Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në Asamblenë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku ndër të tjera, është ndalur dhe te ngjarja e rëndë që tronditi vendin pak muaj më parë, ku dy ushtarë shqiptarë humbën jetën në Letoni, gjatë misionit për çmontimin e lëndëve eksplozive.

Nga OKB, kreu i qeverisë shqiptare tha se Shqipërisë i rëndon ende kjo ngjarje tragjike, por pavarësisht kësaj vendi ynë vijon misionet ndërkombëtare për rikthimin e stabilitetit në botë. “Shqipëria ka dislokuar trupat e saj në Kosovë, e vende të tjera, me qëllim që të lërë gjurmë në botë. Vetëm muaj më parë dy ushtarë shqiptarë, që ishin pjesë e NATO në Letoni, humbën jetën e tyre, teksa çmontonin eksploziv.

Pavarësisht humbjes tragjike, që na rëndon fort, e na ka lënë shenjë në shpirt, Shqipëria ende shpreh vullnetin e saj për të ndërmarrë misione të reja në Irak, për të mbështetur përpjekjet e tij për stabilitet. Të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm nga rreziku që vjen nga grupet terroriste”, tha Rama.

Më tej, kryeministri foli dhe për ngrohjen globale, duke u shprehur se Shqipëria është vendi i parë në rajon që ka një strategji për ndryshimin e klimës, për zbutjen e efekteve, si dhe një plan kombëtar për përshtatjen me ndryshimin e klimës.

“Shqipëria ka punuar fort për të arritur objektivat globale. Kemi miratuar një strategji për ndryshimin e klimës, për zbutjen e efekteve, si dhe një plan kombëtar për përshtatjen me ndryshimin e klimës. Kjo e bën Shqipërinë vendin e parë në Ballkan që ka një strategji për ndryshimin e klimës.

Aksioni për klimën kërkon angazhim të përditshëm. Ka një thënie nga një gjeneral ushtrie me përvojë të gjatë “ka dy lloj vendesh në botë, të vogla dhe vende që nuk janë të vetëdijshme”. Shqipëria mund të jetë vend i vogël, por sidoqoftë është e vetëdijshme për përgjegjësitë globale që ka”, deklaroi kryeministri.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb