(Në përditësim) – Ngjarja në tragetin italian, minutë pas minutë e zbardhur në BalkanWeb me foto dhe video nga vendngjarja. Zhvillimet sot dhe për gjatë gjithë ditës së djeshme të përpunuara me informacionet më të fundit.

Një operacion i madh i kryesuar nga autoritetet italiane dhe pasuar nga grekë e shqiptarë u zhvillua prej më shumë se 33 orësh në ujërat e Adriatikut, ku qindra jetë njerëzish u shpëtuan nga trageti që mori flakë një ditë më parë pranë Korfuzit. Anija është tërhequr pranë ujërave italiane dhe pasagjerët që shpëtuan u zbriten në portet italiane. Mes pasagjerëve të shpëtuar që kanë prekur tokën janë dhe 22 shtetasit shqiptarë. Zyrtarisht u fol për 5 të vdekur, por numri i tyre duket se po rritet orë pas ore. Sipas autoriteteve italiane numri i viktimave ka shkuar në 10, pasi gjatë pasdites janë gjetur në ujë edhepesë trupa të tjerë. Rreth orës 14:50 operacioni i shpëtimit ka përfunduar, ndërsa i fundit që ka lënë anijen ka qenë kapiteni i saj Argilio Giacomazzi, i cili ka konfirmuar se brenda mjetit nuk kishte mbetur asnjë pasagjer. Ndërkohë, mediat në Greqi dhe Itali flasin për 38 persona të zhdukur.

Në bordin e tragetit ndodheshin 478 persona, 268 prej të cilëve me kombësi greke, mbi 100 italianë dhe 25 shtetas me pasaportë shqiptare, ndërsa 54 persona janë pjesë e ekuipazhit. Nacionalitetet janë: 234 grekë, një rumune, 2 rusë, 6 austriakë, 2 hungarezë, 10 zviceranë, një kroat, 8 gjeorgjianë, 5 sirianë, një suedez, një kanadez, 2 ukrainas, një egjiptian, 18 gjermanë, 54 turq, 2 afganë, 22 shqiptarë, një maltez, 7 bullgarë, 3 nga Maqedonia, dy britanikë, 22 italianë, 3 holandisht, 3 belgë, 9 francezë, 2 irakianë.

DY VARKA SHPËTIMI NXIRREN NGA DALLGËT NË BRIGJET SHQIPTARE

Ora 21:24 – Dy nga varkat e shpëtimit të tragetit “Norman Atlantic” janë nxjerrë nga dallgët në brigjet shqiptare. Njëra prej tyre u gjet pranë grykëderdhjes se lumit Vjosë, ndërsa tjetra ne plazhin e Darezezës, në grykëderdhjen e lumit Seman. Burime zyrtare të policisë thanë se varkat nuk kanë patur asnjë person brenda tyre, por vetëm ushqime. Dyshohet se varka janë hedhur ose kanë rënë në det të hapur, gjatë operacionit të kërkim shpëtimit, teksa trageti ishte në flakë.

SHKON NE 10 NUMRI I VIKTIMAVE

Ora 20:17 –Ministrja italiane e Mbrojtjes Roberta Pinotti konfirmoi në një konferencë për shtyp se numri i viktimave ka arritur në 10. Identiteti i viktimave nuk bëhet ende i ditur, ndërsa mediat flasin për dhjetëra persona që rezultojnë të zhdukur.

MINISTRIA E JASHTME: JA SHQIPTARET E EVAKUUAR DHE VENDNDODHJA E TYRE

Ora 18:50 Ministria e Punëve të Jashtme informohet nga Konsullata Shqiptare në Janinë dhe Roja Bregdetare greke se në listën e pasagjerëve të evakuuar në bordin e anijes« ABY JEANNETTE » ndodhen shtetasit shqiptarë të mëposhtëm:

Të evakuuar në anijen “ABY JEANETTE”, që pritet të ankorohet, por ende nuk dihet se në cilin port, janë:

1. Refik Aliko
2. Sheraf Aliko
3. Donika Aliko
4. Festim Cuci
5. Hasie Cuci
6. Brunilda Kazo

Në anijen “CRUISE EUROPE,” e cila për pak orë mbërrin në Igumenicë ku është dërguar Konsullata shqiptare nga Janina për të ndihmuar shtetasit, janë:

7. Aleksandër Beqiraj (fëmijë)
8. Enkeleida Beqiraj

Aktualisht në Itali ndodhen:

9. Senada Kolekaj (në Leçe, jashtë rrezikut për jetën)
10. Robet Mane (në spitalin e Barit, dhe pas ndihmës së parë tani është pranë familjes në Firence)
11. Alban Skendaj (në spitalin e Barit, jashtë rrezikut për jetën)

Qendra e Emergjencave në Romë informon se janë evakuuar nga trageti por presim informacion mbi vendndodhjen:

12. Leonard Beqiraj
13. H. Cukja
14. G. Gega
15. V. Kane
16. L. Ndreu
17. J. Qerama
18. P. Zhuri
19. K. Zhuri
20. A. Zhuri

Janë evakuuar dhe shtetasit me nënshtetësi tjetër:

– A. Pashaj (nënshtetësi italiane) – I evakuuar / Igumenicë
– Jonel Lamcaj (nënshtetësi italiane) – I evakuuar / Aby Jeannette
– S. Qendro (nënshtetësi italiane) – I evakuuar / presim informacion mbi destinacionin
– J. Kristo – I evakuuar në Aby Jeannette

Ministria e Jashtme e Shqipërisë do të informojë në vijim për ecurinë dhe vendndodhjen e qytetarëve tanë sapo të kemi informacione, sepse vazhdon akomodimi nëpër qendrat e pritjes së pasagjerëve.

SHKON NE 8 NUMRI I VIKTIMAVE. MEDIAT: 38 TE ZHDUKUR
Ora 17:50 – Numri i të vdekurave vijon të rritet orë pas ore. Autoritetet në Itali konfirmuan pasditen e sotme se numri i viktimave ka shkuar në 8, ndërsa mediat flasin për 38 persona të zhdukur.

KOLONELI AHMET LEKA: ANIJA PO MENAXHOHET NGA RIMORKIATORËT ITALIANË
Ora 17:40 – Koloneli Ahmet Leka, komandant i Qendrës së Bashkuar Operacionale, konsideron se operacioni i shpëtimit të pasagjerëve të anijes “Norman Atlantic”, i cili u përfshi nga flakët në det të hapur,  ka qenë i suksesshëm dhe ekipet e kërkim-shpëtimit kanë bërë maksimumin e mundshëm në kushte mjaft të vështira atmosferike.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në  “News24”, kolonel Leka theksoi se aktualisht operacioni është përmbyllur, ndërsa rimorkiatorët italianë po e tërheqin anijen drejt destiancionit të duhur.

“Me informacionet e fundit që kemi marrë, rezulton që anija po tentohet të menaxhohet nga rimorkiatorët italianë drejt destinacionit të duhur. Mund të kërkohet edhe partneriteti privat, nëse do jetë e nevojshme, për të menaxhuar një situatë të tillë”- deklaroi leka.

Koloneli hedh poshtë lajmet e përhapura në mediat e huaja për disa pasagjerë të humbur, duke theksuar se tashmë janë evakuuar të gjithë shtetasit që ndodheshin në mjetin lundrues.

Duke iu referuar angazhimit të autoriteteve shqiptare ne këtë operacion, kolonel Leka tha se reagimi i anijes “Butrinti” ka qenë shumë i shpejtë dhe efikas.

SHKON NE 7 NUMRI I VIKTIMAVE, KAPITENI LARGOHET I FUNDIT NGA ANIJA
Ora 15:50 – Ka shkuar në shtatë numri i personave që humbën jetën, pas zjarrit në tragetin “Norman Atlantic”. Zyrtarisht u fol për 5 viktima, por në përfundim të operacionit të shpëtimit, Roja Bregdetare Italiane konfirmoi se kishte gjetur edhe dy trupa të tjerë të pajetë në det, duke e çuar në 7 numrin e të vdekurve. Tashmë në brendësi të anijes nuk ndodhet askush. Operacioni i shpëtimit rezultoi i suksesshëm, pavarësisht se nuk u arrit të shmangeshin viktimat. I fundit që është larguar nga trageti ka qenë kapiteni Argilio Giacomazzi, i cili ka konfirmuar se brenda mjetit nuk kishte mbetur asnjë pasagjer.

Ora 13:40- Shpëtohen të gjithë pasagjerët në tragetin italian. Nuk dihet ende identiteti i 4 kufomave të zbuluara sot që humbën jetën pasi trageti mori zjarr ne garazh.

13:00- Ministria e Mbrojtjes shqiptare: 5 të vdekur, 1 dje dhe 4 sot. Anija lëviz në gjendje të lirë në drejtim të brigjeve tona. 20 persona në bord Personat të evakuuar në qendrat e pritjes në Bari, Brindisi dhe Lecce. Lëvizja e tyre me mjete ushtarake dhe mjete rasti.

KODHELI: EVAKUIMI DREJT FUNDIT, 5 VIKTIMA, SHPËTOHEN 22 SHQIPTARË, NË OPERACION 2 ANIJET TONA
Ora 13:00-Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, në një konferencë për shtyp deklaron se operacioni i shpëtimit pas zjarrit në anijen “Norman Atlantic” po shkon drejt fundit.

Duke iu referuar një komunikimi me homologen italiane, Kodheli konfirmoi se viktimat janë 5, ndërsa shtoi se të 22 shtetasit shqiptar që ndodheshin në bord u evakuuan.

“Unë dua të falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë operacion sa të vështirë dhe të komplikuar, deti ishte në forcë 7-8 ballë, era e madhe dhe natën që shënoi këtë ndërmarrje të jashtëzakonshme që më vjen mirë që pothuajse ka përfunduar me evakuimin e 22 shqiptarëve që ishin në bord”, tha ministrja.

Ministrja shtoi më tje se për operacionin e shpëtimit u angazhuan forcat ushtarake të Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë.

“Kamandën e drejtoi partneri ynë Italia, në praninë e 3 anijeve luftarake, San Girogo anija që moti komandën. Pjesë e operacionit ishte edhe anija jonë e ruajtjes së kufirit e cila u angazhua 14 orë në operacion, mbrëmë është kthyer dhe e ka zëvendësuar anija tjetër ‘Lisus’ që është ende prezent në operacion”.

Më tej ministrja shtoi se, në qendrat e pritjes po bëhen verifikime për emrat e pasagjerëve në anije.

Ajo shtoi se, “Fati i zhvendosjes së tragetit do vendoset pasi të largohet nga aty edhe pasagjeri i fundit”.

RENZI: 5 VIKTIMA, MIRËNJOHJE EKIPIT TË SHPËTIMIT, SHMANGU NJË KASAPHANË
Ora 12:42- “Të vdekurit në traget janë pesë persona”. Këtë e konfirmon edhe kryeministrit italian Matteo Renzi në një konferencë për shtyp.

Ndërsa më tej ai shton se, “Ishte një operacion i mbushur me dedikim dhe teknikë që bëri të mundur evitimin e një kasaphane të vërtetë”.

Për ekipin e shpëtimit shpreh mirënjohjen e të gjithë italianëve. Puna e bashkatdhetarëve tanë na bën krenarë para flamurit dhe përkatësisë tonë”

Ai shtoi më tej se pritet të shpëtohen edhe 60 persona të tjerë nga trageti, ndërsa shtoi se numri mund të rritet pasi bëhet fjalë se në traget mund të ketë edhe klandestinë.

MPJ: NUMËR KONTAKTI PËR TË NJOHUR GJENDJEN E PASAGJERËVE SHQIPTARË
Ora 12:21- Ministria e Punëve të Jashtme vendos në dispozicion të familjarëve të pasagjerëve që ndodhen në bordin e tragetit “Norman Atlantic” numrin e kontaktit: +355 69 935 6685.

MPJ do të informojë opinionin publik për ecurinë e evakuimit të shtetasve shqiptarë hap pas hapi.

PROKURORIA E BRINDIZIT: PO HETOHET PËR MBYTJE E VRASJE TË QËLLIMSHME
Ora 12:17- Pas asaj të Barit, edhe Prokuroria e Brindizit ka hapur hetimet për zjarrin e rënë në anijen “Norman Atlantic”.

Sipas prokurorit Marco Dinapoli, po hetohet për një mbytje të shkaktuar qëllimisht, dhe tentativë vrasje.

MINISTRI GREK: JANË GJETUR 4 TË VDEKUR
11:55-Ministri grek i Marinës bën me dije se janë tërhequr nga uji 4 kufoma të 4 personave të humbur në tragetin “Norman Atlantic”.
GRUAJA E VIKTIMËS GREK: “ISHTE DHE NJË I VDEKUR TJETËR
Ora 11:53-“Pashë një person të vdekur. Kufoma e tij, notonte pranë burrit tim, Dukej që kishte dhënë shpirt. Kishte të veshur një jelek shpëtimi”, tregon Teodora Douli, gruaja e grekut 62-vjecar që humbi jetën dje në tratative për të shpëtuar nga flakët e anijes.
SHKON NË 379 NUMRI I TË SHPËTUARVE

Ora 11:26– Janë plot 379 pasagjerë që janë shpëtuar nga forcat ushtarake të ndihmës së shpejtë, ndërkohë që 99 presin ende në bord të tragetit.

GRUAJA E VIKTIMËS GREK: NA LANË NË DET 4 ORË, BURRI MË VDIQ
Ora 11:20-“Burri im dhe unë qëndruam për 4 orë në ujë. Tentova ta shpëtoj, por nuk ia dola dot. Ai më thoshte vazhdimisht, ‘do vdesim, jemi duke vdekur”. Kështu e nis Teodora Doulis, 56 vjec, bashkëshortja e 62-vjecarit grek që vdiq në fillim të incidentit të nisi në anije, shumë pak milje larg bregdetit shqiptar.

MPJ: JA EMRAT E 11 SHQIPTARËVE TË EVAKUUAR, JASHTË RREZIKUT PËR JETËN
Ora 11:15 Ministria e Punëve të Jashtme informohet nga Konsullata jonë në Janinë dhe Roja Bregdetare greke se në listën e pasagjerëve të evakuuar në bordin e anijes «ABY JEANNETTE» ndodhen shtetasit shqiptarë të mëposhtëm:

• Refik Aliko

• Sheraf Aliko

• Donika Aliko

• Jonel Lamcaj

• Festim Cuci

• Hasie Cuci

• Brunilda Cazo

• Jorgo Kristo

MPJ informon se anija «ABY JEANNETTE» ndodhet ende në zonën e operacionit për të dhënë ndihmën për pasagjerët e tjerë që po evakuohen.

MPJ jep informacione edhe për 3 shqiptarë të tjerë dhe ata të evakuuar, por që nuk ndodhen në anijen «ABY JEANNETTE». “Nga Konsullata jonë në Bari informohemi se shtetasja Senada Kolekaj ndodhet në Spitalin “Copertino” të Leces jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, nga Konsullata jonë në Bari informohemi se shtetasit shqiptarë Albert Mane dhe Alban Skëndaj kanë mbërritur në Portin e Barit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, thekson MPJ.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Konsullatat tona në Janinë dhe Bari ndjekin me përparësi ecurinë e evakuimit dhe do të informojnë qytetarët për të dhënat e reja hap pas hapi.
PRITET PËRKEQËSIM I MOTIT
Ora 11:04-Pritet përkeqësim i motit, përshpejtohet shpëtimi i pasagjerëve
“Në orët në vijim deti do të egërsohet dhe priten dallgë të fuqishmë në brigjet pulijeze”, bëjnë të ditur autoritetet portale italiane. Era pritet të fryjë me 60-70 km në orë, ndërkohë që dallgët arrijnë 3 dhe 4 metër.
PROKURORIA E BARIT NIS HETIMET
Ora 10:36-Prokuroria e Barit ka nisur hetimet mbi zjarrin që ra dje në tragetin italian duke rrezikuar jetën e disa qindra pasagjerëve. Prokurori Giuseppe Volpe, bëri të ditur se kanë nisur hetimet dhe se po merren në pyetje dëshmitarët si dhe pjestarë të shpëtuar nga ekuipazhi i anijes.

SHPËTOHEN 356 PERSONA
Ora 10:10-Bilanci i fundit, shpëtohen 356 persona, në bord mbeten dhe 122.
SHPËTOJNË 345 PERSONA

Ora 09:50-Marina italiane ka komunikuar se janë shpëtuar 345 persona nga trageti ‘Norman Atlantic’. Janë dhe 133 që presin të largohen nga trageti.

09: 57 Ministria e Mbrojtjes: Anija “Norman Atlantic” është në gjëndje të lirë pluskimi për shkak të këputjes së kavove të celikut. Ajo vazhdon të zhvendoset në gjëndje të lirë drejt derdhjes së lumit Seman. Operacioni vështirësohet edhe më tepër nga kushtet klimaterike. Deti është i forcës 5 ball me lartësi vale 3 m.

09.30 Ministria e Mbrojtjes: Në krahun e djathtë të anijës është riaktivuzuar një vatër tjetër zjarri, e cila është konstatuar nga anija “Lissus”. Po punohet për vënjen nën kontroll të flakëve dhe shuarjen e zjarrit.

SHPËTOJNË 329 PERSONA
Ora 09:25-Marina italiane ka komunikuar se janë shpëtuar 329 persona nga trageti ‘Norman Atlantic’. Janë dhe 149 që presin të largohen nga trageti.

DËSHMI: JANË 4 TË VDEKUR
Ora 09:20-Mund të rezultojë dramatik bilanci në tragetin “Norman Atlantic”. Një prej udhëtarëve të shpëtuar shprehet se ka parë në bordin e anijes 4 të vdekur. Ndërkohë bilanci zyrtar flet vetëm për një viktimë, një shtetas grek i quajtur Jorgos Doulis.
Por dëshmitari, një burrë i nacionalitetit turk e dha deklaratën sapo mbërriti në tokë sëbashku me 48 pasagjerë të tjerë të tragetit famëkeq “Norman Atlantic”.
Sipas tij, të vdekurit janë 2 gra dhe 2 burra.
“Katër besoj sepse ishte errësirë dhe nuk dalloheshin qartë, por ishin katër”. Dëshmitari thotë se shumë njerëz përfunduan në det.
“Pashë shumë njerëz që ranë në det. Nuk e di c’u bë me ta, nëse shpëtuan apo jo. Dëgjonim ulërima, shihnim tym, flakë dhe për 5 minuta, anija u përfshi e gjitha nga flakët. Mbeti shumë pak për t’u bërë. Ne mbetëm të izoluar në katin e fundit të tragetit”.
09: 18- Vazhdon zhvendosja e Anijes Norman Atlantik drejt Brindizit me 3 rimorkiatorë Italianë, ben me dije ministria e Mbrojtjes.

https://www.youtube.com/watch?v=-HHkC-9HRjY

316 TË SHPËTUAR
09:15-Marina italiane bën me dije se janë shpëtuar 316 persona nga trageti në det prej të cilit ende del tym. Në bord dhe 162 persona, mes tyre udhëtarë dhe pasagjerë.

Ja pamjet e derguara nga pasagjerët që ndodhen në anije: 

JA LISTA E PLOTE PASAGJEREVE SIPAS MINISTRISE DETARE GREKE

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2014/12/Emrat-e-pasagjereve-ne-anije.pdf”]

22 SHTETAS ME PASAPORTË SHQIPTARE NE ANIJEN “NORMAN ATLANTIC”

Autoritetet shqiptare bëjnë të ditur se në tragetin “Norman Atlantic” udhëtonin 22 shtetas me pasaportë shqiptare. Por sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, numri i shqiptarëve në anije mund të jetë edhe më i madh, pasi mund të jenë të pajisur me pasaporta të shteteve fqinje.

“Autoritetet shqiptare janë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet greke dhe italiane për të mundësuar dhënien e ndihmës për pasagjerët e ndodhur në bord. Autoritetet shqiptare do të informojnë në vazhdim opinionin publik për ecurinë e operacionit.”- bëri të ditur Ministria e Jashtme.

Shqiptarët në traget: K.Zhuri, P.Zhuri, A.Zhuri, A.Skendaj, J.Qerama, X.Parangoni, L.Ndreu, R.Mane, S.Kolekaj, B.Kazo,V.Kane, G.Gega, F Cuci, H Cuci, Riza Cela, Leopard Beqiraj, Enkelejda Beqiraj, Aleksander Beqiraj, R.Aliko, D.Aliko, S.Aliko, H.Cukja, S.Qendro, A.Pashaj, D.Sejko.

Ora 07:45 Flakët e anijes Norman Atlantic janë fikur plotësisht, njofton ministria e Mbrojtjes.

VIJON OPERACIONI PËR SHPËTIMIN E PERSONAVE, TE SHPETUARIT TRANSPORTOHEN NE BARI

Ora 6:45-Vijon operacioni për shpëtimin e personave në bordin e anijes ‘Norman Atlantic’. Sipas raporteve të Marinës Italiane kanë arritur të shpëtojnë nga bordi i anijes 254 persona, ndërkohë që 49 prej tyre janë rrugës për në Bari dhe ndodhen në anijen ‘Fryma e Tregtarëve të Pierut’. Fillimisht ishte menduar që kjo anije të drejtohej drejt Brindisit por për shkak të dallgëve në det, kjo anije po zhvendoset drejt Barit. Po kështu sipas mediave Italiane në bordin e anijes ndodhen ende 224 persona.

Ora 05:15 Me urdhër të MM dhe SH.SH.P është nisur nga porti i Durrësit për në Zonën e Operacionit të Kërkim-Shpëtimit anija “Lissus”.

Ora 04:24 Janë evakuuar 221 pasagjerë dhe deri tani një person ka humbur jetën. Operacionet e kërkim shpëtimit vazhdojnë nën koordinimin e palës Italiane, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Ora 03:02 Trageti lidhet me kavo çeliku me rimorkiatorët dhe nis lëvizjen drejt Brindizit, bem me dije Ministria e Mbrojtjes.

BRINDISI, PËRGATITJE PËR TË NDIHMUAR 49 TË SHPËTUARIT. DËSHMIA E SHQIPTARIT QË KISHTE VËLLANË NË BORDIN E ‘NORMAN ATLANTIC’

Ora 02:34-Në Itali kanë nisur përgatitjet për të ndihmuar 49 pasagjerët e ‘Norman Atlantic’ të cilët mbërrijnë në Brindisi, pasi u evakuuan dhe u vendosën në bordin e anijes ‘Fryma Tregtare e Pireut’. Sipas mediave italiane ‘në terminalin ku pasagjerët do të mirëpriten ka ardhur edhe vëllai i një prej të mbijetuarve, i cili është shqiptar dhe quhet Altin Mane. Në këtë shkrim mediat italiane përshkruajnë fjalët drithëruese dhe të Altinit, i cili thotë

“Vëllai im Roberti është në atë anije. Ishim shumë të shqetësuar, e kam telefonuar atë gjatë gjithë ditës. Kemi folur shkurt në telefon për shkak të situatës në ti cilën ndodhej. Doja të dija si ishte’-shkruajnë mediat italiane….

VIJON OPERACIONI NGA AJRI PËR SHPËTIMIN E 287 PASAGJERËVE

 Ora 01:32-Nuk kanë të përfunduar orët e tmerrit për 287 pasagjerët që ende ndodhen në bordin e anijes ‘Norman Atlantic’, e cila u përfshi nga një zjarr orët e para të mëngjesit të së dielës, 45 milje nga brigjet e Korfuzit. Mësohet se çdo përpjekje shpëtimi po bëhet nga ajri për shkak të detit të trazuar. Sipas mediave italiane këmbëngulja për të transferuar ‘Norman Atlantic’ shkakton probleme për shkak të një distance 5 herë më larg se ajo e brigjeve në Shqipëri. ‘287pasagjerët janë të shqetësuar duke pritur në të ftohtë dhe breshër për shpëtimin e tyre, ndërsa familjet jetojnë me ankthin duke mos ditur se çfarë po ndodh me të dashurit e tyre’-shkruajnë mediat greke. Italianët, të cilët kanë kontrollin dhe koordinimin e operacionit të shpëtimit, këmbëngulin rimorkimin anijes në Portin e Brindisit. Sipas ministrit grek të Mbrojtjes Nikos Dendias, tetë helikopterë italianë dhe një helikopter ‘Super Puma’ i forcave ajrore nga Leçe, po marrin pjesë në evakuimin e banorëve. Sipas raportimeve më të fundit deri më tani 192 njerëz kanë janë evakuuar. 39 prej të mbijetuarve kanë lëvizur tashmë në anije mallrash ‘Aby Jeannete’, 51 të tjerë janë shpëtuar nga helikopterë ‘Europa Cruise’, 49 në bordin e Frymës së Pireus, 29 prej të cilëve ishin grekë. 9 persona të tjerë janë shpëtuar nga helikopterë të rojës bregdetare italiane në Leçe. Vijon operacioni nga ajri për shpëtimin e pasagjerëve.

ORET

GREQI-SHQIPERI-ITALI OPERACION MASIV SHPETIMI

Shtatë anije shpëtimi nga Greqia, Italia dhe Shqipëria po vijojnë prej disa orësh operacionin për evakuimin e pasagjerëve. Në zonën përreth tragetit fluturojnë edhe 5 helikopterë, ndërsa anija ‘Evinos’ po përdoret si platformë për uljen e helikopterëve. Mediat greke flasin për një betejë me kohën, teksa operacioni  i shpëtimit për pasagjerët vijon në kushte tepër të vështira, pasi erërat e forta dhe stuhitë e vështirësojnë punën. 7 anije që ndodhen pranë tragetit, po përpiqen të krijojnë një kordon mbrojtës, ndërkohë që pasagjerët përjetojnë momente paniku. Në pjesën e dytë të operacionit të shpëtimit janë evakuuar 56 persona, ndërsa 150 prej tyre u evakuuan më herët me varka shpëtimi, proces që u ndërpre për shkak të ndërprerjes së energjisë në anije.

 

Mediat italiane: Dështon një përpjekje për tërheqjen e anijes

Ora 22:35– Me gjithë vështirësitë, motin e keq, tymin dhe flakët edhe në orët e mbrëmjes ka vijuar operacioni për evakuimin e personave që ndodhen në bordin e anijes “Norman Atlantic”. Numri i të evakuuarëve ka arritur në 192.

Ndërkohë mediat italiane raportojnë se ekziston mundësia që anija të transportohet drejt brigjeve të Brindisit. Distanca e anijes është 50 milje nga brigjet italiane. Gjithashtu mediat italiane, pohojnë se ka dështuar një përpjekje për tërheqjen e anijes.

Arrin në 190 numri i të evakuuarëve

Ora 22:23- Vijon operacioni për evakuimin e udhëtarëve të anijes “Norman Atlantic”, ndërsa bëhet e ditur se numri i personave që janë evakuuar ka arritur në 190. Sipas raportimeve dhe të dhënave të vazhdueshme nga strukturat shqiptare të angazhuara dhe në gatishmëri, ka një përmirësim të lehtë të kushteve atmosferike.

Kodheli: Deri tani janë evakuuar 170 pasagjerë, anija 37 milje nga Durrësi

Ora 20:01– Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka folur nga Durrësi për gjendjen e anijes që ndodhet në flakë. Kodheli ka deklaruar se deri tani janë evakuuar 170 pasagjerë, ndërkohë që ndodhet rreth 37 milje nga Durrësi.

“Deri tani janë evakuuar 170 pasagjerë. Anija ‘Butrinti’ vijon operacionin bashkë me anijet e tjera. Trageti është 37 milje nga Durrësi. Errësira vështirëson operacionin. Po diskutohet me palën greke dhe atë italiane për

rimorkimin e tragetit. Komanda italiane drejton operacionin”, ka thënë ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila ndodhet në Durrës, në mbështetje të autoriteteve për të qenë në gatishmëri për çdo situatë dhe ndihmë të kërkuar për anijen “Norman Atlantik”.

MPJ: JANË EVAKUUAR 6 SHQIPTARË

Ora 19:31- Ministria e Punëve të Jashtme njofton se, sipas informacioneve të Rojes Bregdetare greke, në listën e pasagjerëve të mbijetuar dhe që tashmë ndodhen në bordin e anijes malteze “ABY JEANNETTE” ndodhen dhe shtetasit shqiptarë të mëposhtëm: Refik Aliko, Sheraf Aliko, Donika Aliko, Jonel Lamcaj, Festim Cuci dhe Hasie Cuci. Deri tani nga anija janë evakuuar 165 persona. Ndërkohë megjithëse zyrtarisht u pohua se në anije ndodheshin 22 shqiptarë, MPJ nuk përjashton mundësinë që numri i tyre të jetë më i madh, për shkak të dyshtetësisë.

Anija anohet me 7 gradë, shqyrtohet mundësia për rimorkimin me gjithë pasagjerë

Ora 19:00- Ndërkohë bëhet e ditur se anija e përfshirë nga flakët “Norman Atlantik” është anuar me 7 gradë. Shkak për këtë është bërë uji që po hidhet për shuarjen e zjarrit. Fundosja e anijes u paralajmëruar Gjeneral Qemal Shkurti, komandant i Forcës Detare shqiptare. Mendohet që anija të rimorkiohet me gjithë pasagjerë. Ministri grek i Mbrojtjes ka folur me homologen shqiptare Kodheli e cila ka deklaruar se ndodhen në gatishmëri për pritjen e pasagjerëve të anijes. Por vendimin e merr pala italiane, që drejton operacionin. Ministri Dendias tha se kushtet e motit janë të mbrapshta por megjithatë as natën nuk do të ndalet operacioni i shpëtimit.

Pasagjerët që ndodhen në anije përballen çdo sekondë me frikën e një fundosje të mundshme. “Kemi frikë nëse anija do të rezistojë”, shprehen ata.

165 PERSONA TE EVAKUUAR

Ora 18:15- Shkon në 165 numri i të evakuuarëve. Vijon operacioni i shpëtimit dhe evakuimit tw pasagjerwve tw anijes italiane “Norman Atlantik”, arrin në 165 numri i të evakuuarëve.Konfirmohet se personi që vdiq në anije është një shtetas grek.Viktima në anije është identifikuar si shtetasi grek Jorgos Dulis

161 PERSONA TE EVAKUUAR, ANIJA RIMORKIOHET, NE PRITJE PER TE LEVIZUR

Ora 18:00– Shkon në 161 numri i të evakuuarve nga anija “Norman Atlantik”. Vijon operacioni i shpëtimit në kushte të këqija moti. Anija është rimorkiuar, në pritje për t’u lëvizur. Anija “Norman Atlantik” do të transportohet në bregdetin shqiptar. Mbi 300 pasagjerë mbeten në anijen që digjet në det. Një i vdekur e 2 të plagosur gjatë operacionit të shpëtimit. Mbërrin në Pulia gruaja me trupin e bashkëshortit të vdekur.

QEVERIA: FORCAT DETARE DHE AJRORE SHQIPTARE NË GATISHMËRI MAKSIMALE

Ora: 17:35- Qeveria shqiptare ka dhënë disa informacione në lidhje me anijen në flakë “Norman Atlantic” si dhe për operacionin e shpëtimit të saj. Sipas të dhënave më të fundit, anija gjendet rreth 12 milje në veri perëndim të ishullit të Sazanit, në kufirin e ujërave territoriale shqiptare.

Deri më tani kanë mundur të shpëtojnë rreth 146 pasagjerë, por fatkeqësisht numri i personave që gjenden ende në bord të anijes është mbi 300.

Kushtet e motit janë ekstremisht të vështira, çka e bën të pamundur tërheqjen e anijes me rimorkiator.

Aktualisht, forcat detare dhe ajrore shqiptare janë në gatishmëri maksimale. Anija luftarake “Butrinti” ndodhet nga mëngjesi pranë anijes në avari dhe ekuipazhi shqiptar është pjesë aktive e operacionit të shpëtimit. Anijet luftarake “Iliria” dhe “Lisus” janë në gatishmëri në portin e Durrësit dhe mund të bëhen pjesë e operacionit në çdo moment që do ta kërkoj Flota Detare Italiane, që po koordinon operacionin.

Ekspertët shqiptarë, italianë dhe grekë janë të mendimit se drejtimi i erës dhe valëzimit mund të sjellin nevojën që anija greke të ankorohet në një nga portet shqiptare. Pikërisht prandaj, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Transporteve dhe Ministria e Jashtme kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të përballuar situatën.

Ministria e Punëve të Brendshme ka kaluar në gatishmëri të përforcuar shërbimet e Policisë Kufitare në Portet e Vlorës dhe Durrësit duke i mbështetur ato edhe me efektiva shtesë nga Policia e Rendit. Është udhëzuar personeli i Pikave të Kalimit Kufitar për procedurën emergjente që duhet të ndiqet për të lehtësuar zbritjen e pasagjerëve nga trageti dhe dhënien e ndihmës së parë mjekësore.

Ministria e Transportit ka vënë në gatishmëri kapitaneritë e porteve detare të Vlorës dhe Durrësit, me të gjitha kapacitetet e tyre për të orientuar dhe lehtësuar sa më shumë ankorimin e tragetit.

Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë janë vënë në gatishmëri të plotë spitali i Durrësit, urgjenca e Tiranës dhe Spitali i Traumës në Tiranë. Në orën 18:30 në spitalin e Durrësit do të mblidhet Shtabi i Emergjencës i kryesuar nga Ministri Beqaj për të koordinuar të gjithë ndihmën mjekësore që mund të nevojitet në rast të ankorimit të anijes në portin e Durrësit.

Kontaktet mes qeverisë shqiptare dhe qeverive italiane dhe greke janë të vazhdueshme. Ministri Tahiri ka zhvilluar një telefonatë me homologun e tij italian Alfano, ndërkohë që Kryeministri Rama ka folur me Kryeministri grek Samaras, me të cilin kanë koordinuar vazhdimin e operacionit.

Komandanti i Forcës Detare, Shkurti: Të konfirmuar 22 shqiptarë, mund të jenë edhe më shumë

Ora 17:30- Komandanti i Forcës Detare, Gjeneral Qemal Shkurti ka konfirmuar se për shkak të hedhjes vazhdimisht ujë në anije, ajo rrezikon të mbytet, megjithatë evakuimi vijon të kryhet.

“Anijes i hidhet ujë vazhdimisht, ndaj rrezikohet edhe mbytja e anijes. Megjithatë  po vijon evakuimi. Ne kemi teknikën dhe mjetet e nevojshme. Janë marrë masa nga Ministria e Mbrojtjes për transportin e pasagjerëve, drejt qendrave spitalore apo kudo ku të jetë e nevojshme. Qendra operacionale jona ka qenë në koordinim me autoritetet përkatëse në Greqi dhe Itali. Duke shkëmbyer informacion dhe duke koordinuar veprimet. Deri në fund të operacionit shpresojmë të arrihet evakuimi i pasagjerëve”, deklaroi Gjeneral Qemal Shkurti.

Ai tha se anija vijon të lundrojë por pa mundur të lëvizë, ndërkohë që shtoi se 22 shqiptarë janë të konfirmuar që ndodhen në bord, por mund të ketë edhe më shumë.

“Janë 22 shqiptarë e konfirmuar në bazë të listës së personelit të pasagjerëve që kanë qenë në anije. Mund të ketë edhe më shumë, por 22 janë të konfirmuar. Anija vijon të lundrojë por pa mundur të lëvizë. Anija jonë vijon operacionin rreth e qark anijes që rrezikon, për të vëzhguar operacionin e evakuimit, për ndihmë apo për çfarëdo problemi”, tha Gjeneral Qemal Shkurti.

Drejtori i Policisë Kufitare, Merepeza: Situata e vështirë, 7 të evakuar me helikopterë në Itali

Ndërkohë, Drejtori i Policisë Kufitare Genc Merepeza tha se pavarësisht se nuk kanë ndërhyrë në det të hapur, janë marrë masat në portet e vendit, të cilat janë në gatishmëri për të pritur pasagjerët e anijes por edhe për autobusët që mund të vijnë nga Greqia, vend nga i cili janë një pjesë e madhe e personave që ndodhen në bordin e anijes që rrezikon.

“Strukturat e Ministrisë së Brendshme, të Policisë së Shtetit, morën masa për të mbajtur në gatishmëri strukturat kufitare pasi patëm informacion nga pala greke, një pjesë e shtetasve ishin grekë dhe do vinin autobusë ti merrnin pasi të zbrisnin. Janë marrë masa për akomodimin dhe dhënien e ndihmës së parë për këta shtetas. Nga rojet bregdetare greke na ka ardhur një informacion se 7 pasagjerë janë transportuar drejt Italisë të dehidratuar, po merren masa për evakuimin e personelit tjetër. Situata është e vështirë. Mjetet që ka policia jonë kufitare nuk e përballojnë detin por janë në gatishmëri kur anija të afrohet në brigje. Të gjitha strukturat shtetërore janë të mbledhura dhe po monitorojnë situatën. Të tre portet janë gatishmëri”.

158 PERSONA TË EVAKUUAR
Ora 17:30
Mësohet se numri i të shpëtuarve ka arritur në 158. Vijon operacioni për shpëtimin e pasagjerëve në anijen e djegur në mes të Adriatikut.
TË PLAGOSUR 2 PERSONA

Ora 17:20-Mësohet për dy të plagosur, një pasagjer dhe anëtar i Marinës

TAHIRI-ALFANO: PORTET E SHQIPËRISË NË GADISHMËRI MAKSIMALE PËR TË PËRBALLUAR ÇDO SITUATË

Ora 17:00-Ministri i Brendshëm italian, Angelino Alfano i ka telefonuar ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, me të cilin ka biseduar lidhur me situatën e krijuar në tragetin “NORMAN ATLANTIC”. Në njoftimin për shtyp bëhet me dije se të dy ministrat kanë shkëmbyer informacione për ecurinë e deritanishme të operacionit të shpëtimit.

Ministri Tahiri e informoi Alfanon se e gjithë infrastruktura pritëse në të gjitha portet e Shqipërisë është në gadishmëri maksimale për të përballuar çdo situatë që mund të krijohet nga ankorimi i tragetit në këto porte dhe emergjencës shëndetsore për pasagjerët.

Sipas Alfanos 138 pasagjerë janë evakuuar tashmë dhe ndërkohë vijon operacioni për shpëtimin e çdo pasagjeri.

Të dy ministrat po mbajnë kontakt të vazhdueshëm personal për përballimin e situatës emergjentë.

Trageti tashmë ka hyrë në ujërat shqiptare. Ai lëviz në mënyrë të pakontrolluar, ndërsa anijet e shpëtimit qëndrojnë rreth tij për të bllokuar dallgët, pasi është thuajse e pamundur të mundësohet evakuimi i personave që janë ende në bord për shkak të dallgëve që arrijnë deri në 8 ballë. Sipas Kapitenerisë së Vlorës, trageti është duke lëvizur në drejtim të Veriut, drejt Durrësit.

156 PERSONA TË EVAKUUAR
Ora 17:00-Mësohet se numri i të shpëtuarve ka arritur në 156. Vijon operacioni për shpëtimin e pasagjerëve në anijen e djegur në mes të Adriatikut, ku deti me forcën disa ballë po vështirëson punën për evakuim.


MEDIAT ITALIANE: NJË PERSON KA HUMBUR JETËN

Ora 16:50-Një person dyshohet se ka humbur jetën në përpjekje për të shpëtuar teksa largohej nga trageti. Mediat italiane shkruajnë se, një shtetas ka rënë në det teksa përpiqej të hipte në varkën e shpëtimit bashkë me gruan.

https://www.youtube.com/watch?v=MDPDGsI3K5o

149 PERSONA JANE EVAKUUAR
Ora 16:40-
Jane plot 149 persona qe jane evakuuar nga anija deri ne keto momente.

KRYEMINISTRI EDI RAMA I TELEFONON SAMARAS: OFROJMË MAKSIMUMIN E NDIHMËS SONË

Ora 16:30-Pas orës 16:00, mësohet se kryeministri shqiptar Edi Rama i ka bërë një telefonatë kryeministrit grek Samaras.
Rama i ka ofruar Samaras gjithë ndihmën e mundshme me të gjitha mjetet në dispozicion për operacionin e shpëtimit në Adriatik.


Madje në rrjete sociale, Facebook e Twitter, Rama shkruan,
“Jemi vazhdimisht në kontakt me palët italiane e greke e po bëhet maksimumi në kushtet e një moti të tërbuar që përbën një pengesë ekstreme!”.

DËSHMI TRONDITËSE E NJË PASAGJEREJE TË SHPËTUAR NGA ANIJA NË FLAKË

Ora 15:30-Një pasagjere greke e cila ka shpëtuar nga flakët në anijen italiane “Norman Atlantic” jep dëshmi rrëntheqëse rreth ngjarjes. Sipas saj, jo vetëm që askush nga ekuipazhi nuk i ndihmoi për të shpëtuar jetën, porse dhe alarmi për zjarrin u dha tepër vonë.
“Shpëtuam me një varkë që mori 40-50 njerëz. Mbiztotëronte paniku, askush nuk e dinte cfarë po ndodhte për momentin. Alarmi për zjarrin u dha tepër vonë, kur flakët arritën katin e gjashtë. Ndihmë nuk pati as nga ekuipazhi”.


TRE FËMIJË NË SPITAL NË GJENDJE HIPOTERMIE

Ora 14:00-Tre fëmijë që udhëtonin me tragetin “Norman Atlantic”, i cili mori flakë gjatë udhëtimit nga Igumenica drejt Ankonës, janë transportuar në gjendje hipotermie në spitalin e Leces në Itali. Mediat e shtetit fqinj bëjnë të ditur se fëmijët janë të moshës 2 dhe 3 vjeçare dhe kanë paraqitur probleme shëndetësore, për shkak të qëndrimit në të ftohtë për një kohë të gjatë. Ndërkohë mësohet se në spital janë transportuar me helikopterë edhe tre gra, të cilat po ashtu kanë patur temperaturë të lartë, por gjendja e tyre është e qëndrueshme.
KAPITENI: ANIJA E PAMENAXHUESHME
Ora 13:00
-Kapiteni  i anijes “Norman Atlantic” u ka komunikuar autoriteteve portale greke se anija është e pamenaxhueshme dhe mjeti lundrues është drejtuar drejt brigjeve shqiptare.

RENZI DHE SAMARAS: PO NDJEKIM SITUATEN
Ora 12:30
-Kryeministri italian Matteo Renzi dhe ai grek Samaras po ndjekin situatën në tragetin e linjës Igumenica-Ankona. Ata sigurojnë se autoritetet e të dyja vendeve janë në këmbë dhe po punojnë për të shpëtuar të gjithë pasagjerët.

MINISTRI GREK I MBROJTJES: OPERACIONI I VESHTIRE
Ora 12:00
-Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias bëri të ditur se operacioni i shpëtimit është tepër i vështirë. “Po punohet me vështirësi, shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë.”- tha Dendias.

Ora 10:00-MINISTRIA E MBROJTJES SHQIPTARE NIS ANIJEN ‘BUTRINTI’ DREJT TRAGETIT QË ËSHTË PËRFSHIRË NGA FLAKËT

Ministria e Mbrojtjes u angazhua në operacionin e shpëtimit të pasagjerëve që ndodheshin në bordin e tragetit “Norman Atlantic”, nder te cilët 22 shtetas shqiptare, pas njoftimit për zjarr në garazhin e saj.

Sipas një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Mbrojtjes, Qendra e Bashkuar e Koordinim Shpëtimit në Pire(JRCC), Greqi, në ora 06:50, të dites së sotme, njoftoi Qendrën Kombëtare të kërkim Shpëtimit në QBO Shqiperi se trageti “Norman Atlantic” i linjës Igumenicë (Greqi) – Ancona (Itali), ka kërkuar ndihmë, pasi në hangarin e tragetit kishte rënë zjarr. Anija ndodhej 16 milje në veri perëndim të ishullit të Sazanit, por jashtë ujrave territoriale të Republikës së Shqipërisë. Nga JRCC Greqi, u bë e ditur se ishin nisur në drejtim të Tragetit “Norman Atlantic” , anija “Cruz Europe” dhe 5 helikopterë (nga pala greke dhe italine). “Komanda e Forcës Detare ka angazhuar menjëherë anijen e gatshme në Operacion SAR. Menjëherë është nisur anija Butrinti drejt zonës së operacionit ku ndodhet aktualisht”, njofton Ministria e Mbrojtjes. Anija Butrinti është angazhuar në evakuimin e pasagjerëve si dhe shuarjen e zjarit në tragetin “Norman Atlantic”. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi.Kodheli, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Major Jeronim Bazo, thuhet ne njoftimin per shtyp, po ndjekin hap pas hapi operacionin. Sipas burimeve zyrtare, ministrja Kodheli ka komunikuar me homologen italiane ministren Roberta Pinotti lidhur me operacionin dhe kontributin e dy vende në këtë operacion. Ndërsa shefi i shtabit gjeneralmajor Jeronim Bazo, shtuan burimet, ka pasur komunikime të vazhdueshme me homologun e tij grek.
PAPA LUTET PER SHPETIMIN E PASAGJEREVE

ORA 09:50-Edhe Papa Francesku është lutur sot për shpëtimin e pasagjerëve në anijen “Norman Atlantic”, ashtu si gjithë Greqia, Italia dhe Shqipëria luten për shpëtimin e shtetasve të tyre.

DESHMITE E PARA

Ora 08:00-“Nëse nuk digjemi, do vdesim nga të ftohtët”, “Thyem dritaret sepse nuk marrim dot frymë”, “Po digjemi lutuni për ne”, “Ka erë tymi në kabina. Ka shumë fëmijë dhe të moshuar. Ne qëndrojmë afër njëri-tjetrit dhe përpiqemi të jemi ngrohtë”, janë këto disa nga fjalitë që pasagjerët shqiptojnë në lidhjet telefonike në televizionet greke.

Edhe Papa Francesku është lutur sot për shpëtimin e pasagjerëve në anijen “Norman Atlantic”, ashtu si gjithë Greqia, Italia dhe Shqipëria luten për shpëtimin e shtetasve të tyre.

PERFSHIHET NE FLAKE NJE TRAGET ITALIAN NE UJRAT GREKE
Ora 07:00-Përfshihet nga flakët në afërsi të Korfuzit, një anije pasagjerësh që udhëtonte nga Igumenica drejt portit të Ankonas në Itali. Sipas mediave greke, në anijen italiane “Norman Atlantic” të kompanisë Grimaldi, udhëtonin rreth 478 persona, ndërsa zjarri dyshohet të ketë rënë rreth ores 04:00 herët të së dielës në mëngjes në garazhin e tragetit, ku ndodheshin edhe 222 automjete. Mësohet se në bordin e tragetit ishin 478 persona, 268 prej të cilëve me kombësi greke, mbi 100 italianë dhe 25 shtetas me pasaportë shqiptare, ndërsa 54 persona janë pjesë e ekuipazhit. Sipas të dhënave nga anija janë evakuuar 6 shqiptarë.

Pasagjerët kanë telefonuar në televizionet greke, ku kanë bërë të ditur se fatmirësisht nuk ka asnjë person të lënduar në bordin e anijes. Por sipas tyre, ndërsa priten ekipet e shpëtimit, në bord është përhapur panik dhe pasagjerët dëgjohen teksa bërtasin “Po digjemi, po digjemi.

(er.nu/ar.sh/d.b/a.jole/os.de/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb