Mbi 40 persona kanë humbur jetën, pas një zjarri të madh në një fabrikë çantash, në kryqytetin e Indisë, New Dehli.

Zjarri nisi në një ndërtesë katër katëshe në një lagje të vjetër të mbipopulluar të qytetit, mëngjesin e së dielës. Të paktën 100 persona po flinin në fabrikën, e cila më së shumti merret me prodhimin e çantave të shkollës, në momentin që ra zjarri.

Ekipet e shpëtimit kanë arritur të shpëtojnë 50 persona, 16 prej të cilëve ndodhen në spital. Autorietet bëjnë të ditur se zjarri nisi në katin e parë dhe u përhap me shpejtësi, por nuk dihet ende shkaku i kësaj ngjarjeje të rëndë.

Zjarre të tilla janë të zakonshme në Indi, ku ndërtuesit, por edhe pronarët e bizneseve shkelin shpesh standardet e sigurisë, teksa ndërtojnë.

Por, ky incident është ndër më vdekjeprurësit në këto vitet e fundit në Indi. Kryeministri i Indisë, Narenda Modi, shprehu ngushëllime për familjarët e viktimave dhe e cilësoi këtë ngjarje si një tragjedi të madhe.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb