TIRANE – Prokuroria për Krime të Rënda përfundoi hetimet dhe i dorëzon drejtësisë dosjen penale ndaj Lekë Tanushit, i akuzuar për trafik droge. Hetimi ndaj Tanushit filloi në nëntor 2013, pasi në Malin e Zi u arrestua një shofer kamioni shqiptar, K. Fejzulla, në mjetin e të cilit u gjendën rreth 34 kg lëndë narkotike hashash. Shoferi i arrestuar në Malin e Zi ishte ngarkuar me pajisje elektrike të një kompanie në Bushat të Shkodrës dhe kishte si destinacion Italinë. Pas arrestimit, ai pretendoi se nuk kishte dijeni për lëndën narkotike dhe sipas tij, malli mund të ishte vendosur nga ana e punonjësve të kompanisë, ku ishte furnizuar.
Ndërsa bashkëshortja e shoferit, që ndodhej pasagjere, e cila bëri kallëzimin në prokurori deklaroi: “Bashkëshorti im është i mashtruar dhe nuk ka lidhje me këtë sasi lënde narkotike, por janë persona të tjerë të implikuar te firma me vendndodhje në fshatin Bushat”. Për shkak të dyshimeve të ngritura se në veprimtarinë kriminale ishin të implikuar dhe persona të tjerë, përmes një letër-porosie janë marrë nga autoritetet e Malit të Zi informacionet dhe provat e gjetura në momentin e zbulimit të lëndës narkotike, mes të tjerash, edhe gjurmët e gishtërinjve që ishin gjetur në kutinë ku ishte fshehur droga.
“Pasi u bë krahasimi i gjurmëve të gishtave të gjetura në kuti me gjurmët e gishtave të disa punonjësve të kompanisë ku ishte furnizuar kamioni, rezultoi që ato i përkonin punonjësit të kësaj kompanie, shtetasit Lekë Tanushi. Fillimisht, i pandehuri mohoi që të kishte lidhje me lëndën narkotike. Por më vonë gjatë hetimit, pranoi se e kishte vendosur ai lëndën narkotike në kamion dhe se shoferi i kamionit, i arrestuar në Malin e Zi, nuk kishte dijeni dhe as bashkëpunim për trafikun e lëndës narkotike”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: