TIRANË- Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është takuar sot me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Takimi ka nisur në orën 17:00 në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme dhe ka përfunduar në orën 17:40.

Pas daljes nga Prokuroria, Tahiri i është përgjigjur interesit të gazetarëve, lidhur me arsyet e këtij takimi. Ministri i Brendshëm deklaroi se i ka kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm të nisë hetimet mbi akuzat e artikuluara së fundmi për trafikun e drogës.

“Besoj e keni ndjekur të gjithë tollovinë politike të ditëve të fundit me akuza dhe shpifje pa fund. Kryeministri, qeveria, mazhoranca është votuar nga qytetarët për të punuar në interesin më të lartë të qytetarëve dhe të vendit. E në këtë kuadër unë nuk kam asnjë sekondë kohë për të humbur në llumin e shpifjeve që është mësuar politika e vjetër të përdorë, sa herë i duhet që të dalë përtej modelit që duhet. Modeli i ligjshmërisë që duhet të instalojmë në vend dhe për të cilin po përpiqemi”, tha Tahiri.

I pyetur nga gazetarja Klodiana Lala nëse pas akuzave të opozitës do të dorëhiqet për ti hapur rrugë hetimit, Tahiri tha se nuk e ka standard të punës.

“Saliu ka kërkuar dorëheqjen time, dorëheqjen e Kryeministrit dhe dorëheqjen e qeverisë që pa marrë detyrën ne.

Kështu që nuk e kam standard të punës sime, madje kur më shan Saliu ndihem më mirë, sepse do të thotë që po bëj gjënë e duhur”, tha Ministri i Brendshëm”. Lidhur me çështjen “Zagani”, Tahiri deklaroi se për këtë “do hetojë Prokuroria”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: