Një përplasje tragjike ajrore ndodhi mbrëmjen e së mërkurës mbi Uashington, kur një avion pasagjerësh dhe një helikopter ushtarak u përplasën në ajër, duke shkaktuar vdekjen e 67 personave.
Sipas autoriteteve, helikopteri ushtarak “Black Hawk”, me tre ushtarë në bord për një stërvitje rutinë, u përplas me një avion të linjës “American Airlines Bombardier CRJ-701”, i cili po ulej në aeroportin “Ronald Reagan” me 60 pasagjerë dhe një ekuipazh prej katër anëtarësh. Përplasja ndodhi rreth orës 21:00, vetëm pesë kilometra larg Shtëpisë së Bardhë dhe Kapitolit.
Regjistrimet audio nga kulla e kontrollit zbulojnë se pilotëve të avionit “American Eagle 5342” iu kërkua të ndryshonin pistën e uljes në atë më të shkurtër, numër 33. Disa sekonda para përplasjes, kontrollorët paralajmëruan helikopterin: “A e shihni CRJ?”. Më pas, përsëritën udhëzimin: “Pat 25, kaloni poshtë CRJ”.
Pak momente më vonë ndodhi përplasja fatale.
FBI-ja ka përjashtuar mundësinë e një sulmi terrorist, ndërsa hetimet po përqendrohen në një gabim njerëzor ose dështim teknik. Të dhënat tregojnë se avioni fluturonte në 400 këmbë (120 metra) lartësi me një shpejtësi prej 225 km/h para përplasjes. Gjurmët e radarit sugjerojnë se ai devijoi nga kursi i afrimit, një faktor që mund të ketë ndikuar në tragjedi.
Sipas “Fox News”, helikopteri mund të mos ketë dëgjuar udhëzimet në frekuencën e duhur. Ndërkohë, spekulohet se aeroporti “Reagan” mund të jetë i mbipërdorur për shkak të afërsisë me Kongresin dhe publikun e gjerë.
Menjëherë pas aksidentit, helikopterët e shpëtimit dhe ekipet e kërkimit u përpoqën të gjenin të mbijetuar në lumin Potomac, ku u rrëzua avioni. Pamjet tregojnë bishtin e avionit të dalë mbi ujë, ndërsa helikopteri ushtarak u fundos me kokë poshtë.
Sekretari i Transportit, Sean Duffy, konfirmoi se mbetjet e avionit janë shpërndarë në tre pjesë të ndryshme të lumit. Në terminalin e aeroportit “Reagan” mbizotëron heshtja, ndërsa shuhen shpresat për të mbijetuar.
Presidenti Donald Trump pritet të mbajë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë në orën 11:00 me orën lokale për këtë ngjarje tragjike.