Ka një përpjekje të përgjithshme nga përfaqësuesit e institucioneve të përmendura në skandalin e kontrabandës së 800 kg mbetjeve të rrezikshme, për t’ia lënë përgjegjësinë indirekt njëri-tjetrit dhe për të mos e shtyrë më tej transparencën.
Si kompania, ashtu dhe ministria e Mjedisit e Drejtoria e Doganave tentojnë në reagimet e tyre të heqin përgjegjësinë nga vetja. Asnjë prej tyre nuk duket i shqetësuar se pse është tërhequr “pa të drejtë” në këtë histori. Asnjë prej tyre nuk ka një reagim pro-aktiv në përpjekje të zbardhjes së këtij skandali.
Teorikisht, çdo palë e përfolur që e quan veten pa faj, duhet të jetë e interesuara e parë që përgjegjësit e vërtetë të dalin para drejtësisë.
Nga mënyra se si flasin të gjithë – të gjithë duket se e dinë për çfarë bëhet fjalë.
Kompania “Kurum”, kompania “Maersk” dhe Ministria e Mjedisit, e kanë më të lehtë të heqin përgjegjësinë nga vetja, pasi dokumentacioni lë gjurmë dhe përgjegjësia e tyre është lehtësisht e verifikueshme.
Më i vështirë bëhet verifikimi i përgjegjësisë së Portit të Durrësit dhe Drejtorisë së Doganave.
Mediat investigative raportojnë për dyshime serioze se Shqipëria është kthyer në një vend eksporti dhe tranziti për mbetje toksike dhe bëjnë përgjegjës për këtë autoritetet e Portit të Durrësit.
Drejtori ekzekutiv i “Rrjetit të Bazelit”, Jim Puckett ka pohuar se rastet e mbetjeve toksike të nisura nga Shqipëria, e të të destinuara për Tajlandë dhe Kinë, nuk janë rastet e vetme të verifikuara si problematike.
Sipas tij, imazhet satelitore tregojnë pirgje të mëdha me mbeturina të ngjashme në portin e Durrësit.
“Dyshoj se ka shumë mbetje të tjera të përfshira. Shqipëria përdoret si pikë traziti për mbetjet në Europë. Sinjalizimi na erdhi më 15 korrik, kontaktuam qeverinë shqiptare dhe na thanë se s’kishin informacion”, thotë Puckett në një deklaratë televizive.
Nga kjo deklaratë del qartë se “Rrjeti i Bazelit”, një organizatë serioze e cila lufton kontrabandën e mbetjeve toksike, e ka kontaktuar qeverinë shqiptare që në mes të korrikut për këtë skandal.
Lind pyetja, që atëherë e deri më sot, çfarë masash mori qeveria shqiptare për këtë çështje që mori përmasa ndërkombëtare?
A ka kryer Autoriteti Portual i Durrësit verifikime të mëtejshme për sinjalizimet e “Rrjetit të Bazelit”?
A ka kryer ministria e Infrastrukturës një hetim të brendshëm për të zbuluar për çfarë bëhet fjalë e rrjedhimisht, për të gjetur fajtorët dhe për t’i kallzuar ata penalisht?
Nga mënyra se si nuk kanë vepruar të gjithë – të gjithë duket se e dinë për çfarë bëhet fjalë.
Deri tani, e vetmja lëvizje mbetet largimi i drejtorit të Autoritetit Portual Durrës, i cili u emërua ministër i Mbrojtjes.
Nëse shqetësimet e organizatës së drejtuar nga Puckett vërtetohen, atëherë ish-titullari i Portit dhe drejtori i Doganave duhet të japin disa shpjegime publike edhe nëse e dinin, edhe nëse s’e dinin, për atë që ka ndodhur në portin e Durrësit.
Por, përtej përgjegjësinë personale penale, ka përgjegjësi morale dhe politike, e cila në këtë rasti bie mbi ministren e Infrastrukturës.
Skandalet e përsëritura korruptive në ARRSH, KESH, Tatime, Dogana dhe hetimi serial i drejtorëve përkatës, kanë një emërues të përbashkët politik.
Askush nuk mund të justifikohet me “drurë të shtrembër” e “ngrënie kumbullash” pas krahëve.
Minimumi i kërkuar është transparenca. Maksimumi, ajo që mbetet ende herezi për traditën dhe kulturën politike në Shqipëri, dorëheqja.
(BalkanWeb)