TIRANË- Tre persona kanë rënë në pranga pasi akuzohen për trafikim të të miturve me qëllime prostitucioni. Burime zyrtare bëjnë me dije se Sektori për Trafikun e Paligjshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë, si dhe me Policinë e Beratit dhe Policinë e Korçës, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Modelja”.

Si rezultat i këtij operacioni është bërë i mundur arrestimi i shtetasve:

•Klajdi (Lulëzim ) Çela, 25 vjeç, lindur dhe banues në Poliçan Berat.
•Besnik Stolla, 25 vjeç, banues në Poliçan, Berat.
•Sotiraq Dhima, 55 vjeç, banues në Korçë, i dënuar dy herë më parë, në vitin 2001 e 2004 për veprat penale “Falsifikim dokumentesh” dhe “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim e shtetasit L.M., 48 vjeç, lindur dhe banues në Poliçan, Berat, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trafikuar jashtë vendit një shtetase minorene 15 vjeçe nga Berati.

Dyshohet se shtetasit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë rekrutuar edhe vajza të tjera minorene me premtimin për t’i bërë modele jashtë shtetit, kryesisht në Itali. Vajzat përzgjidheshin nga vende të thella të vendit.

Ndaj këtyre shtetasve Prokuroria për Krimet e Rënda, ka nxjerrë vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale të “Trafikimit të të miturve, për shfrytëzim prostitucioni”. Ndërkohë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të këtij grupi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb