(në përditësim)
*MM: Ja kontakti i fundit me helikopterin EC 145
*Kodheli, Tahiri dhe Beqaj drejt Shkodrës
*Dëshmitari: I plagosuri kërkoi ndihmë, e çova në spital
*Trupat e viktimave nxirren nga liqeni, i plagosuri transportohet në Tiranë
*Mjeku tek Trauma: Geraldi me fraktura, i traumatizuar

SHKODËR- Një ngjarje tragjike ka ndodhur mesditën e kësaj të mërkure kur një helikopter i Ushtrisë u rrëzua në Malësi të Madhe për arsye ende ty panjohura. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, ndërsa helikopteri ka rënë në liqenin e Shkodrës pranë fshatit Grizhë, duke shkaktuar vdekjen e kapitenit Florian Deliaj dhe togerit Donald Hoxha. I plagosur ka mbetur ushtari profesionist Gerald Baramuca, siç konfirmon edhe Ministria e Mbrojtjes.

Në një deklaratë të saj, Ministria e Mbrojtjes bën me dije se helikopteri ishte në fluturim stërvitor, ndërsa humbi kontaktet.

Kanë qenë banorët e fshatit Grizhë ata që kanë dhënë alarmin. Madje ata kanë mundur të nxjerrin nga helikopteri i rrëzuar në ujërat e liqenit të Shkodrës, të plagosurin Gerald Baramuca. Pas dy orësh polumbarët arritën të nxjerrin edhe trupat e viktimave nga liqeni.

Mësohet se helikopteri i rrëzuar është një prej 3 të rinjve të marrë së fundmi nga FA-të, i tipit EC 145 dhe se ndodhej me një mision fluturimi në këtë zonë. Fshati Grizhë ndodhet rreth 30 kilometra nga qyteti i Shkodrës.

MJEKU TEK TRAUMA: GERALDI ME FRAKTURA, I STRESUAR DHE I TRAUMATIZUAR
Mjeku Artit Duni në spitalin e Traumës flet për gjendjen e të plagosurit Gerald Baramuça. Sipas mjekut, “ai ka fraktura në krah dhe kraharor” dhe se “është i stresuar dhe i traumatizuar”.
MBËRRIN NË SPITALIN E TRAUMËS I PLAGOSURI BARAMUÇA
Rreth orës 17:57 i plagosuri Gerald Baramuça është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ka folur me familjarët. Në një prononcim për News 24, ata kanë deklaruar se: “Geraldi është në gjendje të mirë, ka gërvishtje në fytyrë dhe plagë në kokë”. Sakaq familjarët rrëfejnë se ai ka tre vite në ushtri.

BAZO: PO HETOHET PËR RRËZIMIN E HELIKOPTERIT
Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura Gjeneral Jeronim Bazo në deklaratën e parë publike pas aksidentit tragjik ku tre ushtarakë humbën jetën, bëri me dije dinamikën e ngjarjes.

Sipas tij, helikopteri ishte në një fluturim stërvitor kur u rrëzua, ndërsa do të duhet kohë, maturi dhe saktësi për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Duke kërkuar mirëkuptimin e mediave, Bazo konfirmoi se helikopteri i rrëzuar është njëri prej helikopterëve që FA-ve i janë shtuar në nëntor të vitit të kaluar.

Bazo nuk nguroi të deklarojë se ushtarakët që humbën jetën ishin ndër më të mirët në FA, ndërsa shprehu ngushëllimet për familjet e tyre.

“Helikopteri EC 145 është futur në përdorim në nëntor të vitit të kaluar, të dy helikopterët sapo janë marrë nga FA dhe ishin brenda kësaj periudhe fluturimi. Itinerari i fluturimit ishte brenda trajektores të miratuar në stërvitje rutinë. Ky helikopter shërbente për operacione kërkim-shpëtimi. Pilotët ishin me përvojë të lavdërueshme, të trajnuar brenda dhe jashtë vendit. Kërkoj mirëkuptimin tuaj pasi në të tilla raste të ngjashme kudo në botë kërkohet kohë, maturi dhe saktësi për të hedhur dritën e duhur për incidentin në fjalë. Sa të kemi informacione do ti ndajmë me publikun”,- iu përgjigj Bazo interesimit të mediave.

DEKLARATA E PLOTE:
Është një dalje jo e zakontë kjo e sotmja, është një dalje që nuk do ta dëshironte askush.
Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura njoftojnë se gjatë një fluturimi rutinë stërvitor të planifikuar dhe miratuar më parë, një helikopter i Forcave Ajrore është aksidentuar në rajonin Grizhë të Malësisë së Madhe.
Helikopteri EC 145 me numër bordi 637 kishte në bord 3 ekuipazh, kapiten Florian Deliaj, toger Donald Hoxha dhe ushtar profesionist Gerald Baramuça.

Me keqardheje më duhet të bej me dije se dy nga anëtarët e ekuipazhit, Kkapiten Florian Deliaj dhe toger Donald Hoxha kanë humbur jetën, ndërsa i treti, ushtar profesionist Gerald Baramuça po trajtohet në spitalin rajonal të Shkodrës dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Forcat e Armatosura kanë humbur dy ushtarakë të devotshëm, dy pilotë të talentuar që gjithmonë kanë qenë të gatshëm të sakrifikojnë për të tjerët. Në emër të Mistrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe gjithë personelit të FA përcjellim ngushëllimet tona më të ndjera për familjet e të rënëve në krye të detyrës, ndërkohë që i urojmë shërim të shpejtë të plagosurit.

Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm në mënyrë të menjëherëshme kanë angazhuar të gjitha burimet në dispozicion për të hedhur dritë mbi rrethanat në të cilat ka ndodhur aksidenti tragjik.

Janë shumë pyetje që kanë nevojë për përgjigje, por do të kërkoja mirëkuptimin tuaj që t’i japim kohën e nevojshme procesit të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes për të cilat jemi të gjithë të interesuar.

A ka dalë helikopteri nga trajektorja?
Helikopteri EC-145 është futur në përdorim të FA në nëntor të vitit të kaluar. Të dy helikopterët EC-145 sapo janë marë nga FA, në bazë të kontratave disavjeçare tashmë dhe ishin brenda kësaj periudhe fluturimi. Ndërkohë sikundër e thashë më lart, itinerari i fluturimit të këtij helikopteri ishte brenda trajektores, itinerarit të miratuar gjatë një stërvitjeje fluturimi rutinë, apo siç e quajmë ne, fluturim për njohje, pasi ky helikopter shërbente për operacionet e kërkim – shpëtimit. Ky ishte qëllimi i fluturimit.

Sa vite eksperiencë kishin pilotët dhe cili dyshohet se ka qenë shkaku?
Dy pilotët janë me një përvojë të lavdërueshme, të kënaqshme, të trajnuar gjërësisht brenda dhe jashtë vendit. Do t’ju kërkoja mirëkuptimin tuaj pasi në të tilla raste të ngjashme kudo në botë, kërkohet një kohë e domosdoshme maturie, saktësie profesionale për të hedhur dritën e duhur mbi incidentin në fjalë. Ne ju premtojmë në çdo kohë që do të kemi informacionet e duhura, do t’i ndajmë me publikun e interesuar dhe opinionin në Republikën e Shqipërisë, të cilët njësoj si ne, jam i sigurt, ndajnë të njëjtin hidhërim, respekt dhe mirënjohje për punën e lavdërueshme të pilotëve.

A i është nënshtruar kontrollit teknik helikopteri?
Është ende herët, pritet të mbidhen të dhënat e duhura dhe maturia e domosdoshme që kërkohet në këto raste, si kudo në ngjarje të tilla në botë. Përsa i takon kontrolleve, gjithçka është bërë brenda rregullave të fluturimit dhe të përgatitjeve përkatëse që bëhen në këto raste.

SHEFI I URGJENCËS: I PLAGOSURI JASHTË RREZIKUT PËR JETËN
Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka deklaruar se personi i plagosur në aksident, ushtari profesionist Gerald Baramuça është jashtë rrezikut për jetën.

PERSONI QË TRANSPORTOI TË PLAGOSURIN: KËRKOI NDIHMË
Një nga dëshmitarët në vendngjarje dhe personi që transportoi drejt spitalit ushtarin profesionist Gerald Baramuça, Skënder Cenaj rrëfen momentet e para të aksidentit.

“Kam dëgjuar zhurmë, i plagosuri kërkoi ndihmë”, – tha Cenaj.

TRUPAT E VIKTIMAVE NXIRREN NGA LIQENI I SHKODRES
Rreth orës 15:49 u raportua se u nxorrën nga liqeni i Shkodrës trupat e ushtarakëve që humbën jetën, Donald Hoxha dhe Florian Deliaj.

MINISTRIA E MBROJTJES: JA KONTAKTI I FUNDIT ME HELIKOPTERIN EC 145
Sipas planit të fluturimit helikopteri EC 145, me numër bordi 637, me 3 ekuipazh në bord, kapiten Florian Deliaj, toger Donald Hoxha dhe ushtar profesionist Gerald Baramuca, janë nisur nga Farka sot në orën 12:10 në një fluturim stërvitor në përputhje me programin e planifikuar dhe miratuar më parë.

Në orën 13:45 ka qenë kontakti i fundit që helikopteri ka pasur me Qendrën e Kontrollit dhe Raportimit në Rinas.

Pas humbjes së kontaktit, është nisur drejt zonës ku u humb kontakti një helikopter kërkim – shpëtimi.

Ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Shëndetësisë janë nisur drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës ku ndodhet njëri prej pjesëtarëve të ekuipazhit, ushtar profesionist Gerald Baramuca.

KREU I BASHKISE SE MALESISE SE MADHE: PESHKATARET I ERDHEN NE NDIHME TE PLAGOSURIT
“Gerald Baramuça është i plagosuri nga rrëzimi. E kanë shpëtuar peshkatarët dhe e kanë dërguar në spitalin e Shkodrës. Mësohet se për momentin ai ndodhet në gjendje shoku. Forcat policore dhe të ushtrisë, kanë ardhur në ndihmë për të nxjerrë trupat e viktimave”, tha kreu i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj.

JA HELIKOPTERI QË KA RËNË
EC-145 është një nga helikopterët e rinj të Flotës Ushtarake, i blerë nga Kompania Franceze “EuroCopter”.

helikopteri

Kreu i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj ka konfirmuar lajmin për News24. Ai tha se helikopteri është rrëzuar në fshatin Grizhë dhe se në të ndodheshin disa persona. “Është rrëzuar një helikopter në fshatin Grizhë. Ka pasur disa persona në helikopter. Raportohet për dy persona të vdekur. Një nga personat që ndodheshin në helikopter është dërguar në spital. Ishte një helikopter i vogël, kanë qenë disa persona. Dy persona janë nxjerrë nga banorët”, tha Marinaj

RRËZIMI I HELIKOPTERIT, NGA TIRANA NISEN 3 HELIKOPTERË TË USHTRISË
3 helikopterë të Forcave të Armatosura janë nisur drejt fshatit Grizhë për të dhënë ndihmën e tyre. Gjithashtu edhe drejtues të FA-ve kanë shkuar në vendin e ngjarjes.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb