Sot është dita e funeralëve të parë privatë të viktimave të shembjes së urës Morandi në Genova. Shumë familje, në fakt, kanë kundërshtuar funeralin shtetëror që do të mbahet të shtunën në praninë e Presidentit të Republikës, Sergio Mattarella.

Janë 17 familje që kanë zgjedhur ritet private të varrimit. 7 të tjera janë ende të pavendosura. “Nuk duam një ceremoni farsë”, tha babai i një prej 4 viktimave nga Torre del Greco.

“Djali im nuk do të bëhet një numër në listën e vdekjeve të shkaktuara nga dështimet italiane, unë do të sigurohem të bëhet drejtësi për të dhe për të tjerët: nuk duhet të harrojmë”. Kështu ka shkruar në “Facebook”, Roberto, babai i Giovanni Battiloro.

“Ne nuk duam një varrim farsë, por një ceremoni në shtëpi, në kishën tonë në Torre del Greco. Është një dhimbje personale dhe nuk kemi nevojë për pasarela. Nga sot  fillon lufta jonë për drejtësi, për të vërtetën: nuk duhet të ndodhë më” , përfundon ai.

Në vend të katër arkivoleve të djemve nga Campania, do të jenë fotografitë e tyre. Por që i kanë thënë “jo” varrimit shtetëror ishin edhe familjet e tjera të prekura nga tragjedia. “Nuk më pëlqejnë ato gjëra publike”, tha Anna Timossi, nëna e 34-vjeçares Elisa Bozzo. Funerali i saj do të mbahet të shtunën në orën 11.00, por në kishën e Sarissolës.

Genova është duke u përgatitur që të organizojë funeralin shtetëror në një situatë dramatike. Të enjten ishte një mbledhje në Prefekturë për të koordinuar ardhjen e Presidentit të Republikës Sergio Mattarella dhe detyrave të tjera shtetërore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb