Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest me burg” për 10 anëtarët e grupit kriminal që dyshohet se trafikonte kokainë, përmes lëkurëve të kafshëve. Mes 10 të arrestuarve janë edhe dy venezuelianë dhe një kolumbian se duket se do të realizonin proceset kimike të ndarjes së kokainës nga lëkurët e bagëtive.

Apeli rrëzoi kërkesat e të arrestuarve për masa më të buta sigurie. Kokaina e shkrirë në lëkurë gjedhi u kap brenda laboratorit të sofistikuar të drogës në Qerekë të Fushë-Krujës. Në total u sekuestruan 48 tonë lëkurë, por ende nuk dihet se sa kokainë ishte shkrirë në to.

Grupi i trafikut ndërkombëtar të drogës, i cili dispononte një laborator të përpunimit të kokainës në Qerekë të Krujës dhe 2 ambiente mbështetëse në Tiranë dhe Durrës u goditën nga SPAK pak javë më parë.

Nga hetimet rezultoi se ata përdornin një biznes për të kamufluar trafikim, nëpërmjet kompanisë “Alb Lëkurë”, e regjistruar në 27 tetor 2020 në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ky subjekt kreu një pagesë më 11 maj të këtij viti me vlerë 23 mijë dollarë tek një firmë me vendndodhje në Republikën Domenikane, periudhë që u porosit edhe një sasi prej 24 ton lëkurë gjedhesh të regjura.

Ngarkesa e ndarë në 20 paleta u nis me destinacion Portin e Durrësit në datën 17 korrik 2024, një muaj më pas, Dogana e Tiranës kreu veprimet doganore dhe më pas ngarkesa u transportua drejt Mulletit, në një magazinë e përshtatur për ruajtjen e saj.

Një muaj më pas, më 23 shtator, merren informacione për nisjen e një tjetër ngarkese prej 24 tonësh, që mbërriti në Portin e Durrësit më datë 8 nëntor për të cilën u paguan rreth 20 mijë dollarë të tjera.

SPAK ka dyshime që grupi kriminal mund të ketë nxjerrë drogë nga laboratori edhe për llogari të grupeve të tjera kriminale. Në vendimin Gjykatës për vlerësimin e masave të sigurisë, bie në sy se një nga shtetasit e huaj që ishte marrë si ekspert i ndarjes së kokainës nga lëkurët, kolumbiani Hiwelenn Ledezma Narvaez me pseudonimin “Gafas”, kërkohet në vendlindjen e tij si lider i një grupi kriminal të trafikut të kokainës.

Ai kishte një vit që ndodhej në Shqipëri. Emri i Narvaez rezulton në kërkim në kuadër të operacionit policor “Pacifico”, zhvilluar në nëntor të vitit 2023 ku në Kolumbi u arrestua edhe shtetasi shqiptar Klodian Zaimi, që rezulton se është djali i dajës së Artjon Çaushllarit, i arrestuar nga SPAK si një nga financuesit e trafikimit të lëndës narkotike.

SPAK thotë se në maj të këtij viti kolumbiani ‘Gafas’ ka qëndruar për disa orë në një vilë në një fshat të Pogradecit i shoqëruar nga Artjon Çaushllari dhe Klajdi Birçe të dy të arrestuar, ku dyshohet se kanë nxjerrë një sasi kokaine. Në këtë rast agjentët nuk kanë ndërhyrë pasi operacioni mund të dekonspirohej.

Të arrestuarit

Shtetas shqiptar:
1- Geis Fejsullai 42 vjeç, banues në Tiranë
2- Klajd Birçe 40 vjeç, banues në Tiranë
3- Aldi Zonja 37 vjeç, banues në Tiranë
4- Artion Çaushllari, 37 vjeç, banues në Tiranë
5- Endi Sejdini, 25 vjeç, banues në Krujë
6- Ismail Abdurrahmani, 51 vjeç, banues në Shkodër
7 – Baki Huqi, 57 vjeç, banues në Durrës

Shtetas të huaj:
8-Hiwlen Ledezma Narvaez, 41 vjeç, shtetas kolumbian
9-Joze Ramon Zacarias Vasquez, 35 vjeç, shtetas venezuelian
10-Samuel Alfonso Moreno Serrano, 42 vjeç, shtetas venezuelian

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb