Një ditë pas ngjarjes së rëndë në alpet franceze, ku humbën jetën 5 ushtarë, zbulohet se mes viktimave është edhe një i ri nga Shqipëria. Burime zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme pohojnë se në ngjarjen e ndodhur më 18 janar ka humbur jetën 22-vjeçari Denis Halili, me origjinë nga Dibra.

Mësohet se Denis Halili shërbente si legjionar në ushtrinë franceze dhe jetonte prej vitesh në Francë. MPJ deklaron se pas identifikimit të të riut shqiptar ka nisur procedurat për kthimin e trupit në vendlindje.

Pesë ushtarë francezë janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur pasi u zunë poshtë nga një ortek teksa ishin duke u stërvitur. Ngjarja ndodhi në Valfrejus, afër kufirit me Italinë, ku rreth 50 ushtarë ishin duke u ushtruar.

Ushtria ka nisur kërkimet me qenë dhe helikopter për nxjerrjen e trupave nga dëbora. Javën e kaluar po në Francë dy nxënës shkolle dhe një turist ukrainas u vranë nga një ortek në të njëtën zonë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb