Në mesazhin e tij të Krishtlindjeve, Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier u ndal te tragjedia në Magdeburg, bëri thirrje për unitet e solidaritet, si edhe reflektoi mbi sfidat globale dhe vendore.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, në mesazhin e tij të Krishtlindjes, u ndal te ngjarjen tragjike në Magdeburg. “Mendimet dhe ndjenjat tona më të thella janë sot me familjarët dhe miqtë e atyre që autori i sulmit i vrau në mënyrë kaq mizore. Ne mund të përfytyrojmë vetëm pjesërisht atë që po kalojnë ata, çfarë dhimbjesh po përjetojnë. Asgjë në jetën e tyre nuk është më si më parë. Planet, dëshirat, shpresat, lumturia e tyre – janë shkatërruar,” tha ai.

Ai vazhdoi me një mesazh ngushëllimi për familjarët, duke shtuar: “Të dashur familjarë, që keni humbur një njeri të dashur, e di që në shumë prej fjalëve të mira që ju drejtohen, nuk mund të gjeni ngushëllim. Por dua t’ju them sot: Ju nuk jeni vetëm në dhimbjen tuaj. Njerëzit anembanë vendit tonë ndjejnë dhe vajtojnë bashkë me ju.”

Mirënjohje për ndihmësit dhe të lënduarit

Duke shprehur solidaritet me ata që kanë vuajtur, Steinmeier tha: “Mendimet tona janë sot edhe me të lënduarit dhe ata që janë lënduar rëndë. Nga zemra uroj për të gjithë një shërim sa më të shpejtë.” Ai shfrytëzoi këtë moment për të falënderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar në krizë: “Dua të falënderoj gjithashtu të gjithë ata që në mbrëmjen e sulmit dhe në ditët pasuese dhanë ndihmë dhe ngushëllim në vendngjarje, dhe që po e bëjnë këtë edhe gjatë ditëve të Krishtlindjeve. Faleminderit juve, policëve, zjarrfikësve, mjekëve dhe infermierëve, këshilltarëve shpirtërorë dhe të gjithëve që kontribuuan. Ju falënderoj në emër të të gjithë vendit tonë!”

Reflektim mbi luftërat dhe krizat ndërkombëtare
Steinmeier reflektoi mbi sfidat globale duke theksuar: “Mund ta imagjinoj që ka shumë gjëra që ju shqetësojnë – madje shqetësime të mëdha! Edhe unë ndjej të njëjtën gjë: lufta në Ukrainë, në Lindjen e Mesme dhe në shumë vende të tjera të botës ende vazhdon.”

Ai bëri një apel për unitet: “Urrejtja dhe dhuna nuk duhet të kenë fjalën e fundit. Të mos lejojmë që të ndahemi. Të qëndrojmë së bashku!”​​​​

Sfida dhe mundësi për Gjermaninë
Duke iu kthyer sfidave të brendshme, Steinmeier tha: “Dhe në vendin tonë? Shumë pakënaqësi me politikën, ekonominë, burokracinë, padrejtësitë. Tonaliteti në shoqërinë tonë është bërë më i ashpër, ndonjëherë edhe i papajtueshëm. Kemi shumë sfida përpara. Nuk mund t’i ndryshojmë si dhuratat që nuk na pëlqejnë. Duhet të flasim hapur për atë që nuk shkon mirë, për atë që nuk funksionon siç duhet dhe për atë që urgjentisht duhet bërë.”

Euke përfunduar me një mesazh optimizmi, Presidenti tha: “Jam i bindur: Janë forcat tona të brendshme ato që na ndihmojnë, siç kanë bërë edhe më parë. Solidariteti, punëtoria, kreativiteti, guximi, ambicia dhe besimi në vetvete! Të gjitha këto janë ende gjallë mes nesh dhe do të na hapin gjithmonë rrugët drejt të ardhmes.

Fjalimi i ndryshuar për shkak të ngjarjes në Magdeburg
Është bërë traditë prej vitit 1970, që presidenti i Gjermanisë të mbajë çdo vit një fjalim për kombin, i cili transmetohet në televizionet gjermane me rastin e Krishtlindjes, më 25 dhjetor. Këtë vit, Presidenti Frank-Walter Steinmeier e ndryshoi fjalimin, i cili ishte regjistruar më parë, pas tragjedisë së ndodhur rishtaz në Magdeburg, të landit Saksoni-Anhalt. Një makinë u përplas me shumë njerëz në një treg Krishtlindjesh, duke shkaktuar pesë të vdekur dhe 200 të plagosur, 41 prej tyre rëndë. I dyshuari, një 50-vjeçar me prejardhje nga Arabia Saudite, ndodhet në arrest. Ngjarja ka tronditur të gjithë shoqërinë gjermane./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb