Avioni i rrëzuar në Kazakistan në ditën e Krishtlindjeve, ku humbën jetën 38 persona, ka pësuar “ndërhyrje të jashtme fizike dhe teknike”, sipas rezultateve paraprake të hetimit, tha të premten Azerbajxhan Airlines.

Hetimet paraprake e detyruan kompaninë të pezullonte fluturimet në 5 aeroporte ruse, duke përmendur “rreziqet e mundshme për sigurinë e fluturimeve”.

Avioni po fluturonte nga kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku, për në qytetin rus të Grozny në Çeçeni, kur u rrëzua në një fushë pranë Aktaut në Kazakistan, qindra milje larg destinacionit së planifikuar.

Të premten, kreu i agjencisë së aviacionit civil të Rusisë tha se avioni ishte përpjekur të ulej në Grozny pasi rajoni ishte nën sulm nga dronët ukrainas.

“Dronët ushtarakë ukrainas po kryenin sulme terroriste në infrastrukturën civile në atë kohë,” tha Dmitry Yadrov në Telegram, duke shtuar se avioni kishte bërë dy përpjekje të pasuksesshme për t’u ulur.

Në atë kohë kishte edhe mjegull të rëndë mbi Grozny, tha ai. Ai i përshkroi kushtet si “shumë të ndërlikuara”. Ai shtoi se “pilotit iu ofruan aeroporte alternative. Ai mori vendimin për të shkuar në aeroportin e Aktaut”.

Të premten, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk pranoi të komentojë mbi pretendimet. “Incidenti ajror është duke u hetuar dhe ne nuk besojmë se kemi të drejtë të bëjmë ndonjë vlerësim derisa të bëhen përfundimet e hetimit”, u tha ai gazetarëve.

Imazhet e përplasjes dukej se tregonin avionin duke rënë në tokë, ku shpërtheu në flakë pas përplasjes, duke shkaktuar shtëllunga të zeza tymi.

Një pasagjer në aeroplan i tha Reuters se kishte dëgjuar të paktën një zhurmë të fortë teksa avioni iu afrua rajonit jugor të Çeçenisë së Rusisë. “Mendova se avioni do të shpërbëhej”, tha Subhonkul Rakhimov.

Rakhimov foli gjithashtu me transmetuesin shtetëror rus, RT, dhe tha se dukej sikur shpërthimi kishte ndodhur jashtë aeroplanit, duke bërë që copëzat të shponin trupin e avionit.

Në javët e fundit, dronët ukrainas kanë shënjestruar disa vende në Çeçeni, duke përfshirë një strukturë ku strehohen forcat e policisë lokale.

Të mërkurën në mëngjes – në të njëjtën ditë me rrëzimin – Khamzat Kadyrov, një zyrtar lokal i sigurisë dhe nipi i liderit çeçen, Ramzan Kadyrov, shkroi në Instagram se “të gjithë dronët u rrëzuan me sukses”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb