet fjalë për një procedim penal të vitit 2023, të finalizuar me operacionin e koduar “DAMASK”.

Në pranga kanë rënë: Rafael Demaj, Enriko Gjonaj, Mehmet Bregu, Arnold Kërçi, Khaled Shahin, Ahmed Kensova, Dashamir Kullaj, Mohammed Alfahel, Nazmi Avxhija, Juljan Avxhija, Florenc Avxhija, Klajvert Avxhija, Klaudio Mano, 34 vjec Trilind Gjana, Elton Ukaj, Eurel Ukaj, Kelti Xhani, Kastriot Xhani, Ilirjan Xhaferri dhe Mikel Stefani.

Pas një hetimi 12-mujor, në kuadër të këtij procedimi është bërë i mundur individualizimi i përgjegjësisë penale për 24 subjekte të këtij procedimi penal. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për 19 shtetas.

Gjatë fazës finale të operacionit janë arrestuar 15 shtetas, nga të cilët 3 të huaj, me kombësi egjiptiane dhe siriane.

Gjatë fazave të mëparshme të hetimit janë arrestuar në flagrancë 5 shtetas të tjerë, nga të cilët 3 hetohen me masën e sigurisë “Arrest në burg”, pa afat, ndërsa 2 me masën e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Janë shpallur në kërkim 4 shtetas. Sipas informacioneve, 3 prej tyre janë jashtë vendit dhe po ndiqen procedurat urgjente për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të tyre.

Gjatë hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni janë sekusetruar 10 automjete, rreth 20 mijë euro dhe 500 000 lekë, 24 celularë, 10 pasaporta dhe fotokopje pasaportash të shtetasve egjiptianë dhe sirianë.

Shtetasit e implikuar në këtë veprimtari kriminale iu kanë dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shumë shtetasve, kryesisht nga Lindja e Mesme, të cilët hynin në RSH nga Greqia dhe tranzitoheshin në drejtim të kufijve veriorë të Shqipërisë, në Malin e Zi dhe në Kosovë.

Gjatë hetimit është dokumentuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm së shtetasit e huaj janë organizatorë dhe financues të kësaj veprimtarie kriminale. Gjatë zhvillimit të hetimeve janë përdorur veprime stimuluese si dhe teknika të posaçme hetimore me mbështetjen e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb