ARABI SAUDITE- Të paktën 717 persona që merrnin pjesë në pelegrinazhin e Haxhit janë vrarë në një ikje në rrëmujë pranë qytetit të shenjtë islamik të Mekës, deklaruan zyrtarët në Arabinë Saudite.

Drejtoria e mbrojtjes civile shkroi në Twitter se edhe 805 njerëz u plagosën në këtë incident në Mina, rreth 5 km (3 milje) nga Meka. Operacionet e shpëtimit thuhet se janë ende duke vazhduar. Ndërkohë klerikë shqiptarë që marrin pjesë në pelegrinazh bëjnë të ditur se nuk ka asnjë Haxhi shqiptar të plagosur.

Tragjedia ndodhur pasi në turmën me pelegrinë u krijua rrëmujë për ditën e parë të Kurban Bajramit. Në momentin që ndodhi masakra, pelegrinët ishin duke zhvilluar ritualin e “Gjuajtja me gurë e djallit”, ku hedhin gurë ndaj një muri.

Rreth 2 milion persona kanë marrë pjesë në Pelegrinazhin në Mekë këtë vit. Vetëm 2 javë më parë një tragjedi tjetër tronditi Mekën, ku 87 pelegrinë mbetën të vrarë pasi një stuhi rrëzoi një vinç mbi Xhaminë e madhe.

ILIR HOXHOLLI: ASNJË SHQIPTAR I LËNDUAR NË MEKË
Ish-kreu i Komitetit Shtetëror të Kulteve, Ilir Hoxholli, në një komunikim me telefon nga Meka, tha në “News 24” se, “janë rreth 400 haxhilerë shqiptarë, nga të cilët rreth 320 nga Shqipëria dhe 80 shqiptarë nga Mali i Zi dhe Bosnja. Gjendja e tyre është relativisht e mirë. Ndonëse ka rite që kërkojnë dhe lodhje fizike, por deri tani të gjithë ndjehen mirë dhe entuziastë për të vazhduar deri në fund”, – ka saktësuar Hoxholli.

TRAGJEDIA NË MEKË, MPJ NUMËR KONTAKTI ME AMBASADËN NË ARABINË SAUDITE
Ministria e Jashtme Shqiptare  publikoi një numër kontakti telefoni për personat shqiptarë që ndodhen në Mekë, pas tragjedisë ku kanë humbur jetën qindra persona.

“MPJ po ndjek situatën. Përfaqësuesit e shqiptarëve në Mekë mund të kontaktojnë Ambasadën shqiptare në Mbretërinë e Arabisë Saudite në nr. +966 50 190 5586”, -njofton ministria jonë e Jashtme nëpërmjet një postimi në rrjetin social ‘Tëitter’.

Ministria shpreh gjithashtu keqardhjen për situatën e rëndë në Mekë. “Ndjejmë thellësisht keqardhje për ngjarjen e sotme. Mendimet dhe lutjet tona janë për dhe me viktimat dhe familjet e tyre. Një shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve”, -vijon një tjetër postim në Twitter i Ministrisë së Jashtme shqiptare.

(m.k/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: