Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë mëngjesin e sotëm ku një nënë 35-vjeçare nënë edhe e 2 fëmijëve të tjerë ka humbur jetën gjatë lindjes bashkë me foshnjën. Mësohet se viktima është shtetasja Aida Çajka, 35 vjeçe nga Paskuqani.

Gruaja kishte shkuar mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00 me dhimbje, por sipas familjarëve ajo është sorollatur dhe nuk i është dhënë ndihma nga mjekët. As nëna dhe as foshnja nuk kanë mundur të mbijetojnë.

Familjarët e viktimës, akuzojnë mjekët për vdekjen e saj. Ata thonë se i kanë sorollatur gjithë natën sa në urgjencën e QSUT e sa në Sanatorium derisa ajo nuk ka mundur më të rezistojë.

Trupi i 35-vjeçares tashmë është në dorë të mjeko-ligjorëve ku do t’i nënshtrohet ekspertizës për të zbuluar shkakun e vdekjes. Për ngjarjen është njoftuar edhe prokuroria. Edhe 2 oficerë janë në maternitet ku po kryejnë verifikime për mjekim të pakujdesshëm.

Rreth orës 11:00 forcat e policisë së Komisariatit numër 1 kanë shoqëruar një mjek dhe një infermier për t’i marrë në pyetje. Po kështu pritet të merren në pyetje edhe 2 infermiere që kanë qenë në turn. Në komisariat ndodhen edhe familjarët që po japin deklarimet.

Sipas informacioneve paraprake po verifikohet stafi që duhet të ishte në shërbim si edhe libri i mjekimit që i është bërë pacientes. Oficerët e komisariatit nr. 1 po nisin verifikimet e mjekëve dhe po sekuestrohet kartela e gruas. Do të kryhet edhe këqyrja të regjistrave tek spitali “Nënë Tereza” dhe në sanatorium.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb