NGA: XHENSILA KODRA*

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me 11 vite burgim për shtetasin Ervis Haskolli, pjesë e një grupi që trafikonin lëndë narkotike nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Gjykimi ndaj këtij personi është zhvilluar me procedurë normale, ndërkohë që disa kohë më parë ka përfunduar gjykimi për bashkëpunëtorët e tij, të cilët i janë nënshtruar gjykimit të shkurtuar. Arrestimi i tyre është kryer më 16.04.2014, pranë Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës, ku secili me rolin e tij po tentonin të kalonin në drejtim të Greqisë rreth 2.6 kilogramë heroinë.

Ndaj këtyre persona është zhvilluar hetimi proaktiv, i drejtuar nga Prokuroria për Krime të Rënda, pak javë para arrestimit të tyre. Sipas Prokurorisë, në bazë të këtij hetimi rezultoi se 7 të pandehurit si edhe disa persona të tjerë, ishin pjesë e një grupi që trafikonin lëndë narkotike nga Shqipëria në Greqi. Pavarësisht qëndrimit mohues të disa prej të pandehurve lidhur me veprat penale për të cilat akuzohen, Prokuroria për Krime të Rënda ka siguruar provat e mjaftueshme dhe kërkon dënim për të pandehurit.

Konkretisht: Renato Shopi të dënohet me 14 vjet burgim; Aleks Kreci me 13 vjet burgim; Shyqyri Hasalla me 13 vjet burgim; Ardian Shurdha me 12 vjet burgim; Eli Djali me 11 vjet burgim; Dritan Qesja me 11 vjet burgim si dhe Ervis Haskolli me 11 vjet burgim. Të gjithë këta persona akuzohen për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim, mbetur në tentativë.

DOSJA E PROKURORISË
Në datën 16.04.2014, rreth orës 17:00, në aksin rrugor Bilisht-Kapshticë, afër Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, gjatë kontrollit që shërbimet e policisë gjyqësore bënë në automjetin tip “Ford” (furgon) me targë DV 213 A, njërit prej pasagjerëve, Ardian Shurdhës, iu gjetën në trup, poshtë bluzës që kishte veshur, 5 pako me lëndë narkotike heroinë. Bashkë me të udhëtonin edhe Eli Djali e Dritan Qesja. Pak më larg tyre, më në afërsi të PKK Kapshticë, punonjësit e policisë ndaluan dhe ushtruan kontroll edhe në një automjet tjetër “Mercedes- Benz” me targa AA245AE, që i paraprinte furgonit, në të cilin udhëtonin Shyqyri Hasalla (drejtuesi i automjetit dhe njëkohësisht pronar i tij) dhe Aleks Kreci e Ervis Hasankolli.

Pakot me lëndë narkotikë u sekuestruan dhe të gjithë të lartcituarit u arrestuan, pasi nga hetimet e kryera rezultonte se ata me veprime bashkëpunuese po tentonin të kalonin jashtë territorit shqiptar, në Greqi, sasinë e lëndës narkotike që u sekuestrua. Po atë natë u arrestua në Elbasan edhe Renato Shopi. Ardian Shurdha pranoi se sasinë e narkotikut po e dërgonte në Greqi duke kaluar nga mali. Dy shoqëruesit e tij në furgon, Eli Djali e Dritan Qesja mohuan të kishin lidhje me Ardianin. Shyqyri Hasalla, Ervis Hasankolli e Aleks Kreci, pohuan se po udhëtonin drejt Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, për të kaluar në shtetin grek. Të arrestuarve iu sekuestruan edhe kartat telefonike dhe aparatet celularë, nga të cilat u vërtetua se vërtet ata i kishin përdorur numrat celularë që ishin interceptuar. Aleks Kreci, Dritan Qesja dhe Eli Djali janë nga fshati Pajovë, Elbasan dhe njihen e kanë shoqëri me njëri-tjetrin. Shyqyri Hasalla dhe Ardian Shurdha (si dhe i pandehuri Ervis Hasankolli) janë nga fshati Paper, Elbasan dhe njihen e kanë lidhje familjare e shoqërore me njëri-tjetrin. Renato Shopi është nga qyteti i Elbasanit dhe njihet nga afër dhe ka shoqëri të ngushtë me Aleks Krecin e Shyqyri Hasallën, dhe prej tyre edhe me të bashkëpandehurit e tjerë.

Detajet e marrëveshjes për trafikim të narkotikut heroinë në Greqi, Renato Shopi i komunikonte me telefon me bashkëpunëtorë të tij, si Çimi (jo më mirë i identifikuar), që vepronte në Shqipëri dhe Greqi, dhe Kujtimi e Lenci (edhe këta kaq të identifikuar), që vepronin në Greqi, dhe atje ishin pritës të sasive të narkotikut, duke bërë më pas shitjen e lëndës narkotike prej personave të tjerë, kryesisht shqiptarë, që shkonin atje nga Shqipëria, për të bërë shitje narkotikësh. Në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim, Renato Shopi, pasi kishte siguruar e bërë gati sasinë e narkotikut për ta dërguar në Greqi, ra dakord ditët para ngjarjes, me Aleks Krecin e Shyqyri Hasallën, që këta të fundit të gjenin disa persona të tjerë “të besuar” dhe që kishin qenë më parë në Greqi dhe kishin njohje për rrugët e kalimit në Greqi përmes malit, dhe që njihnin edhe zonën ku do dërgonin sasinë e narkotikut.

Ishte rënë dakord mes tyre që Eli, Ardiani e Dritani do ta kalonin lëndën narkotike në Greqi duke kaluar malit, ndërsa Shyqyriu, Aleksi dhe dhëndri i Shyqyriut, i pandehuri Ervis, do kalonin nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë. Për ta realizuar këtë, Renatoja që në datën 12.04.2014 i dha lëndën narkotike heroinë Shyqyri Hasallës (ia dërgoi në shtëpi). Ndërkohë, ditët para ngjarjes, Renato Shopi kishte njoftuar me telefon bashkëpunëtorët e tjerë në Greqi, se pikërisht këto ditë do t’ua dërgonte lëndën narkotike në Greqi dhe ata duhej të ishin në pritje të saj. Aleks Kreci (ndryshe i thirrur Klodi) interesohet dhe bisedon me një shofer furgoni që bënte linjën Tiranë- Bilisht (Kapshticë), që t’i ruante tri vende në furgon për në Bilisht (Kapshticë), pasi në Elbasan do të hipnin tre shokë të tij. Rreth orës 13:30, te rrethrrotullimi në hyrje të Elbasanit, hipin në furgonin me targë DV 213 A, Eli Djali, Ardian Shurdha e Dritan Qesja, ulen bashkë në fund të furgonit dhe udhëtojnë drejt Bilishtit.

Menjëherë pas tyre nisen me “Benzin” Shyqyriu, Ervisi e Aleksi, dhe gjatë gjithë rrugës i prijnë përpara furgonit, derisa në dalje të Bilishtit, në afërsi të Pikës Kufitare Kapshticë, policia ndërhyn dhe ushtron kontroll në të dyja automjetet, dhe Ardian Shurdhës i gjen të fshehur në trup sasinë e narkotikut. Para se të ndërmerrnin veprimet e trafikimit, Shyqyriu kërkon të “sigurohet” nga një person femër se si do i vente rruga për në Greqi, atij dhe personave të tjerë (siç shprehej, do të ishin “tre” në një makinë dhe “dy” në një makinë tjetër). Renato Shopi u arrestua në orët e vona të datës 16.04.2014, në Elbasan. Ervis Hasankolli pati rolin e ndihmësit të të bashkëpandehurve të tjerë (gjykuar më vete) në kryerjen e kësaj vepre penale. Nisur nga lënda narkotike që ata po transportonin në Greqi dhe vlera e konsiderueshme në lekë që ajo ka në treg, ata ndërmorën veprime aktive të gjithë bashkë, të ndarë në mjete të ndryshme, për të kaluar disa nga mali dhe të tjerë nga PKK Kapshticë. Renato Shopi ishte financuesi dhe siguruesi i sasisë së heroinës.

Ai nuk e ndërmori vetë veprimin për dërgimin e lëndës narkotike në Greqi, por kërkoi dhe gjeti bashkëpunimin e plotë të bashkëpunëtorëve të tij. Objekt i veprimit të kundërligjshëm ka qenë trafikimi i narkotikut përmes nxjerrjes jashtë territorit të shtetit shqiptar. Nga ana objektive i pandehuri po e kryente këtë përmes kalimit të saj në Greqi, nga i bashkëpandehuri Ardian Shurdha (daja i tij), që u ndihmua në këtë “ndërmarrje” veprimesh edhe nga i pandehuri Ervis.

I pandehuri dhe bashkëpandehurit e tjerë, po tentonin të kalonin në Greqi, për të shkuar të gjithë bashkë në destinacion (sigurisht, atje mund t’u duhej të përdorin dhe mjetin “Mercedes- Benz” për të lëvizur). Të pandehurit rezulton të jenë madhorë dhe të përgjegjshëm për veprimet që kanë ndërmarrë me vetëdije të plotë. Motivet e kryerjes së kësaj vepre penale kanë qenë ato të nxjerrjes së fitimit në të holla nga shitja e lëndës narkotike në një shtet tjetër.

PERGJIMET
Ora 19:19:18 e datës 12.04.2014, komunikohet mes Renatos e Shyqyriut
+419:
+712: po
+419: ho mo tkeqen ça bone
+712: ho
+419: alo
+712: ik ik se llafosemi nesër hajt
+419: po ça nesër un jam ktu ke ty ça po thu o burr
+712: epo ika un o burr pse smore n telefon ti?
+419: o je në terezi o tkeqen vllai ça po thu o burr n’telefon un ime
+712: ime,….atë muhabetin e
+419: po e ore
+712: po ik ore thërrite çunin anej posht ime
+419: t’ja jap çunit?
+712: ee, jepja çunit, çoji nalt thuj ke sirtari babës
+419: tja jap kto lekët atit uno çunit?
+712: po mir o pra ho
+419: at 50 ershin e atit
+712: mir mir po hajt
+419: tja jap çunit thash ore?
+712: eee po jepja çunit e mos fol n’telefon o burr se e mora vesht.

Ora 19:21:06 Shyqyriu i telefonon të pandehurit Renato
+419: ha tkeqeen
+712: bje i çik çunin aty
+419: ja i sekond (ja o lali babin)
+712: Juli….merri ato vezët o bab çoji atje ke komodina ime, a ngjove? Vezët vezët
+419: mir
+712: nuk e more vesht ti, hajt.

Ora 19:21:55, dt. 12.04.2014, komunikohet mes Klodit (Aleks Kreci) dhe Shyqyri Hasallës
+092: ho mo ça bon
+712: o Klod
+092: he
+712: e ça ke?
+092: hiç as i gjo kot mor un kot
+712: hajt takojm nesër se erdhi aj mtakoi mu gjoja qi gjoja për nesër po pasnesër e lash me atë tjetrin un
+092: mirë mrregull bravo
+712: ee hajt hajt
+092: hajde se ke bo shum pun t’mir po hec.

Ora 19:23:31, Shyqyriu me Klodin
+092: po mir se ndofta pret për nesër aj Renato thuj ti pasnesër
+712: ore erdhi aj për nesër po aj aj se mund t’ikësh ne nesër ti ene tmarr ato ene, ke parasysh
+092: aaa, pop se ore ikim prejher ne pse çar
+712: haj se llafosemi nesër ne ….se për nesër erdhi ajpruni ne ato ne ato….po mir pasnesër
+092: si?
+712: I them atij
+092: po mir pra jam dakort
+712: e do marrë vulen nesër dhe pasnesër do iki ….
+092: okej okej hajt.

Në telefonatën e orës 21:54:59, të datës 12.04.2014, Shyqyriu njoftoi Renaton se kishte parë një makinë që kishte kaluar disa herë para tij, dhe dyshonte se mos ishte ndonjë makinë policie, prandaj i kërkoi Renatos ta verifikonte.

Në datën 14.04.2014, në orën 14:10:58, Shyqyriu (+712) i telefonon një femre me numër +604

Femra: Hë, ja po e shef ime se është në gjumë ajo andej
Shyqyriu: (i kërkon të dijë qysh i del rruga çunit, nga këtu deri në Doganë) Qysh i del?
Femra: xham e ka
Shyqyriu: Po i shife i çik për mu qysh, kam noj problem kshu unë? Kam roja prapa? Se kaloi nji sot knej
Femra: Vetëm del thotë
Shyqyriu: Una?
Femra: E vetëm del…. Ej ikën thot po nuk e di se ça janë tre veta. Nuk e di.
Shyqyriu: E iki una?
Femra: E pra ikën. Janë nja tre veta. Ikin thotë.
Shyqyriu: E he. Tre janë veç dy janë veç.
Femra: Janë tre veta, janë me siklet thot.
Shyqyriu: Po po po.
Femra: E kam parasysh kush janë ata prandaj. Po
Shyqyriu: Si përfundim qysh dalin këto tre veta?
Femra: Mirë mirë mirë…
Shyqyriu: Sonte nuk e di unë lëviz nuk lëviz… e rrezik nuk lëviz sot se ashtu është puna se i kanë nejt mrom te shpija këtij shokut se e kemi lon, proçedurë tjetër ai….

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: