Policia e Tiranës ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit të koduar “Destinacioni”, duke goditur veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike përmes shërbimit postar. Në kuadër të operacionit, është arrestuar një 24-vjeçar nga Tirana, i cili trafikonte lëndë narkotike kanabis me përqindje të lartë THC nga SHBA në Shqipëri.
Si rezultat i hetimeve të kryera nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe Policinë e Rinasit, është sekuestruar një pako me rreth 3.6 kg kanabis me vlerë rreth 50,000 euro. Ky operacion ka çuar në kapjen e Franci Veizaj, i cili u arrestua në flagrancë gjatë marrjes së paketës në një degë postare. Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale dhe për të identifikuar dhe kapur individët e tjerë të përfshirë. Materialet procedurale janë kaluar për veprime të mëtejshme në Prokurori.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet një tjetër fazë e operacionit të koduar “Destinacioni” kundër veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, nëpërmjet shërbimit postar. Vihet në pranga një 24-vjeçar që trafikonte nga SHBA në Shqipëri, lëndë narkotike kanabis me përqindje të lartë THC.
Sekuestrohen rreth 3.6 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis me përqindje të lartë THC, me vlerë 50 000 euro. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit “Destinacioni”, kundër veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, nëpërmjet shërbimit postar. Si rezultat i operacionit policor të koduar “Destinacioni 5”, u arrestua shtetasi F. V., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në një degë postare, duke marrë një pako me rreth 3.6 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis me përqindje të lartë THC, që dyshohet se është trafikuar nga SHBA. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.