TIRANË- Një efektiv policie i Komisariatit nr. 6 në kryeqytet është arrestuar, pasi akuzohet se është pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës që ushtron aktivitetin në Shqipëri dhe Kosovë. Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka vënë në pranga Hamzë Demushaj, të cilit iu gjet në banesë një sasi prej 3.6 kg kokainë dhe 0.6 kg heroinë.
Nga të dhënat mësohet se SHÇBA kishte rënë prej disa kohësh në gjurmët e një rrjeti të trafikut të drogës ku bënte pjesë edhe Demushaj, i cili është anëtar i së njëjtës njësi elitë të Policisë së Shtetit ku punonte edhe efektivi Roland Meta. Ky i fundit u arrestua për “vrasje me dashje” pas atentatit ndaj Pajtim Serjanit, në fillim të janarit tek rruga e “Kavajës”, ku qëlloi për vdekje Artur Bazen, ndonëse nuk ishte në shërbim. Demushajt i janë gjetur gjithashtu në banesë edhe mjete për presimin e drogës dhe dokumente, akte shitje-blerje apartamentesh dhe automjetesh,
NJOFTIMI I MINISTRISË SË BRENDSHME

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka arrestuar në flagrancë, Kryeinspektor Hamëz Demushi, me detyrë punonjës i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë nr. 6 në Tiranë.

Ky punonjës policie dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë në kohë dhe vende të ndryshme ka trafikuar në drejtim të Kosovës lëndë narkotike të llojeve të ndryshme.

Në banesën e Hamëz Demushit është gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike prej 3.6 kg e dyshuar e llojit kokainë, dhe 0.5 kg  e dyshuar heroinë. Gjithashtu janë sekuestruar:

  • 1 presë që shërbente për presimin e lëndës narkotike
  • 2 kompjuterë Lap-top;
  • 6 telefona celularë dhe mbi 30 karta SIM të kompanive celulare shqiptare dhe kosovare
  • Një sasi e madhe dokumentacioni, si akte shit-blerje apartamentesh dhe automjetesh, si dhe dokumente të tjera të rëndësishme për hetimet.

Hetimet janë zhvilluar nga SHÇBA, në bashkëpunim me Task-Forcën në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Prokurorinë për Krimet e Rënda, duke aplikuar metodat speciale të hetimit. Nga këto hetime rezultoi se punonjësi i policisë Hamëz Demushi, është pjesë e një grupi kriminal, që ushtronte aktivitetin e trafikut të lëndëve narkotike, të të gjitha llojeve e shtrirë kjo në Kosovë dhe Shqipëri.

Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi si dhe bashkëpunëtorëve të tij.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: