ITALI- Një javë pas tragjedisë më të rëndë të imigrantëve në Mesdhe, Ban Ki-moon, Matteo Renzi dhe Federica Mogherini do të udhëtojnë sot në brigjet e Siçilisë për të shprehur vullnetin e tyre që të marrin fund dramat e imigracionit klandestin.

”Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Mogherini do të jetë së bashku me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon dhe kryeministrin italian, Matteo Renzi në bordin e anijes së marinës San Gusto në brigjet siçiliane (…) në kuadër të një solidariteti evropian në përpjekje për të shpëtuar jetët e imigrantëve që kalojnë Mesdheun”, sipas një komunikate të BE-së.

“Një përpjekje e përbashkët është e nevojshme për të zgjidhur çështjen e imigracionit duke trajtuar shkaqet rrënjësore si në rastet urgjente”, nënvizoi BE tetë ditë pas mbytjes së një peshkarexhe që transportonte rreth 750 imigrantë duke shkaktuar 24 të vdekur dhe rreth 700 të zhdukur, me vetëm 28 të mbijetuar.

Kjo dramë ndodhi një javë pas mbytjes së dy anijeve të tjera në Mesdhe duke shkaktuar 450 të zhdukur.

Kjo tragjedi në Mesdhe ka detyruar evropianët të reagojnë. Të mbledhur të enjten në një samit të jashtëzakonshëm në Luksemburg, drejtuesit e BE-së ranë dakord për trefishimin e mjeteve të operacionit të tyre Triton për mbikëqyrje dhe asistencë në Mesdhe.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: